Edhe takimi i dytë i Këshillit organizativ për shënimin e 16 Qershorit – Ditës së Çlirimit dhe Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Malishevës u drejtua nga kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ku në të morën pjesë edhe kryesuesi i kuvendit, Argjend Thaçi, përfaqësues të subjekteve politike në kuvendin e komunës,si dhe OVL e UÇK-së në Malishevë e Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport. Kryetari Kastrati kërkoi nga anëtarët e Këshillit të angazhohen maksimalisht për përgatitjet për shënimin e “festës më të madhe për Malishevën” dhe që kjo ngjarje të shënohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Më pas secili nga anëtarët kontribuoi me ide e propozime në përgatitjet e kësaj ngjarje të madhe historike dhe shumë të rëndësishme për komunën tonë dhe qytetarët. Të gjithë anëtarët e këshillit u pajtuan me agjendën dhe programin e kësaj ngjarje jubilare të 25 vjetorit të çlirimit të Komunës së Malishevës dhe Ditës së Dëshmorëve.