Të enjtën në Deçan u mbajt punëtoria me temën “Integrimi në treg, zinxhiri i vlerës dhe ndërmarrësia”, organizuar nga Zyra për Barazi Gjinore në bashkëpunim me Shtëpinë e Strehimit në Pejë, projekt i mbështetur nga UNMIK-u.
Punëtoria u udhëhoq nga, Ardita Ramizi-Bala, drejtoreshë e Shtëpisë së Sigurisë, dhe Lumturie Ibra, koordinatore e projektit. Gjatë këtij takimi, drejtoresha Ramizi-Bala prezantoi para të pranishmëve rëndësinë e fuqizimit dhe përkrahjes së gruas në fushën e ndërmarrësisë, duke theksuar mundësitë dhe sfidat me të cilat përballen gratë sipërmarrëse.
Për procedurat ligjore të programeve sociale, foli, z. Enver Cacaj, shef i burimeve njerëzore në komunën e Deçanit, duke ndarë informacione mbi mbështetjen institucionale të ofruar për gratë sipërmarrëse dhe mundësitë për përfshirje në programe të ndryshme sociale. Ndërsa për procesin e regjistrimit të bizneseve dhe sfidat që hasin gratë në hapjen e një biznesi, foli Fitore Kuqi, zyrtare për regjistrimin e bizneseve, e cila informoi pjesëmarrësit mbi procedurat e nevojshme dhe lehtësirat e mundshme për gratë që synojnë të hapin një aktivitet ekonomik.
Ky aktivitet shërbeu si një mundësi e rëndësishme për të diskutuar sfidat dhe mundësitë e grave në tregun e punës, për të shkëmbyer përvoja dhe ide, si dhe për të promovuar iniciativat e reja sipërmarrëse që ndihmojnë në integrimin ekonomik dhe fuqizimin e grave në shoqëri.