U mbyll Panairi “Dekada e Librit të Lirisë II”

Panairi “Dekada e Librit të Lirisë II” u mbajt  në shënim të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Ky panair i organizuar nga Radio-Kosova e Lirë, Shoqata e të Burgosurve Politikë dhe Redaksia “Dëshmorët e UÇK-së” ka karakter të prezantimit të një pjese të literaturës shqiptare, specifike nga ana tematike.

Në Panair  janë prezantuar 14 vëllimet e botuara deri tani të monografisë “Feniksët e Lirisë”, tri vëllimet e Arkivit të lajmeve të Radios-Kosova e Lirë gjatë luftës, pastaj të gjitha botimet e deritanishme të Radios, vepra autoriale të shkrimtarëve, poetëve e gazetarëve, që kanë mbajtur dënime  të rënda me burg gjatë kohës së okupimit serb, kronika dhe ditar nga lufta po ashtu janë prezantuar edhe skica, vizatime  e portrete të vizatuara nëpër burgjet jugosllave nga veprimtarë e atdhetarë  të njohur.

Në Panair janë prezantuar edhe disa përmbledhje poetike të poetëve dëshmorë si:

Bahri Fazliu, Agim Ramadani, Astrit Bytyçi, Kasim Shala, Valon Krasniqi, Françesko Bider  e të tjerë.

Shquhen në këtë mes veprat e Adem Demaçit, Hydajet Hysenit, Ahmet Qeriqit, Nezir Myrtajt, Martin Çunit, Jakup Krasniqit, Nusret Pllanës, Zenun Gjocit, Gjokë Dabajt, Faton Mehmetajt, Selatin Novosellës, Kadri Rexhës, Dilaver Goxhait, Fetnete Ramosajt, Rasim Selmanaj, Bajram Bekteshit, Hajrush Kurtajt, Skënder Zhitisë, Halil Katanës,  Selman Mehajt, Teuta Hadrit, Tahir Gecit, Ali Gecit, e shumë të tjerëve.

Në Panair janë prezantuar edhe vepra të autorëve të ndryshëm me tematikë nga lufta e  UÇK-së si: dr. Muhamet Pirraku, dr. Hakif Bajrami, Ylli Pollovina, Ibrahim Gani, Selman Dervishi, Lebit Murtishi, Rrustem Geci, Nezir Prokshi, Habib Zogaj, Afrim Berisha e shumë të tjerë.

Në ditën e hapjes së  Panairit “Dekada e Librit të Lirisë II” më 1 nëntor 2012 morën pjesë personalitete të njohura të rezistencës, artit e kulturës, në mesin e tyre edhe simboli i Rezistencës kombëtare, Adem Demaçi, koloneli i Ushtrisë shqiptare dhe eprori i lartë i UÇK-së, Dilaver Goxhai, koloneli nga Tirana, Bardhyl Tahiri, anëtar i SHT të UÇK-së, Kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës,Hydajet Hyseni, shkrimtari dhe veprimtari i njohur, Gjokë Dabaj, i burgosuri politik, Fadil Cukaj, Meriman Braha nga Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës,  dr. Muhamet Pirraku, Ramadan Avdiu si dhe reporterë e gazetarë të luftës së UÇK-së.

Gjatë katër ditëve të Panairit, artdashësit e Prishtinës e më gjerë kanë vizituar ekspozitën e Radios-Kosova e lirë dhe ekspozitën me portrete, skica e vizatime të të burgosurve politikë të Kosovës, të sajuara brenda qelive të burgjeve të ish Jugosllavisë, në vitet ’80 të shekullit të kaluar, ndërkohë që vizitorët janë njoftuar edhe me një literaturë specifike të veprave me përmbajtje nga historia e rezistencës kombëtare, si dhe  botimet e Radios-Kosova e Lirë dhe të Redaksisë, “Dëshmorët e UÇK-së”.

 

 

Fjala e Adem Demaçit  me rastin e hapjes së Panairit “Dekada e librit  të lirisë II

Besoj se po bëhet traditë që ta përkujtojmë vetveten, se siç po shihet nuk është shteti që duhet ti përkujtoj , dhe ta ketë një qendër që do të merret me këto probleme atëherë detyrohemi vetë. Radio Kosova e Lirë po e vazhdon ende luftën sepse siç po duket ajo nuk ka përfunduar ende dhe tanimë po dihet se duhet të bisedojmë përsëri me Serbinë, e cila ka pretendime ndaj Kosovës. Ata ende po pretendojnë të na kthejnë në pikën zero që ne të ja nisim nga fillimi etj.

Pra radio Kosova e lirë po përpiqet  të bëhet e lirë në të gjitha fushat e edhe ne fushën e informimit. Unë kam qenë edhe vjet këtu, sivjet po e shoh një përparim sa i takon zgjerimit të ekspozimit të informatave këtu që kemi. Me kalimin e kohës nevoja dhe kërkesa për ndriçimin dhe zbardhjen e së vërtetës për luftën tonë do të jetë gjithnjë e më e madhe, sepse këta miqtë tanë një ditë do të shkojnë dhe do të mbesim vetëm, atëherë duhet të kemi çka tu tregojmë gjeneratave të reja që nuk e mbajnë mend luftën, edhe atyre që kanë marrë pjesë në luftë dhe frikohen se mos po harrohet lufta e tyre. Asnjë luftë nuk është harruar , ne sot po gërmojmë se çfarë ka ndodhur para 2000 vjetëve.

Andaj duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi që po na jepet dhe duhet ti falënderojmë këta vëllezërit tanë në rend të parë Ahmet Qeriqin  me stafin e vet, pastaj Shoqatën e të Burgosurve Politikë. Me fjalë të tjera është duke u bërë një përpjeke,  që e vërteta për luftën tonë, për gjakun e derdhur, e vërteta për atë se na ndihmuan që të çlirohemi por nuk na çliruan, sepse pa luftën tonë, pa gjakderdhjen tonë, pa këmbënguljen tonë, pa gatishmërinë tonë që të vdisnim për lirinë tonë s’ do të kishte asnjë ndihmë, por disa që e kanë ndërgjegjen e vrarë disa besa edhe e sabotuan luftën tonë, po e kanë dëshirë që eventualisht të harrohet lufta jonë dhe tu mbetet amerikanëve, thua se kanë nevojë shumë të madhe amerikanët tu thotë dikush faleminderit që na çliruar,  etj.

Prandaj po them vlera e kësaj përpjekje për ta ndriçuar dhe për ta zbardhur, për ta kristalizuar të vërtetën për luftën dhe për qëndresën tonë është shumë më e madhe se sa që duket formalisht. Po shihet që njerëzit tanë nuk janë kah i japin fort rëndësi kësaj pune, tash të shkosh nëpër kafene gjene plot që pinë e hanë , bisedojnë e merren me thashetheme, pra kjo po shkon me vështirësi por gjithmonë të vërtetat shkojnë me vështirësi derisa t hapet rruga dhe të krijohet vetëdija , ajo masë kritike e vetëdijes e cila do të bëjë që ky popull ta marrë fatin e vet në duart e veta, dhe të vendosë për fatin e vet për të gjitha që i duhen kombit e atdheut. Unë ju lutëm shumë që ta shikoni me vëmendje dhe mos besoni kurrë në harresë sepse harresë për kombin nuk duhet të ketë asnjëherë. Harresa, mund ta godas një komb e një popull, prandaj edhe kjo përpjekje për ta luftuar harresën , sepse nuk jemi ne rastësisht popull që harrojmë, ne kemi qenë Ilir pastaj u bëmë Arbër tash po donë të na bëjnë edhe  kosovar, me fjalë të tjera jemi vazhdimisht të rrezikuar nga një harresë për të dalë te një tjetër, të na shkulin rrënjët që kishim për të na mbjellë diku tjetër, mos eventualisht nuk po mbijë fare dhe po harrohemi. Kështu që ju që keni marrë pjesë në luftë, nëpër burgje, nëpër fronte të ndryshme të përpjekjeve për liri mos u ndaleni, sepse çdokush që ndalet pas tij ndalën edhe 10 a 15 të tjerë, prandaj e keni përgjegjësinë e madhe. Nuk ka ndalje nuk ka dorëzim, po vetëm ecje përpara me besim të plotë, që megjithatë do t”ia dalim që ta bëjmë një Shqipëri si duhet, një Shqipëri që do ta ketë lakmi tërë bota, një Shqipëri që do t”i gëzoj: zemrat e të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Jemi në rrugë që ta bëjmë, do ta bëjmë, kemi disa pengesa të brendshme e të jashtme, mirëpo jemi mësuar ne  të shkojmë nëpër pengesa dhe t’ i kalojmë ato, kështu që ju uroj këtyre që kanë bërë përpjekje që ta organizojnë  këtë panair përsëri, uroj që ta vazhdojnë këtë punë të mos ndalën, ta zgjerojnë edhe më shumë këtë mundësi të ekspozimit të veprave tona çfarëdo lloj qofshin, në mënyrë që ta kryejmë edhe një punë në kushtet e paqes, në kushtet e një lufte speciale që po bëhet kundër nesh, duhet të dimë edhe ne të organizohemi dhe të pozicionohemi ashtu siç duhet. Urime dhe rrofshi ju që po mundoheni, e bashkë me mua dhe  me shumë të tjera .

Fjala e kryetarit të Shoqatës së të burgosurve Politikë, Hydajet Hyseni, me rastin e hapjes së Panairit

Ky Panair është një nismë e Radios ‘Kosova e Lirë, e cila në mesin e shumë punëve të mira, e ka bërë tradicionale organizimin e aktiviteteve dhe përvjetorëve të rëndësishëm, që lidhen me luftën e UÇK-së. Prandaj, kjo radio meriton jo vetëm mirënjohje, por edhe përkrahje. Është një rast që edhe ne t’i kthehemi të kaluarës sonë jo të largët, një e kaluar, e cila ende nuk është eksploruar dhe valorizuar sa duhet. Këto është një pjesë e vogël e faktografisë, e asaj që ishte realitet, që ende nuk është prezantuar, madje nuk është mbledhur as si vëllim. Vlera e këtij panairi është sensibilizimi i kësaj nevoje. Edhe Shoqata e të Burgosurve Politikë është organizuar në aktivitete të tilla, prandaj jemi përcaktuar që të bashkëpunojmë me radion ‘Kosova e Lirë’ për të organizuar aktivitete të përbashkëta edhe në të ardhmen. Shoqata jonë në bashkëpunim me të gjithë të interesuarit do të organizojë një ekspozitë të titulluar ‘Arti në pranga’, i cili do t’i grumbullojë të gjitha krijimet artistike, vizatimet, punë-doret dhe gjithçka tjetër që njerëzit kanë ruajtur nga burgu.

E ato janë të pakta sepse burgu shkatërronte jetën, shëndetin por edhe krijimtarinë. Prandaj u bëj thirrje të gjithë atyre që kanë krijime të tilla, që të interesohen edhe për krijimtarinë e të afërmve të tyre, shokëve që t’i grumbullojnë e t’i dërgojnë në shoqatën tonë, ku më pas do t’i përgatisim për t’i shpalosur para opinionit tonë, për ta parë këtë dimension të të burgosurve shqiptarë, vuajtjeve të tyre por që kanë edhe ëndrra, të cilat shprehen përmes krijimeve artistike. Prandaj, një letër-këmbim i ilustruar, një punë-dore e gjithçka tjetër do të plotësonte mozaikun, i cili vërtetë nuk kapërthehet nga njerëzit që nuk e kanë provuar burgun. Unë e përgëzoj radion ‘Kosova e Lirë’ për punën që ka bërë dhe ftoj të gjithë ata që kanë mundësi ta ndihmojnë këtë radio. Sepse duke ndihmuar radion ‘Kosova e Lirë’ dhe duke ndihmuar aktivitete si këto, ndihmojnë jo vetëm kujtimin për këtë të kaluar të lavdishme por ndihmojnë edhe zërin e Kosovës së re që po ndërtojmë.

Fjala e Meriman Brahës

Është kënaqësi që është organizuar një Panair i tillë i librit, i titulluar,  “Dekada e librit të lirisë”. Është një ngjarje kulturore  të cilën do të duhej të gjithë qytetarët ta shijojnë, ta vizitojnë, t’i shohin librat për t’i parë motivet pse janë shkruar ato. Shpresoj që njerëzit do të gjejnë kohë dhe do të vijnë ta shohin larushinë e botimeve me tema interesante nga koha e luftës, e paraluftës dhe pasluftës, por të shohin edhe ekspozitën, e cila përfshin fotografi e piktura nga koha e luftës. Në një ballinë të Panairit është vendosur një ekspozitë me piktura e krijime artistike të ish të burgosurve politikë, pikturat këto të cilat i  kanë bërë në kohë të vuajtjes së burgut. Sigurisht se kjo përbën një botë tepër interesante, një shpirt të cilin opinioni ynë nuk e njeh mirë, madje ka përshtypjen sikur këta njerëz që ishin nëpër burgje kishin një botë të egër e të ashpër, por në fakt, ne këtu kemi një botë tepër subtile të një kategorie të të burgosurve, të cilët kanë gjetur frymëzimin e tyre edhe në kushte të rënda torturash e vuajtjesh nëpër kazamatet e Serbisë. Shpresoj që e tërë kjo do t’i ngjallë opinionit tonë kërshërinë për të ardhur në këtë panair, për t’i plotësuar informacionet që duhet t’i kenë.

Fjala e Ramadan Avdiut

Për mendimin tim, kjo është një ngjarje jashtëzakonisht e mirë që nuk do të duhej të ndalej me kaq. Duhet të rritet bashkëpunimi edhe me organizatat e dala nga lufta, por edhe me shoqatën e të burgosurve politik dhe unë, si ish i burgosur politik jam i vetëdijshëm që ka plot vepra letrare artistike në pikturë e mbase edhe në forma të tjera, të cilat do të duhej të ekspozoheshin. Duhet të inkurajohen të gjithë të burgosurit dhe të gjithë akterët që e kanë bërë historinë që të shkruajnë e të mos i mbulojë harresa kujtimet e tyre, në mënyrë që në një të ardhme të gjithë ta shohin sakrificën që është bërë për këtë ditë që sot po e gëzojmë.

Veprat e prezantuara në Panairin e Librit, “Dekada e Librit të Lirisë II

Botimet e deritanishme të Radios- Kosova e Lirë

ARKIVI RKL             I  II  III ( 4. 1. – 21. 6. 1999)

Nezir Myrtaj             Jehonë lufte

Ahmet Qeriqi            Meditime në arrati, roman

Martin Çuni              Reportazhe lufte

Nusret Pllana            Rruga e lirisë

Ahmet Qeriqi            Në gjurmim të lashtësisë, studime

Nezir Myrtaj             17 e 18 marsi 2004

Ahmet Qeriqi            Milush Kopiliqi, serb apo shqiptar?

Nezir Myrtaj              Rrugë e papërfunduar

Ahmet Qeriqi            Burgu

Martin Çuni              Jetë e furtunë, përmbledhje poetike

Kasim Shala               Poezi dhe rrëfime, (poet dëshmor)

Bajram Bekteshi       Mbizotërat, përmbledhje poetike

Bedri Tahiri               Përtëritja

Dilaver Goxhai          Rruga që më çoi në UÇK

Dilaver Goxhai          UÇK-ja dhe Kadareja

Endrit Myrtaj            Vargjet e mia, përmbledhje, poetike për fëmijë

Bajram Bektashi        Hapa për mbijetesë

Afrim Berisha            Lirikë vjeshte përmbledhje, poetike

Zëri i lirisë                  Broshurë e Radios-Kosova e lirë

Ahmet Qeriqi             Luftëtarë të NDSH-së (1944-1950)

Zenun Gjoci               Rilindjet e orës arbërore

Ahmet Qeriqi             Fenomene shqiptare, studime

Muhamet Pirraku     Për kauzën e UÇK-së

Muhamet Pirraku      Adem Guta

Haki Qeriqi                 Libër me poezi

Martin Çuni                Themele jete (Tregime për fëmijë)

Ahmet Qeriqi              Krojmiri (1455-1999), monografi

Bajram Bekteshi         Unë dhe vargu, përmbledhje poetike

Nezir Prokshi              Mbijetesa e popullit të Drenicës në rrethim

Ahmet Qeriqi               Koha e jeniçerëve, roman

Selman Mehaj             Një shekull qëndresë për liri

Selman Mehaj             Kushtrim lirie

Bahti Graiçevci            Shpresa e fundit

Kadri Rexha                 Dervish Shaqa

Zenun Gjoci                 Kosova e Kuqe

Zenun Gjoci                 Krahët e Shqipes

Ahmet Qeriqi               Gjurmime dhe studime

Nusret Pllana               Intervenimi i NATO-s në Kosovë

Nusret Pllana               Terrori i Serbisë mbi shqiptarët…

14 vëllimet e monografisë “Feniksët e lirisë”

Përmbledhje poetike të poetëve dëshmorë:

Agim Ramadani,

Valon Krasniqi,

Kasim Shala,

Astrit Bytyçi,

Bahri Fazliu,

Francesco Bider

Vepra të autorëve të ndryshëm:

Halil Katana

Tri dimensionet e UÇK-së

Zoga Dega

Për ju breza që ngritet Atdheun mbi supe

Gjaku i tyre në damarët tanë

Vlaga e kësaj toke

Flamuri ynë…

Veprat e Adem Demaçit

Disa nga veprat e Hakif Bajramit

Fusha e Flamurit: Grup autorësh

Ibrahim Gani: Mujë Krasniqi

Gjokë Dabaj,

Daut Gumeni,

Liri Gjoliku,

Ylli Polovina

Hajrush Kurtaj

Fetnete Ramosaj,

Faton Mehmetaj,

Jakup Krasniqi

Skënder Zhitia,

Hasan Hasani,

Ramadan Krasniqi  “Dëshmorët e Llapushës”

Habib Zogaj “Krimi dhe mbijetesa”, “Në mungesë të varrit”

Selman Dervishi

Sadie Ismaili,

Lebit Murtishi,

Isuf Ismaili,

Rrustem Geci,

Xhuhere Vezaj-Maçaj,

Xhafer Dvorani…

E veçanta e panairit:

14 vëllimet “Feniksët e lirisë”

Arkivi i Radios I II III

Libra të autorëve dëshmorë

Libra të autorëve ish të burgosur politikë.

Foto nga panairi:

GJOKË DABAJ: KUSH PO E VRET SHPIRTIN PATRIOTIK TË SHQIPTARIT?!

(Durrës, 05. 11. 2012) – Qysh në datën 20 tetor 2012 e mora vesh, nga një njoftim i portalit tonë mediatik “Pashtriku”, se më 1 nëntor do të hapej në Prishtinë Panairi “Dekada e Librit të Lirisë II”. E organizonin atë panair 3 asociacione, të cilët, në këndvështrimin tim, bëjnë pjesë në atë që do ta quaja detashmenti avangard i ruajtjes dhe kultivimit të traditës dhe krenarisë sonë kombëtare: Radio-Kosova e Lirë, Shoqata e të Burgosurvet Politikë dhe Redaksia “Dëshmorët e UÇK-së”.

Vendosa të shkoja në atë panair. Aq më tepër kur, si bashkautor me shokun tim të hershëm, Fadil Cukaj, sapo e kemi botuar një libër, i cili kryesisht bën fjalë për veprimtarinë e Grupit Ilegal “Liria” në vitet 1962-1964 në Prizren. Jam gjithashtu edhe autor i një elegjie kushtuar dëshmorëvet tanë të Tivarit, 1945, ende edhe sot të pavarr. Mendova që këta 2 libra, por edhe “Strategjia e shqiptarëvet”, një pjesë e mirë e të cilit flet statistikisht për plojat që kanë bërë pushtuesit mbi popullin tonë në kohë të ndryshme, do t’u interesojnë vizituesvet të atij panairi.

Vendosa të shkoja, me gjithë një trysni të madhe, tepër ogurkeqe, të disa skeptikëvet që më rrethojnë. Ata më thanë:

“Pse po mundohesh kot?

A po mendon se do t’i blejë kush librat e tu?

S’ka kohë Kosova të merret tash me ty e me shokët e tu. Ka halle të tjerë Kosova.”

Madje, një nga të afërmit e mi, i cili bën pjesë në armatën e skeptikëvet, më bëri edhe këtë paralajmërim:

“Do t’i harxhosh kot ata lekë e ata euro.”

Nga e gjithë kjo breshëri sugjerimesh, më bëri përshtypje dhe më shqetësoi shumë shprehja:

“Pse mundohesh kot?”

Ajo ndajfolje e mallkuar KOT, m’i rrahu tëmthat me orë të tëra:

“Pse KOT?!

A vërtet KOT?!

Si mund të thuhet: KOT?!

Nëse vërtet po shkon KOT mundimi ynë, atëherë pse rrojmë?!”

Deri këtu arrita. Dhe, si një reagim ndaj asaj që më impononte fjala kobndjellëse KOT, fillova të bëj ca llogarira: Kosova dhe viset e tjerë kanë mbi 100000 ish të burgosur politikë, dmth të burgosur pa kurrfarë faji, pa kurrfarë delikti. Në mos ata vetë, sepse një pjesë e tyre nuk jatojnë më, të afërmit e tyre duhet të vijnë për t’u interesuar çfarë është shkruar për kalvarin e të atillë njerëzve, patriotë të mirëfilltë dhe martirë. Çfarë është shkruar, por edhe çfarë është lënë mangut, ç’boshllëqe kanë mbetur pa u plotësuar. Të vijnë këtu, t’i shikojnë këta libra, t’i marrin, t’i lexojnë, të frymëzohen prej tyre dhe të nxiten, të vendosin, që edhe për të afërmit e tyre, për babën, për axhën, për vëllanë, për dajën, për burrin, të shkruhet diçka. Kosova dhe viset e tjerë kanë, vetëm të Luftës së fundit, mbi 15000 dëshmorë. Të 15000 nënat, ato që janë gjallë, të 15000 apo 30000 apo 50000 motrat, të 15000 bashkëshortet, ose aq sa janë realisht, të 15000 baballarët, ata që janë gjallë, të 15000 apo 30000, apo 50000 vëllezërit, të 15000 bijtë apo nipërit e atyre 15000 dëshmorëve, duhet të jenë të interesuar ç’po shkruhet për të afërmit e tyre dhe në përgjithësi për të sakrifikuarit e këtij Kombi.

Por jo vetëm ç’po shkruhet. Ata duhet të jenë të interesuar edhe ç’nuk po shkruhet. Të vijnë këtu, të takojnë autorë të ndryshëm, të bisedojnë me ta, t’u propozojnë, t’u ofrojnë dokumente. Panairet janë vende ku shumë gjëra mund të zënë fill. Për këtë Vend e për këtë Komb është derdhur shumë gjak. Ata që e kanë derdhur gjakun për këtë Vend, nuk bën të harrohen. Mora parasysh që, prej këtyre qindra mijë njerëzve, që duhet të jenë realisht të interesuar për të ardhur në këtë panair, natyrisht që nuk do të mund të vijnë të gjithë. Është plotësisht e arsyeshme. Një pjesë e mirë madje nuk vijnë dot, sepse janë të varfër. Janë aq të varfër, sa thonë: “Përse u vranë të afërmit tanë, kur ne po rrojmë kaq keq?!” Por, ta zëmë, prej 300000 vetëvet, 30000 a do të mund të vinin? E zvogëlova edhe këtë shifër për 10 herë, zvogëlim drastik për të cilin duhej të qortohesha, dhe thashë: “3000 (tre mijë)!” Për 3000 vizitues të atij panairi ia vlente të udhëtoja nga Durrësi në Prishtinë.

Vaj për ne! Unë nuk i përdor me dëshirë as pasthirrmat as parathirrmat, por këtu nuk mund të gjendet ndonjë pjesë tjetër e ligjëratës për të shprehur atë çfarë përjetova.

Panairi u hap në orën 12.

Me gjithë organizuesit, bëheshim a s’bëheshim 30 vetë!

Jo 3000,  as 300, por 30!  Asnjë kamerë televizive,  asnjë televizion,  asnjë gazetë,  as nga Prishtina,  as nga Tirana,  as nga Shkupi.

A po më lejoni ta përsëris edhe njëherë? Aty nuk kish ardhur asnjë kamerë televizive dhe asnjë gazetar, përveç një vajze, e cila, si dukej, ishte e vetë Radios “Kosova e Lirë”, s’kishin ardhur as nga Prishtina, le më nga Tirana e nga Shkupi! Të ishin përplasur, me pasojë vdekjen, 2 shoferë të dehur diku përtej Çagllavicës, s’e di sa kamera do të kishin vrapuar për atje.

Aty, në atë sallë ku erdhën aq pak njerëz, gjendej një seri botimesh për dëshmorët e UÇK-së, aty gjendej i ekspozuar një numër jo i vogël monografish e biografish të dëshmorëvet dhe të ish të burgosurvet, gjendeshin piktura, fotografi e vizatime nga më mbresëlënësit. Pashë në një vend disa shirita çarçafësh të burgut, mbushur plot me vargje e me strofa poezish. Në një vend perendimor, për ato copa çarçafësh do të mund të paguante dikush 1 milion euro. Një patriot, psh hebre, anglez apo gjerman, nëse ata shirita çarçafësh do të ishin shkruar prej një të burgosuri të tyre, do të mund të paguante edhe 2 milion euro. Thjeshtë për t’i pasur e për t’i ruajtur brez pas brezi në muzeun e vet familjar. Shokut tim, Fadil Cukaj, 6 gjermanë nga Zvicra i kanë dërguar nga 1 suvenir, me rastin e botimit të librit tonë “Rrugë rëziqesh me vetëdije”. Njëri, një orë nga ato zviceranet 200-vjeçare, njëri, një elektrik dore shumë të veçantë. Gjermanët po, por shqiptarët nuk na çuan asgjë. As nuk erdhën për t’i parë librat, jo vetëm tanët, por të dhjetëra të të tjerëvet, të ekspozuar aty, në një kohë kur kafenetë poshtë nesh ishin plot e përplot me shijues pijesh e muhabetesh, krahasimisht “shumë më të rëndësishëm”.

Fjala e Adem Demaçit me rastin e hapjes së Panairit “Dekada e librit të lirisë II

Besoj se po bëhet traditë që ta përkujtojmë vetveten, se siç po shihet nuk është shteti që duhet ti përkujtoj , dhe ta ketë një qendër që do të merret me këto probleme atëherë detyrohemi vetë. Radio Kosova e Lirë po e vazhdon ende luftën sepse siç po duket ajo nuk ka përfunduar ende dhe tanimë po dihet se duhet të bisedojmë përsëri me Serbinë, e cila ka pretendime ndaj Kosovës. Ata ende po pretendojnë të na kthejnë në pikën zero që ne të ja nisim nga fillimi etj.(…)

Midis atyre 30 vetëve, u gjend, si gjithmonë, edhe Baca Adem. Ai i tha 2 fjalë para nesh. Midis tjerash, atij s’iu ndejt pa thënë edhe afërsisht kështu: “Kur s’ka qeveri, jemi të thirrur ne, që t’i kryejmë këta obligime ndaj të rënëvet tanë.” Unë kam bindjen që, kur Baca Adem është nxjerrë para gjyqit, salla, nëse UDB-a i ka lejuar, ka mundur të jetë më plot se kjo sallë e sotme, kur, të paktën legalisht, nuk e kemi UDB-n .

Një trishtim i vështirëdurueshëm, për këdo që e ruan pak shpirt shqiptari nën sqetull. Ditën e parë dhe ditën e dytë, e shumta mund të kenë ardhur rreth 100 vetë. Midis tyre, sigurisht, kish nga ata që u qet shpirti zjarr, ardhur aty, jo veç nga Drenica, nga Prizreni e Theranda, por edhe nga Gjirokastra, z.Dilaver Goxhaj etj, nga Veleshta e Strugës, z.Agim Vinca. Lavdi Gjirokastrës, Labërisë dhe Veleshtës, që, të paktën me nga 1 përfaqësues, nuk e lënë Kosovën vetëm!

Kaluan ashtu 2 ditë me vizitorë fare të pakët. Po shpresohej që të vinin diç më shumë të shtunën e të dielën, por unë u largova, me një ndrydhje të fortë në shpirt. U largova dhe po mendoja, në atë mënyrë siç mund të mendojë një shpirt i vrarë. “Nëse tani”, thashë me vete, “do të ndalesha para një shitoreje bizhuterish dhe parfumerish, sa blerës do të hynin në atë shitore në harkun e 2 ditëve? Nuk mund ta bëja atë provë në Prishtinë, por erdha dhe e bëra në Durrës, duke pasur bindjen që rezultati do të ish po ai.

Është një shitore e tillë në qendër të qytetit. (Se mos është e vetmja!) Ka aty: të kuq buzësh, më shumë se 10 lloje, ka komplete ngjyrash për qepalla, për qerpikë, për vetulla. Ka ngjyra për manikyr e për pedikyr. Për ata që nuk e kuptojnë çdo me thënë pedikyr, po e shpjegoj: Janë llaqe ngjyrash të ndryshme për të zbukuruar thonjtë e këmbëvet. Ka mjete për të shkulur qimet. Ka pudra gjithfaresh, për ta mbajtur lëkurën butë… Në 1 orë e 46 minuta, kanë hyrë në atë shitore, disa prej të cilëvet edhe kanë dalë ndërkohë, plot 100 vetë. Kryesisht zonja dhe zonjusha (Ato mund të ishin edhe motra apo bashkëshorte dëshmorësh!), por edhe burra që i shoqëronin zonjat. Kanë hyrë edhe ndo nja 10 a 12 plaka. (Nëse nuk mund të ishin nëna dëshmorësh, ato janë të së njëjtës moshë me nënat e dëshmorëvet.) Tek i numëroja, si i lënë mendsh, si i mallkuar, si i blasfemuar, blerësit që hynin në atë shitore bizhuterish e parfumerish, po nxirja përfundimin që, po në atë orë, ndoshta në nja 500 të tilla shitore, anembanë Atdheut tonë, që nga Saranda deri në Mirtovicë, kanë hyrë e dalë diku rreth 50000 (pesëdhjetë mijë) të interesuar për të tillë artikuj. Larg qoftë! S’ka asgjë të keqe! S’po u thotë askush shqiptarëvet: “Mos blini të kuq buzësh dhe prerëse thonjsh!” As patate e ullinj, s’po u thotë kush të mos blejnë. Por po duhet t’u themi: “Merruni edhe me gjakun që është derdhur për këtë vend! Merruni, sepse, po nuk u morët edhe me këtë lloj ‘artikulli’, vijnë prapë, ME SIGURI, gjakderdhësit, e atëherë s’ka ç’na duhen as bizhuteritë, as artikujt e tjerë!”

Më mbeti gjithsesi mendja tek Panairi i Librit të Lirisë. Nëse do ta quajmë të dështuar atë panair dhe të ngjashmit me të, atëherë le ta dimë, se krejt Lufta jonë ka dështuar! Duke e analizuar kështu këtë dukuri, del se vërtet dikush po e vret shpirtin patriotik të shqiptarëvet.

Por, kush po e kryen këtë krim, i cili po vjen fill pas atij krimi që e kryen sërbët?!

Vetë ne!

Doemos, vetë ne!

Pa diskutim, vetë ne!

Ismail Kadareja tha afërsisht kështu: “Puna e parë që bënë shqiptarët, sapo e fituan lirinë, ishte: të shkatërronin Shqipërinë.” Unë do të thosha: “Jo vetëm Shqipërinë materiale, por edhe Shqipërinë shpirtërore.” Dhe kjo është më e keqja e të gjitha të këqiavet.

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Në vazhdim të realizimit të projektit për botimin e monografisë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare …