Sot në Bibliotekën Kombëtare, “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, u përurua libri, “Arsimtarët dëshmorë dhe martirë të rënë në luftën e Kosovës 1997-1999″, i autorëve Qazim Berisha e Zymer Mehani! Autorët, në këtë monografi kapitale, kanë prezantuar biografitë e mësuesve, arsimtarëve e profesorëve shqiptarë, të cilët ranë dhe u martirizuan, në luftë për çlirimin e Kosovës nga robëria serbe, në vitet 1997-1998. Po ashtu në këtë libër janë përfshirë edhe pjesëtarë të personelit të shkollave ku ata kanë punuar dhe të cilët janë vrarë e masakruar nga regjimi kriminal i Serbisë.
Krhas edicionit “Feniksët e lirisë” botuar deri tani në 18 vëllime ku janë përfshirë dhe do të përfshihen të gjithë dëshmorët e tri luftërave tona çlirimtare, libri, “Arsimtarët dëshmorë dhe martirë të rënë në luftën e Kosovës 1997-1999″, i autorëve Qazim Berisha e Zymer Mehani, përmbush një segment tjetër të ndriçimit të jetës së mësimdhënësve shqiptarë, të rënë dhe të viktimizuar nga regjimi shqiptar-vrasës i Serbisë.
Në fillim një fjalë për librin e mbajti, shkrimtari, publicisti e veprimtari, Bedri Tahiri i cili foli për vlerat dokumentare të këtij libri të veçantë ku janë prezantuar emrat e arsimtarëve, dëshmorë e martirë. Një fjalë rasti për librin e mbajti edhe Xheladin Mjeku në emër të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, i cili çmoi kontributin që kanë dhënë autorët: Qazim Berisha e Zymer Mehani. Një fjalë rasti për librin u paraqit pra të pranishmëve edhe ish Shefi i Konsullatës së Kosovës në Shtutgart të Gjermanisë, Imer Lladrovci. Ai foli për vlerat e librit, ku janë prezantuar arsimtarët dëshmorë e martirë së Kosovës. Pastaj me një fjalë para të pranishmëve në këtë përurim u paraqit edhe Liridon Berisha, djali i profesorit dëshmor, Selim Berisha. Në fund, një fjalë përshëndetëse për të pranishmit e mbajti autori i librit, shkrimtari, veterani i arsimit e publicisti, Qazim Berisha. Libri ka 668 faqe, botoi Radio Kosova e Lirë, në Prishtinë.