leoni

U përkujtuan dëshmorët nga Malisheva të rënë 26 vjet më parë në Betejën e Rahovecit

Sot, me nderime të larta dhe homazhe, janë përkujtuar dëshmorët nga Komuna e Malishevës, pjesëtarë të njësive të UÇK-së që kanë vepruar në Malishevë dhe që kanë rënë heroikisht në “Betejën e Rahovecit” në korrik të vitit 1998, Agim Çelaj, Sadik Shala, Afrim Krasniqi, Hamdi Berisha, Habib Berisha, Gani Paçarizi, Liman Gegaj, Ramadan Morina dhe Ruxhdi Gjyliqi.

Nderime dhe homazhe janë bërë në vendet e rënies në Rahovec, në memorialet e ngritura për ta dhe në varrezat e dëshmorëve në Malishevë dhe Kleçkë. Në ceremoninë përkujtimore kanë marrë pjesë protagonistët dhe eprorët e lartë të UÇK-së, deputetë, personalitete të jetës politike dhe kulturore, familjarë, bashkëluftëtarë dhe qytetarë. Ndër ta ishin Fatmir Limaj (komandant Çeliku), Nait Hasani, Bekë Berisha, gjeneral Selim Krasniqi, kryetari i degës së OVL të UÇK-së në Malishevë Metush Kryeziu dhe përfaqësues të qeverisë komunale në Malishevë.

“Si çdo vit, edhe sot, 26 vite më pas, nderojmë e kujtojmë atë çfarë ka ndodhur në betejat e luftës sonë për liri. Kujtojmë ditët e vështira të asaj kohe, vuajtjet, dhimbjet dhe sakrificën e korrikut të vitit 1998. Mirënjohja është virtyti më i mirë që manifestohet çdo ditë. Shpresoj që gjeneratat që vijnë do të jetojnë me lavdinë e krenarinë për vendin tonë, për të cilin është dhënë shumë, si në kohën për liri ashtu edhe në epokën e shtetndërtimit,” ka thënë në fjalët e tij përkujtimore Fatmir Limaj.

Ndërsa kryetari i degës së OVL të UÇK-së në Malishevë, Metush Kryeziu, tha se: “U bënë 26 vite dhimbje, por edhe krenarie me veprën e tyre, sepse ne sot jetojmë të lirë falë sakrificës së dëshmorëve të kombit.”

Edhe në këtë përkujtim, bashkëluftëtarët e dëshmorëve bënë thirrje për ruajtjen e vlerave të luftës dhe për realizimin e amanetit të tyre.

Kontrolloni gjithashtu

Vijnë reagime gjithnjë e më të ashpra nga Amerika dhe BE-ja pas aksionit të pakoordinuar të Qeverisë së Kosovës, në veri

Aksioni për mbylljen e institucioneve paralele në veri të Kosovës u prit  me kritika të …