Në kuadër të aktiviteteve që po mbahen anekënd vendit për dëshmorët e kombit, sot në Mitrovicë u përkujtua 20 vjetori i rënies në altarin e atdheut të dëshmorit, Artim Jashari. Në Akademinë Përkujtimore, ku morën pjesë përfaqësues institucionalë, shoqata të dala nga lufta, familjarë, bashkëluftëtarë si dhe një numër i konsiderueshëm i qytetarëve, u tha se dëshmorët do të jetojnë gjithmonë, pasi falë luftës së tyre populli i Kosovës gëzon sot lirinë. Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri theksoi se institucionet e Kosovës kanë borxh dhe obligim që asnjëherë mos t’i harrojnë dëshmorët që kontribuuan për këtë vend. Ai shtoi më tutje se i gjithë spektri politik pavarësisht përkatësisë partiake duhet që bashkërisht ta çojnë Kosovën përpara. Ndërkohë, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës OVLUCK-së, Hysni Gucati tha se lufta e Kosovës i ktheu kombit shqiptar krenarinë dhe shtoi se duhet punuar me gjeneratat e reja për t’u shpjeguar atyre rreth luftës heroike të UCK-së. Në emër të familjarëve foli edhe djali i Artim Jasharit, Endrit Jashari, i cili tha se Artimi ka rënë për të mos vdekur kurrë, dhe ne brezat e ardhme do të punojmë që porosinë e tyre ta çojmë në vend.
Kontrolloni gjithashtu
Mërgata shqiptare që jeton në Britani të Madhe e pret sot në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama
Mërgata shqiptare që jeton në Britani të Madhe e pret sot në takim kryeministrin e …