Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Avni Morina dhe zyrtarë komunal nga kjo drejtori, kanë mbajtur takim me drejtorë të shkollave fillore të mesme të ulëta dhe të larta të Komunës së Rahovecit. Në këtë takim është diskutuar lidhur me mbarëvajtjen e procesit edukativo-arsimor. Në fjalën e tij drejtori i Arsimit, Avni Morina, tha që sapo kemi filluar gjysmëvjetorin e dytë të mësimit dhe jemi në prag të festës së 17 Shkurtit- Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe me këtë rast janë paraparë të zhvillohen një varg aktivitetesh përkujtimore, kulturore dhe sportive. Këto aktivitete do të fillojnë nga data 11 shkurt, andaj ju ftojmë të gjithëve të angazhoheni dhe të merrni pjesë në këto aktivitete. Ndërsa, kryetari Latifi, ka kërkuar nga të gjithë drejtorët që në koordinim të plotë me personelin arsimor, të angazhohen maksimalisht që të vazhdojë në mënyrë të rregullt mbajtja e procesit mësimor dhe të respektohet rendi shtëpiak në shkolla. I pranishëm në këtë takim ishte edhe komandanti i Stacionit të Policisë në Rahovec, z. Fazli Morina, i cili raportoi në detaje gjendjen e sigurisë në shkolla dhe ofroi bashkëpunim ndër institucional për të rritur nivelin e sigurisë, sidomos në Shkollat e Mesme të Larta.