Në kuadër të bashkëpunimit mes Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës se Shqipërisë, është mbajtur në Tiranë Tryeza e parë e Kryetarëve të Komisioneve të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës. Tryeza filloi punimet me fjalimin përshëndetës nga Kryetarja e Kuvendit, të Shqipërisë, Lindita Nikolla. Në fjalën e saj hyrëse, kryetarja Nikolla tha se Kuvendi i Shqipërisë dhe Kuvendi i Kosovës sapo kanë nisur një kapitull të ri bashkëpunimi intensiv dhe se Tryeza e parë e Kryetarëve të Komisioneve është hapi i parë i institucionalizimit të bashkëpunimit parlamentar. Ajo shtoi se paralel me këtë Tryezë, në grupet e punës të të dy Kuvendeve, nën drejtimin e Sekretarëve të Përgjithshëm, është duke u finalizuar Marrëveshja e Bashkëpunimit midis të dy Kuvendeve. “Kjo tryezë është një kantier pune i të zgjedhurve të kombit shqiptar, për të diskutuar për t’u shërbyer më mirë bashkëkombasve e qytetarëve tanë, kudo ku ndodhen. Është koha të intensifikojmë, shumëfishojmë kontaktet dhe zgjerojmë bashkëpunimin vëllazëror midis dy Kuvendeve tona”, theksoi kryekuvendarja. Lindita Nikolla.