Njoftohen qytetarët ferizajas, familjet e Dëshmorëve të Kombit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, invalidë e veteranë të UÇK-së – dega në Ferizaj se të hënën me 16 shtator 2024 u nda nga jeta luftëtari i orëve të para, veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ekrem Metushi.
Me këtë rast, në kujtim të jetës dhe veprës së luftëtarit të lirisë, veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ekrem Metushi, të martën (17.09.2024), në ora 11:00 në Teatrin “Adriana”, mbahet mbledhje komemorative.
Me këtë rast kryetari i komunës së Ferizajt z. Agim Aliu në telegramin e ngushëllimit familjes Metushi ka shkruar:
Me dhembje e pikëllim të thellë, morëm lajmin për ndarjen nga jeta të luftëtarit të orëve të para, veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bashkëqytetarit tonë shembullor, Ekrem Metushi.
Janë të rënda e të lënë pa fjalë momentet si këto, kur pushon së rrahuri përgjithmonë, zemra e luftëtarit të lirisë si Ekremit, bashkëqytetarit tonë që shquhej për atdhetarinë, ndershmërinë, urtësinë, guximin e sakrificën që mishëroi gjithë jetën e tij, edhe në luftën për çlirim edhe pas lirisë.
Lamtumirë, miku im i shtrenjtë!
Lamtumirë bashkëqytetari ynë shembullor, ti që luftove, sakrifikove e me shembullin tënd lartësove përpjekjen tonë për lirinë e Kosovës!
Ngushëllime të sinqerta familjes Metushi, familjarëve të Dëshmorëve të Kombit, invalidëve e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – dega në Ferizaj, miqve e të njohurve të të ndjerit!
I qoftë i lehtë, dheu i Kosovës.