U përmbyll me sukses edhe një edicion i festivalit të folklorit “Anadrinia jehon”

U përmbyll me sukses edhe një edicion i festivalit të folklorit “Anadrinia jehon” në komunën e Rahovecit. Ecuria e mirë e edicionit të 23-të të festivalit “Anadrinia jehon”, dëshmoi për punën dhe përkushtimin e Këshillit Organizues, të banorëve të fshatit Dejnë, të strukturave të pushtetit lokal dhe të pjesëmarrësve në këtë festival. Ky edicion tregoi se ky aktivitet kulturor, me karakter kombëtar, është konsoliduar tashmë dhe ka vënë themele të forta. Pjesëmarrja e tetëmbëdhjetë grupeve artistike nga vise të ndryshme shqiptare, është dëshmi e kësaj. Sukseset e vazhdueshme të festivalit “Anadrinia jehon”, kanë hyrë në analet e ngjarjeve të rëndësishme kulturore, në nivel kombëtar. Mysafir i këtij edicioni ishte Ansambli i Këngëve dhe i Valleve “Emin Duraku” nga Shkupi. Juria profesionale, e përbërë nga Bedri Zyberaj – publicist, studiues i kulturës popullore, Haki Mulliqi – koreograf, Hajdar Elezkurtaj – muzicient, Suzana Drenica – koreografe, Erodita Qorkadiu – Haxhiu – etnologe, Sami Piraj – kritik i muzikës, Shkodran Tolaj, drejtor i Ansamblit Shtetëror Shqiptar në Maqedoninë e Veriut, patën punë të madhe për të bërë vlerësimet e duhura, sepse prurjet artistike ishin të një niveli të kënaqshëm, duke dëshmuar seriozitetin e grupeve e të artistëve pjesëmarrës. Çmimin e tretë të festivalit e mori Ansambli i Këngëve dhe i Valleve “Kastriotët” nga Ferizaji, çmimin e dytë e mori Ansambli “Mati” nga Burreli, ndërsa me çmimin e parë u stolis ShKA “Agimi” nga Prizreni. Çmimin special të Festivalit e fitoi QKA “Anamorava” nga Vitia. Me çmime, mirënjohje e medalje janë nderuar edhe shumë individë e grupe pjesëmarrëse. Urime të gjithë pjesëmarrësve e suksese të mëtutjeshme!

Kontrolloni gjithashtu

39 pemëtar ferizajas përfitues të spërkatsëve profesionale

Mbështetja për bujqit dhe fermerët ferizajas po vazhdon. Në kuadër të skemës mbështetëse për bujqit …