Sot në Malishevë është mbajtur mbledhja komemorative në nderim të Sabedin Kryeziut, Vehbi Halilajt dhe Mentor Kryeziut, tre qytetarëve të komunës së Malishevës të cilët u zhdukën më 4 prill 1999 në masakrën e Kralanit dhe u identifikuan së fundmi pas analizës së ADN-së.
Ceremonia u organizua nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, duke sjellë bashkë familjarë, përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale, Shoqata të personave të zhdukur dhe të dala nga lufta e UÇK-së, Policinë e Kosovës, klerit fetar dhe qytetarë të shumtë.
Në fjalën e tij, kryetari Kastrati theksoi dhimbjen e thellë dhe plagën e hapur të të pagjeturve, duke u shprehur: “Në vigjilje të 26-vjetorit të çlirimit, ne ende përballemi me dhimbjen e të pagjeturve. Ju duhet të jeni krenarë për sakrificën e bijve tuaj dhe për durimin që keni treguar për 26 vite.” Ai gjithashtu kërkoi drejtësi për të gjitha krimet e kryera dhe ndriçimin e fatit të të pagjeturve.
Këshilltari i presidentes së Kosovës, Ismet Krasniqi, nënvizoi se kërkimi për drejtësi nuk do të ndalet: “Kjo është pjesë e historisë dhe sakrificës sonë për liri. Janë pritje të gjata, por ne nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi.”
Edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal, Argjend Thaçi, e cilësoi këtë dhimbje si pjesë të historisë kombëtare, duke e dënuar përpjekjen e shtetit serb për të fshehur krimet e tij.
Ndërkohë, Andin Hoti, kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, theksoi se lufta për zbardhjen e fatit të të pagjeturve vazhdon: “Edhe sot, pas 26 vitesh, përballemi me kriminelët që jo vetëm vranë, por edhe zhdukën trupat e të vrarëve.”
Në emër të familjarëve dhe shoqatës “Kujtesa”, Hysen Kryeziu kujtoi përpjekjet e vazhdueshme për gjetjen e personave të zhdukur, duke bërë thirrje për më shumë angazhim institucional. Sipas tij, në Malishevë gjatë luftës u zhdukën 85 persona, nga të cilët 38 ende mbeten të pagjetur.
Në fund të ceremonisë, familjarët falënderuan të gjithë të pranishmit për mbështetjen dhe nderimin e bërë për të afërmit e tyre.
Ceremonia e varrimit të Mentor Kryeziut dhe Vehbi Halilajt do të mbahet të premtën më 4 prill, në Llapçevë dhe Bubavec, ndërsa Sabedin Kryeziu është varrosur më herët.