U nda nga jeta në moshën 91-vjeçare, shkrimtari i mirënjohur shqiptar, Naum Prifti

U nda nga jeta në moshën 91-vjeçare, shkrimtari i mirënjohur shqiptar, Naum Prifti

Naum Prifti, shkrimtar, skenarist, eseist, dramaturg, një figurë e rëndësishme e letrave dhe kulturës shqiptare u nda nga jeta në moshën 91-vjeçare. Prej vitesh ai jetonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku për vite me radhë drejtoi dhe Vatrën, duke u bërë një zë i fortë i çështjes shqiptare, ashtu si kohë më parë vëllai i tij,  Peter Prifti.

Naum Prifti u lind në Rehovë të Kolonjës, ku ka kryer shkollën fillore. Më pas, në Ersekë, atë 8-të vjeçare. Në 1953, mbaron Politeknikumin Mjekësor në Tiranë. Punon një vit si ndihmës mjek në Sanatoriumin e Korçës. I pasionuar pas letërsisë, vazhdon studimet për Gjuhë e Letërsi Shqipe në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Gjatë viteve 1954-1960 ka shërbyer si redaktor në revistën Hosteni. Ndërsa nga 1960-67 si redaktor në revistën “Ylli”. Më pas ka punuar si arsimtar nga 1967-70 në Divjakë të Lushnjes.

Në 1970-72 ka pasur përgjegjësinë si redaktor përgjegjës për buletinin “Skena e fëmijëve”, pranë Shtëpisë Qendrore të Krijimtarisë Popullore, Tiranë dhe si inspektor teatri në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës gjatë 1974-76. Në këto vite ka shërbyer edhe si pedagog i jashtëm për Letërsinë Shqipe në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1991, emigron në Amerikë (New York), ku vazhdon të japë ndihmesën e tij për komunitetin shqiptar këtu dhe për Letërsinë Shqipe. Në vitin 1995, zgjidhet sekretar i Federatës Panshqiptare Vatra, detyrë që e ka edhe sot. Me krijimin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë e zgjedhin kryetar të saj. Ka fituar shumë çmime për veprat letrare si vëllime me tregime, novela, letërsi për fëmijë, humor dhe skenarë filmash.

Në vitin 2001 nderohet nga Ministria e Kulturës dhe Lidhja e Shkrimtarëve me çmimin: “Penda e Argjendë”, për vëllimin me legjenda “Nëna e Diellit”. Çmimin “Penda e Artë” për vëllimin me tregime dhe skica humoristike “As Miço, As Muço” nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptare-Amerikane, New York, 2003. Për punën e tij të gjatë, të vazhdueshme letrare dhe me nivel artistik, është Dekoruar nga Kuvendi Popullor me Medaljen e Punës dhe “Urdhrin Naim Frashëri klasi ll-të”.

Krijimtaria e tij letrare është e larmishme dhe shtrihet në disa gjini : tregime, drama, komedi, novela, skenarë filmash, pjesë për teatrin e kukullave, skenarë për filma vizatimorë, biografi, artikuj kritikë, publicistikë, etj. Janë thuajse 100 vepra letrare, më shumë se vite jete dhe dyfishi i një gjysmëshekulli krijimtarie. Mijëra e mijëra faqe të shkruara me dorë, të shtypura me makinë të thjeshtë shkrimi, dhe të hedhura në kompjuterin e ditëve tona, qindra e qindra analiza, diskutime, letërkëmbime, biseda, që mund t’i quash pa frikë-publicistikë, për nga idea dhe mesazhi që mbartin dhe përcjellin.

Tregimi : “Dimri i Urisë” ka fituar çmim Nderi (Honour Prize), në Konkursin Letrar Ndërkombëtar të Maison Naaman pour la Culture, 2004-2005. Autori pranohet anëtar Nderi i Shoqatës Kulturore Naji Naaman.

Top Channel

 

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …