Sot u mbajt mbledhje komemorative për mësimdhënësen Florentinë Krasniqi – Mazreku. Ceremoninë komemorative e organizoi, SHFMU “Ibrahim Mazreku”, ndërsa morën pjesë edhe institucionet komunale qeveritare e arsimore. Në emër të Drejtorisë për Arsim dhe Edukim fjalë lamtumirëse mbajti ish drejtoresha, Arbëreshë Krasniqi, tash deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës. “Jemi mbledhur këtu për të nderuar kujtimin e Florentinë Krasniqi – Mazreku, e cila ka lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën familjare, arsimore dhe shoqërore. Ndarja e saj nga jeta, ka krijuar një boshllëk të madh, por kujtimet dhe veprat e saj do të jetojnë gjithmonë në zemrat tona. Ajo ishte një person i jashtëzakonshëm, e njohur për cilësitë dhe vlerat e saj, si përkushtimi, dashuria për familjen, për arsimin, nxënësit, mësimdhënësit. Ajo na la vepra e porosi të rëndësishme pas, dhe ndikimi i saj do të mbetet i paharrueshëm. Sot, teksa e kujtojmë, le të mos qajmë vetëm për humbjen, por edhe të nderojmë jetën e saj dhe veprimtarinë mësimore dhe edukative që bëri me nxënësit, njëherit kujtojmë momentet e bukura që kemi ndarë me të sa ishte në jetë dhe trashëgiminë që ka lënë pas. Florentinë, do të mbetesh gjithmonë në mendjet dhe zemrat tona. Pushofsh në paqe, ka thënë mes tjerash ish drejtoresha e Arsimit në komunën e Malishevës, znj. Arbëreshë Krasniqi.
Në emër të SHFMU-së “Ibrahim Mazreku”, për biografinë, jetën dhe veprën e mësimdhënëses Florentinë Krasniqi- Mazreku, fjalën e mbajti, drejtoresha Rrezarta Mazreku, e cila tha se Florentia ishte personifikimi i sukseseve të nxënësve në fushën e artit pamor, ajo për këto vepra dhe të arriturat me nxënës, u nderua me shumë mirënjhoje dhe çmime e ku do veçuar çmimin nga Ambasada e Republikës së Çekisë, në Republikën e Kosovës. Në emër të dy familjeve të Florentinës, të pranishmit në mbledhjen komemorative iu falenderuan, Fadil Morina dhe Nuhi Mazreku.