U përkujtua 26-vjetori i “Masakrës së Burimit”

Sot u përkujtua 26-vjetori i “Masakrës së Burimit”, ku u vranë 42 qytetarë të pafajshëm në vendin e quajtur “Vrella e Mëhillit” në Burim të Malishevës. Viktimat ishin kryesisht banorë të fshatrave Dragobil dhe Astrazup, si dhe katër qytetarë nga Komuna e Suharekës. Kjo masakër mbetet ndër aktet më të rënda të kryera nga ushtria dhe policia serbe në Komunën e Malishevës gjatë luftës së fundit.\

Në nderim të martirëve, sot u mbajtën homazhe dhe u bënë nderime në varrezat e të rënëve në Dragobil dhe në vendin e ngjarjes në Burim. Përveç familjarëve, në këtë ceremoni morën pjesë edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi, së bashku me kabinetin qeveritar të komunës, kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Malishevës, Argjend Thaçi, komandanti i stacionit policor, Nazmi Zogaj, kryetari i Bashkësisë Islame në Malishevë, Sead Paçarizi, si dhe shumë qytetarë.

“Dëshmorët dhe martirët e rënë në luftë janë drita e pavdekshme që ndriçon rrugën e lirisë. Kujtimi i tyre mbetet i gjallë në zemrat tona dhe në historinë e kombit, liri e cila është fituar me gjakun e tyre”, tha nënkryetari i Komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi, gjatë homazheve.

Më 31 mars 1999, në Burim, tek vendi i quajtur “Vrella e Mëhillit” dhe përreth, forcat serbe ekzekutuan, masakruan dhe dogjën 42 qytetarë të pafajshëm. Kjo masakër është një nga krimet më të mëdha të regjistruara në këtë periudhë në Komunën e Malishevës. Megjithatë, deri më sot, askush nga autorët apo urdhërdhënësit e këtij krimi nuk është vënë përpara drejtësisë.

Kontrolloni gjithashtu

Kastarti ngushëllon familjen Krasniqi – Mazreku me rastin e ndarjes nga jeta të mësues Florentina Krasniqi-Mazreku

Kryetari i komunës së Malishevës z. Ekrem Kastrati ka ngushëlluar familjen Krasniqi – Mazreku me …