U përkujtua 20- vjetori i Betejës së Çirezit dhe Likoshanit

Aktivitetet kushtuar 20- vjetorit të Betejës së Çirezit dhe Likoshanit u organizuan nga Komuna e Skenderajt dhe ajo e Drenasit. Për të kujtuar këtë ditë, Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, së bashku me Nënkryetarin, Nuredin Lushtaku, stafin Komunal, përfaqësues të shoqatave të dalura nga Lufta e UÇK-së, deputetë, asamblistë si dhe delegacionin nga Komuna e Drenasit në krye me Ramiz Lladrovci, kujtimin e kësaj dite e filluan me homazhe dhe nderime ne Kompleksin e varrezave në Likoshan për të vazhduar me vizita në familjet e të rënëve si dhe me Akademinë Përkujtimore në Prishtinë që u mbajt nën patronatin e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ku morën pjesë familjarë të të rënëve, Kryetarët të dy Komunave, përfaqësues të institucioneve qendrore, veteranë dhe invalidë të luftës së UÇK-së. Në këtë ngjarje u vlerësua kjo betejë historike si dhe u evokuan kujtime nga momentet e lavdishme të luftës për liri. Po ashtu në këtë Akademi Përkujtimore, Kryetari, Jashari, ju drejtua të pranishmëve me një fjalë rasti.

Në vazhdim fjalimi i plotë i, z. Jashari:

I nderuari President, Z. Thaçi, Të nderuara Familje të Dëshmorëve, Invalidë dhe Veteran të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, I nderuari Kryetar, Ramiz Lladrovci, Të nderuara zonja e zotërinj, Vëllezër e motra. Sot, duke shënuar 20 -vjetorin e Betejës te 6 lisat, në mes të Likoshanit dhe Qirezit, është rast të theksojmë se këtë përkujtim të kësaj date të lavdishme, e bën më madhështor, edhe shënimi i 10 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Sot, së bashku me Komunën e Drenasit, përkujtojmë me nderim të veçantë, dëshmorët e kësaj beteje, pjesëtarët e Familjeve Ahmeti, Rexhepi, Behrami, Nebihu, Gjeli, Sejdiu, Rama dhe Fazliu, të cilat u gjendën të parat përball hakmarrjes së tmerrshme të forcave ushtarake e policore serbe, të cilat, në ballafaqim me njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të ndëshkoheshin nga njësiti më i afërt, duke u treguar atyre se këtu ka dalëzotës. Asnjë forcë hakmarrëse më nuk do të mund ta shuante vatrën e çlirimit, vatrën e lirisë, Drenicën heroike. Për këtë, të gjithë ne jemi krenar. Rrethanat në të cilat ndodhi ngjarja që tashmë përbën historinë e pakthyeshme dhe të ndritshme për çlirim te Gjashtë lisat, duhet të përcjellë, historinë e kësaj ane. Historia e kësaj pjese, zemrës së Kosovës dhe kombit shqiptar, bart lavdinë e emrit të saj, Skënderajt, nga viti 1890, e këndej. I nderuari, President Thaçi, Të nderuar të pranishëm, Drenica, me shekuj ishte vatër e kryengritjes, e filluar nga Ahmet Delia, e diplomacia e Hasan Prishtinës, për të vijuar me Azem Bejtën me bashkëluftëtarët e tij, gjatë luftës së Dytë botërore, Shaban Polluzhën, Mehmet Gradicën, me bashkëluftëtarë. Ky gjerdan i ndritur i rezistencës shqiptare, do të kulmoj me rezistencën heroike të Tahir e Nebih Mehës. Kjo rezistencë nuk ishte e mjaftueshme. Në vend se të ndalej presioni dhe dhuna jugosllave ndaj Drenicës dhe Kosovës, ajo shtohej. Baba Shaban, si mësues dhe largpamës shembullor, e dinte se nga duhet të shkojë historia. Ai në familje zgjoi krenarinë e të qenit shqiptar, dinjitetin e burrërisë së lavdishme shqiptare, mbolli në shpirtin e qenien e bijve të vet, Bacës Rifat, Axhës Adem e Babës Hamëz, ua hapi shtegun e heroizmit dhe trimërisë që solli epokën e frymës së rezistencës së paparë në tërë familjen. Të tjerat u bënë legjenda që sot, i jetojmë. Duke i dhënë dritë, një kombi, një rrugë aq të vendosur sa botës iu bë rirreshtim nga kjo rezistencë epike. Në këtë ditë, u zhvillua betejë e lavdishme, por edhe betejë jo e barabartë. U shkaktua dhimbje e paparë, sepse njësitet kriminale serbe, në vend se të ballafaqohen me trima e burra të armatosur, hynë nëpër shtëpi duke u hakmarrë ndaj qytetarëve duarthatë, ndaj grave e të rinjve. Tashmë, nga kjo ditë, 28 shkurti 1998, lufta mori tjetër dimension. Dimension që historia ia kishte ngarkuar edhe Familjes Time dhe kombit shqiptar. Ushtarët tanë trima, të prirë nga Komandanti Legjendar, Adem Jashari, godisnin trupa ushtarake e paraushtarake, trupa të stërvitura e të organizuara mirë, caqe që ishin burim i dhunës dhe gjenocidit, ndërsa ata godisnin në shenjtërinë e kombit tonë, në familje. Drenica dhe krejt Kosova, u vunë në anën e lirisë, në anën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pa pyetur për çmim. Familjet e tëra, anë e kënd Kosovës, i rezistuan kësaj dhune e terrori, duke u sakrifikuar, me vetëdije, se kurrë më nuk do t’i nënshtroheshin okupatorit njëqindvjeçar. Sot, në këtë ditë të përkujtimit të Betejës së lavdishme te Gjashtë lisat, dhe në 10 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, shpreh respektin e thellë për të gjitha familjet që me besim të fuqishëm, me dashuri për atdheun, iu bën ballë sulmeve të tmerrshme të njësiteve të uniformuara serbe, duke iu bashkuar lavdisë heroike, duke i kontribuar lirisë dhe pavarësisë tonë. Z. President, Në këtë ditë, duke kujtuar të gjithë heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë tonë, në Drenicë por edhe krejt Kosovën, bëhet betejë me mjete tjera, për zhvillim, për mirëqenie, për fëmijët tanë, për arsim e shëndetësi cilësore. Ne kemi nevojë të jemi më të bashkuar se kurrë, të çojmë amanetin e të parëve tanë, për të kontribuar që liria të jetë e pranishme në çdo sofër Shqiptare. Kemi nevojë më shumë se kurrë për unitet, për përjetësimin e mirëfilltë të epokës së lirisë, për të arritur kombet demokratike, me vlerat tona. Ne kemi nevojë, që sot, Drenica të jetë vend ku jetohet më mirë, ku mund t’i arsimojmë fëmijët tanë dhe duke e bërë shembull të qeverisjes së mirë. Për këtë qëllim, paçim ndihmën e Zotit. Lavdi e përjetshme për heronjtë, dëshmorët dhe martirët e kombit!

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …