U ndamë fizikisht nga luftëtari ndër më të përkushtuarit e luftës së UÇK-së, u ndamë nga Halil Kolshi, Halil Koburja

U ndamë fizikisht nga luftëtari ndër më të përkushtuarit e luftës së UÇK-së, u ndamë nga Halil Kolshi, Halil Koburja

U ndamë  fizikisht nga luftëtari më i apasionuar i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u ndamë nga Halil Kolshi, Halil Koburja, ikona e luftës së UÇK-së, në Brigadën Kumanova.

Halil dhe Fadil Kolshi nga Baica e Kolshit, në Drenicën jugore, do të mbesin emra emblematikë të luftës sonë për liri e pavarësi.  Dy vëllezër idealistë, të cilët që në rininë e hershme ranë në konflikt me strukturat e regjimit dhe u kalitën nëpër burgje. Ishin ndër të parët që u pozicionuan për luftë të armatosur,  që në fillim të viteve 90-të.

Halili ishte edhe mjeshtër i armëve, i kobureve, çifteve, pushkëve që i mjeshtëronte vetë. Dashuria dhe fiksioni i tij  për armët shkoi aq larg dhe zuri aq shumë vend në perceptimet e tij për luftën kundër pushtuesit serb sa edhe bijtë   e vet i  kishte pagëzuar me emra armësh e municionesh, Barut, Top, Kapsoll, emrat ndër më të përveçmit  dhe krejt të veçantë, ndër shqiptarë, por emra shumë kuptimplotë.

“Më së pari  na duhej për ta siguruar Barutin, pastaj për  ta mbaruar Topin dhe për t ia vënë Kapsollin” thoshte Halili gjithnjë fytyrë e buzë-qeshur, gjithnjë i afërt dhe i dashur me të gjithë”.

Edhe pse jemi ndarë fizikisht nga Halil Koburja, kurrë nuk do të harrohen kujtimet për bëmat e Halilit, Fadilit, dëshmorit të kombit, Vezir Kolshi  dhe luftëtarëve të tjerë të UÇK-së, nga fshati Baicë.

Halil Kolshi i takon radhëve  të para të luftës  së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Së bashku me vëllanë Fadilin, edhe ai i ndjerë, kanë marrë pjesë në  po thuajse të gjitha betejat e fushëveprimit të Brigadës 121, Ismet Jashari, Kumanova, ashtu sikur edhe dëshmori i kombit, Vezir Kolshi, pjesëtar i Njësive Speciale të SHP të UÇK-së. 

Halili ishte shenjëtar i shkëlqyeshëm, njohës  dhe përdorues i të gjitha armëve.

Ishte mbase ndër të vetmit që edhe në çastet më të rënda, në istikamet e luftës gjente fjalë për humor, për të dhënë kurajo.

Fliste qetë dhe me motivim të jashtëzakonshëm.

Ishte personazhi tipik i  monologut të brendshëm, të pandërprerë,  i cili njihet si fenomen në romanet e Xhejms Xhojsit.    

Me fizikun, mjekrën dhe qëndrimin e tij  përfaqësonte  luftëtarin Ademjasharian të kohës.

Kurdoherë mbante mbi kokë  kapelën e bardhë me simbolin e UÇK-së dhe  uniformën e saj.

 

Në paraqitjen e tij rrezatonte  krenari e dinjitet, fliste pandërprerë për luftën, për bëmat e tij dhe të bashkëluftëtarëve. Nuk ndalonte së rrëfyeri, sepse kishte çka të rrëfente, më shumë se të tjerët, sepse kishte një jetë  të tërë plot me skamje e vuajtje, edhe pse kurrë nuk ankohej as jepej, pasi  ishte i vetëdijshëm se i përkiste kauzës së madhe të Atdheut.

Halil Kolshi do të mbetet në kujtesë për të veçantat dhe origjinalitetin e tij, për sinqeritetin, besnikërinë, humorin e rrëfimet e tij të pashkëputshme por shumë të motivuara, shumë të natyrshme e të veçanta.

Të lehtë do ta kesh tokën e Mëmëdheut, Halil Kolshi!

 

Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …