Një ndër kontributet më të rëndësishme të tij është libri “Vendbanimet në hapësirën historike shqiptare të Çamërisë”, një vepër e thellë studimore që ofron një qasje të veçantë mbi historinë dhe kompleksitetin e kësaj treve. Ky botim është një referencë e rëndësishme jo vetëm për studiuesit dhe lexuesit shqiptarë, por edhe për institucionet dhe akademinë ndërkombëtare që kërkojnë të njohin thellësisht Çamërinë.
Gjatë karrierës së tij, Prof. Sheme ka sjellë një sërë studimesh të rëndësishme mbi gjeografinë humane dhe etnokulturën e Çamërisë, duke lënë një trashëgimi të pasur akademike. Ndër veprat e tij më të njohura përmenden: “Çamëria – vendi, popullsia dhe jeta ekonomike” (2005), “Monumente natyrore dhe kulturore të Çamërisë” (2008), “Gjeohapësira e Konispolit” (2009), “Epiri i Jugut – Çamëria” (2014) dhe “Çamëria – vështrim gjeopopullativ dhe etnokulturor” (2016).
Me ndarjen e tij nga jeta, bota akademike shqiptare humbi një studiues të rrallë, i cili me përkushtim dhe integritet profesional kontribuoi në dokumentimin dhe promovimin e historisë dhe kulturës çame. Prof. Selman Sheme do të kujtohet me nderim nga të gjithë ata që patën privilegjin ta njihnin dhe të lexonin veprën e tij.
U prehtë në paqe!
/Diaspora Shqiptare/