U përurua libri, “Dëshmi për Tivarin” i autorit, Haxhi Birinxhiku ( 16. 11. 2013 )

Në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare Universitare të Kosovës, në Prishtinë, u përurua libri i Haxhi Birinxhikut: “Dëshmi për Tivarin”. Ky libër nxjerrë  në dritë shumë rrëfime autentike të të mbijetuarve të Masakrës së Tivarit të vitit 1945, kur forcat partizane çetnike të Jugosllavisë kishin ndërmarrë një fushatë për zhdukjen dhe likuidimin e sa më shumë shqiptarëve të Kosovës.

Redaktori i librit, Ahmet Qeriqi foli për rëndësinë që ka ky libër dokumentar në zbardhjen edhe në disa segmente të Masakrës së Tivarit. Ai tha se Rrëfimet e këtyre të mbijetuarve janë dramatike, secili rrëfim është dramë apo roman në vete, janë rrëfime të njerëzve të kapur rob, ndërkohë që Beogradi zyrtar  i trajtonte si forcë “ e të mobilizuarve”, që kishin filluar të marshonin në viset e Jugosllavisë, në ndjekje të forcave gjermane, në tërheqje, në mars të vitit 1945. Realisht një segment i OZN-së, në lidhje me kreun ushtarak e politik të Beogradit në bashkëpunim me OZN-në në Kosovë kishte marrë vendim që në fushatën e mobilizimit, gjoja  për t’ i ndjekur forcat fashiste, të rekrutonin mijëra shqiptarë, të cilët do të vriteshin mizorisht gjatë marshimit të tyre në dy drejtimet e marshimit.  Formacioni i parë  gjoja me vullnetarë të mobilizuar  ishte nisur për në “Frontin e  Sremit” në Vojvodinë, ndërsa formacioni  tjetër, kishte marshuar në relacion: Kosovë-Shqipëri-Mal i Zi-Dalmaci-Rijekë…

Ndërsa, Sheremet Krasniqi në fjalën e tij para të pranishmëve tha se e  vërteta nuk mund të zhduket kurrë. Faktet historike, sado që fshihen, ato janë kryeneçe dhe një ditë dalin në dritë, me  gjithë forcën e argumenteve, siç është edhe libri që po e përurojmë sot i autorit Haxhi Birinxhiku. Janë këto rrëfime dokumentare të 21 të mbijetuarve, që flasin për aktet gjenocidale të ushtruara nga regjimi serbo-jugosllav mbi popullin e lashtë të Kosovës e të viseve të tjera të banuara me shqiptarë, me të vetmin qëllim shfarosjen e këtij populli dhe popullimin e këtyre viseve me elementin sllav. Rrëfimet e këtyre të mbijetuarve  janë rrëfime rrëqethëse, që të ngrijnë mishtë kur ata flasin, secili nga këndi i vet, për tmerrin që kishin përjetuar gjatë rrugës, për mbytjen e shokëve të tyre vetëm pse ndaheshin nga rreshti për të shuar etjen  ose kur rrëzoheshin për tokë të lodhur e të molisur nga rruga e gjatë pa ngrënë dhe pa pirë asgjë. Kulmi i kësaj tragjedie ndodh  te Monopoli i Duhanit, në Tivar,  kur nën pretekstin se një i ri, Syla nga Gllobari i Drenicës, e  kishte vrarë një roje serbe kur ai i kishte rënë me kondak pushke derisa po pinte ujë dhe kishte dashur ta vriste, por Syla ia nxjerr pushkën dhe e vret rojtarin. Në atë moment, shqiptarët duarthatë kositen me breshëri të shtënash nga të gjitha llojet e armëve të asaj kohe dhe nga të gjitha anët.

Një fjalë për librin e prezantoi edhe profesor, Bedri Shyti, i cili vlerësoi librin, duke përgëzuar autorin për punën që ka bërë në zbardhjen e kësaj pjese të dhembshme dhe të  paharrueshme të kombit tonë.

Në emër të familjeve të të mbijetuarve, para të pranishmëve në përurimin e librit foli, profesor doktor, Jusuf Vatoci, i cili falënderoi autorin e librit për punën dhe kontributin që ka dhënë në ndriçimin e këtyre të dhënave autentike, që flasin për tragjedinë e paharrueshme të Tivarit. Po ashtu ka evokuar kujtime për vëllanë e tij të mbijetuar të Masakrës së Tivarit edhe Salih Salihu.

Autori i librit, Haxhi Birinxhiku pasi përshëndeti familjarët e të mbijetuarve të Tivarit dhe pjesëmarrësit në përurimin e librit, foli për kushtet dhe rrethanat me të cilat ishte ballafaquar si gjatë kohës së grumbullimit të lëndës, ashtu edhe më vonë, deri në publikimin e librit. Në fund, luftëtari i lirisë, Rexhep Birinxhiku familjarëve të të mbijetuarve u shpërndau nga një ekzemplarë të librit: “Dëshmi për Tivarin”. / RKL / 16.11.2013

Ahmet Qeriqi: Një libër me rrëfime  autentike për  Golgotën e Tivarit

Të respektuar familjarë të të mbijetuarve të Masakrës së Tivarit, i nderuar autor i librit, të nderuar të pranishëm….

Libri dokumentar i Haxhi Birinxhikut, “Dëshmi për Tivarin”, të cilin po e përurojmë sot është një vepër e arrirë dokumentare, ku trajtohet kjo Masakër ende e panjohur sa duhet

I lindur dhe i rritur në Drenicë, Haxhi Birinxhiku qysh fëmijë kishte dëgjuar sa e sa herë për tmerret që kishin përjetuar shqiptarët e Drenicës dhe të Kosovës në Golgotën e njohur shqiptare.

Më vonë, në kohën e pjekurisë, pasi kishte kryer studimet, ai iu kishte kthyer një punë me rëndësi për historinë, jo vetëm të Drenicës por edhe të kombit në përgjithësi. Në vitet 90, të shekullit të kaluar, autori i këtij libri  kishte vizituar shumë të mbijetuar të Masakrës së Tivarit dhe kishte incizuar rrëfimet e tyre, në magnetofon. Pastaj, kohë pas kohe i kishte hedhur në letër.

Për hir të korrektësisë dhe autenticitetit të  rrëfimeve  ka ruajtur incizimet, në shirit magnetofoni, si dëshmi dokumentare për rrëfimet e të mbijetuarve. Në kohën e luftës së UÇK-së kur iu kishte përkeqësuar shëndeti dhe ishte detyruar të largohej nga vendi, shënimet i kishin mbetur në bibliotekën familjare, në Çubrel. Gjatë luftës, kur edhe ky fshat ashtu sikur krejt Drenica ishte përfshirë nga zjarri i forcave ushtarake e policore serbe, ai kërkon nga vëllezërit, luftëtarë të UÇK-së, që mundësisht, në mos më shumë,  të nxirrnin nga shtëpia materialet për Masakrën e Tivarit.

Pa vonuar, duke ditur vlerën dokumentare dhe historike të këtyre dëshmive, vëllai i tij, Rexhep Birinxhiku me disa bashkëluftëtarë, marrin përsipër rrezikun,  meqë forcat armike serbe ishin shumë afër. Një natë të caktuar ata  futen në shtëpi dhe i marrin materialet me dëshmitë e të mbijetuarve të Tivarit.

Rrëfimtarët, 21 prej tyre, në shumicë  janë nga Drenica por edhe nga vende të tjera të Kosovës. Ata janë shqiptarët që kanë përjetuar tmerret më të rënda në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa  krimet monstruoze të forcave komuniste jugosllave, janë faqja më e zezë dhe më e turpshme e historisë së tyre antinjerëzore, anti-qytetëruese.

Rrëfimet e këtyre të mbijetuarve janë dramatike, secili rrëfim është dramë apo roman në vete, janë rrëfime të njerëzve të kapur rob, ndërkohë që Beogradi zyrtar  i trajtonte si forcë “ e të mobilizuarve”, që kishin filluar të marshonin në viset e Jugosllavisë, në ndjekje të forcave gjermane, në tërheqje, në mars e prill të vitit 1945. Realisht një segment i OZN-së, në lidhje me kreun ushtarak e politik të Beogradit në bashkëpunim me strukturat ushtarake në Kosovë kishte marrë vendim që në fushatën e mobilizimit, gjoja  për t’ i ndjekur forcat fashiste, të rekrutonin mijëra shqiptarë, të cilët do të vriteshin mizorisht gjatë marshimit të tyre në dy drejtimet e marshimit.

Formacioni i parë  gjoja me vullnetarë të mobilizuar  ishte nisur për në “Frontin e  Sremit”, në Vojvodinë, ndërsa formacioni tjetër, kishte marshuar në relacion: Kosovë-Shqipëri-Mal i Zi-Dalmaci-Rijekë…

Dëshmitarët e  mbijetuar të Masakrës së Tivarit, të prezantuar në këtë libër janë: Asllan Hamit Malaj, Zeqir Halil Hamza, Tahir Ajet Paliqi, Zekë Fazlija, Shaban Miftar Pajaziti, Ahmet Murat Suhogërlla, Istref Shaban Çitaku, Hetem Hajzer Kuçani, Halil Jonuz Gashi (Suhogërlla), Tafë Hamit Dobra, Hasan Hazir Gashi, Islam Sherif Selmani, Ramadan Hamit Selmani, Daut Ahmet Shabani, Sylë Feriz Hajrizi – Kotorri, Isuf Halil Hajrizi, Selman  Shaban Jakupi, Imer Sefer Spahiu, Haki Biçku, Sylë Rexhep Vatovci dhe Çerkin Muharrem Salihu – Çollaku. Ata kanë shpalosur kujtimet e shumta dhe të mundimshme, ashtu sikur i kanë përjetuar mbi kurrizin e tyre.

Nga rrëfimet e këtyre shqiptarëve hetohet se mobilizimi ishte bërë me qëllim që ata të shfaroseshin në masë, dhe shfarosja të bëhej duke e mbajtur fshehtas nga opinioni. Pas shpartallimit të kryengritjes së Shaban Palluzhës, në dimrin e vitit 1945, OZN-a kishte marrë përsipër që sa më shumë shqiptarë liridashës t’i shfaroste në pretekst se kishin bashkëpunuar me kryengritësit. Prej vitit 1945 e deri në vitin 1950, regjimi jugosllav kishte vrarë, dëbuar nga vendi dhe internuar  dhjetëra mijëra shqiptarë. Krejt kjo bëhej me qëllim që numri i shqiptarëve në Kosovë dhe në viset e ri-mbetura nën pushtim, të zvogëlohej sa më shumë që ishte e mundur dhe në të njëjtën kohë të trevat shqiptare të nguliteshin kolonë serbë e malazez. Pikërisht me këtë qëllim ata iu vërsulen shqiptarëve për t’ i shfarosur me të gjitha format e metodat e mundshme.

Dëshmitarët, që kanë mbajtur  mbi kurriz “kryqin” në rrugën për në “Golgotën” e Tivarit, rrëfejnë se përcjellësit e tyre serbë e malazez  (tek-tuk ndonjë shqiptar trutharë), gjatë tërë rrugës i kishin keqtrajtuar, rrahur, por edhe i  kishin vrarë  shumë prej tyre, meqë i trajtonin si robër lufte. Gjatë rrugës atyre nuk iu kishin dhënë as ujë për të pirë, madje nuk i kishin lejuar të pinin ujë as në burimet që hasnin gjatë rrugës,  me qëllim që të revoltoheshin, sa për të pasur pak pretekst për likuidimin e tyre.

Që të gjithë dëshmitarët, dëshmitë e të cilëve janë prezantuar në këtë libër, kanë veçuar faktin se përcjellësit e armatosur nuk i linin të pinin ujë, edhe pse ata marshonin nëpër lugina lumenjsh, natyrisht edhe nëpër monopate, ku në çdo vend kishte ujë. Atyre nuk iu lejohej të pinin ujë edhe kur kalonin afër lumenjve. Kishte mjaftuar që një i ri, apo i moshuar,  të ishte ndarë nga marshimi për të pirë ujë dhe ishte likuiduar prapa shpine.

Gjatë rrugëtimit i kishin pushkatuar edhe të sëmurët dhe ata që nuk mund të ecnin, ose ndonjërin,  që për një arsye apo tjetër kishte ngelur prapa. 25 të tjerë i kishin pushkatuar në shenjë hakmarrje, sepse një i ri nga Drenica, me qëllim për t’ u mbrojtur ia kishte rrëmbyer pushkën e kthyer drejt tij dhe e kishte vrarë përcjellësin serb, që kishte bërë përpjekje ta vriste.

Rruga për në Golgotë kishte zgjatur afër dy javë, për disa të tjerë edhe një muaj e më shumë sepse shumica syresh ishin mbajtur nëpër kazerma deri në kohën e nisjes. Dy javë rrugë, pa bukë e pa ujë, të rrahur e të matretuar, duke fjetur  në natyrë të hapur, apo në magazina të rrënuara, në stalla kuajsh.

Grumbullin e parë të të përzgjedhurve për rrugëtimin e gjatë drejt vdekjes dhe torturave mizore  i kishin nisur nga Mitrovica, në drejtim të Vushtrrisë. Pastaj  kishin pritur në Lypjan deri sa kishin ardhur edhe shumë shqiptarë të tjerë nga Gjilani e Anamorava dhe të gjithë, këmbë i kishin nisur në drejtim të  Shtimes e prej andej drejt  Prizrenit, Morinës, Kukësit, Fushë-arrësit, Pukës, Vaut të Dejës dhe duke marshuar nëpër Shkodër, kishin arritur në Tivar.

Në çdo vend ku kishin ndaluar, gjatë rrugëtimit  deri në Prizren, forcat e OZN-së marshuesve drejt Tivarit, iu kishin bashkuar edhe shqiptarë të tjerë, nga po thuajse të gjitha viset e Kosovës, përveç nga Gjakova me rrethinë, sepse komunistët projugosllavë: Xhavit Nimani dhe Fadil Hoxha ishin përkujdesur për të vetët. Ata e dinin se për ku i kishin nisur shqiptarët e përzgjedhur nga të gjitha viset e Kosovës, në mesin e tyre edhe shumë të rinj nën moshën 18-vjeçare.

Në fund të këtij libri  dokumentar, autori, Haxhi Birinxhiku, ka prezantuar rrëfimet e të mbijetuarit,  Çerkin Muharrem Salihu, nga Dërvari i Vushtrrisë, i cili përveç se kishte përjetuar Golgotën e Tivarit, ai kishte përjetuar edhe vite të tëra, të tjera  të vuajtjeve deri në fund të jetës. Rrëfimi i të mbijetuarit, Çerkin Muharrem Salihu, është një dramë më vete, doemos se është drama më autentike e rrugëtimit të një njeriu, i cili  gjatë tërë jetës mbajti mbi supe vuajtjen dhe represionin sistematik të regjimit jugosllav, sidomos  prej vitit 1945, kur me rrobat e bëra shoshë nga plumbat i shpëtoi vdekjes, në Tivar dhe jetoi i arratisur për një kohë në Shqipëri, pastaj u kap dhe u kthye dhunshëm në Kosovën e okupuar nga Jugosllavia, ku ishte dënuar me burg shumëvjeçar.

Ishte i përndjekuri i përhershëm i regjimit okupator, vazhdimisht i keqtrajtuar deri në prill të vitit  1999, kur vdiq në mesin e popullatës së zhvendosur,  në agun e lirisë së Kosovës. Qenia fizike dhe shpirtërore e Çerkin Muharrem Salihut, e rrëfyer në veten e parë, është shumë më tepër sesa një rrëfim, është një dramë njerëzore, është tipizim karakteristik i qëndresës shqiptare në këto troje, i fillimit dhe i fundit tragjik, por edhe i qëndrestarit  të  pa epur dhe të pa nënshtruar….

Kolegut tim të studimeve dhe shokut të ngushtë, Haxhi Birinxhiku i dëshiroj shëndet dhe sukses në vazhdimin e veprimtarisë hulumtuese e krijuese.

Ju faleminderit!

Mr. Sheremet  Krasniqi: Dëshmi të të mbijetuarve të Masakrës së  Tivarit

 

Të nderuar pjesëmarrës të këtij përurimi, ju përshëndes të gjithëve !

Jemi tubuar sot këtu për të përuruar një libër shumë të veçantë, një libër që është i vogël për nga vëllimi, por shumë i madh për nga rëndësia historike. Po e përurojmë sot këtu librin “ Dëshmi  për Tivarin” të autorit Haxhi  Birinxhiku nga Çubreli i Drenicës.

Të nderur pjesëmarrës, tragjeditë po e përcjellin këtë popull me shekuj, herë nën Perandorinë Bizantine, herë nën atë Romake, herë nën atë Osmane, e së fundi nga  sllavët të ardhur në këto troje nga stepat e largëta të Azisë, këta stërnipër të ilirëve, të këtij populli të lashtë  qe dy a tre mijë vjet përpara Krishtit.  Këto tragjedi më së miri ilustrohen edhe me këto vargje të një kënge popullore:

                  Ktij populli kurrë s’iu nda gazepi                  

                  Shkoi njani, erdhi tjetri

                  Shum’ ma i zi i riu se i vjetri…

Kur i kujton gjithë këto pushtime e përpjekje të pareshtura të armiqve që ta zhduknin nga faqja e dheut këtë popull, është çudi se si mbetën gjallë shqiptarët , duke ruajtur  gjatë mijëra vjetëve edhe sot e kësaj dite gjakun e pastër arbëror, gjuhën dhe racën e tyre ?

Mikja e njohur  e shqiptarëve,  Mis Durham shkruante : “ Zotërimet e huaja kanë kaluar mbi kombin shqiptar pa lënë në të asnjë gjurmë, si uji që kalon në shpinë të rosës”

( Jakov Milaj, Raca shqiptare, Prishtinë, 1994, f.174).

     Një ndër ngjarjet më tragjike në historinë e popullit shqiptar është edhe Tragjedia e Tivarit , e cila ishte një vepër makabre  e përgatitur në mënyrën më perfide me qëllim të dobësimit të faktori t shqiptar në Kosovë e në Jugosllavinë që po formohej.

     Rrethanat politike që po zhvilloheshin  në Kosovë e në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk i jepnin shpresë popullit shqiptar për liri dhe për bashkim kombëtar , siç synonin ta realizonin forcat patriotike dhe intelektuale shqiptare.

      PKJ ishte kujdesur qysh në vitin 1941 që t`i shtrijë metastazat e mortajës, jo vetëm në Kosovë , e cila kishte qenë nën sundimin e Serbisë nga viti 1912, por ajo synonte , e në një farë mase edhe ia arriti qëllimit , që ndikimin e vet ta shtrijë edhe në Shqipëri. Sipas komunistëve jugosllavë, që nuk ishin gjë tjetër pos dorë e zgjatur e pansllavizmit rus, ishte momenti i duhur që në emër të “luftës antifashiste” të realizoheshin planet e moçme të Naçertanijes, që parashihte zhbërjen e Shqipërisë e të shqiptarëve dhe sigurimin e daljes së Serbisë në det.

       Komunistë shqiptarë të kësaj pjese të Shqipërisë, siç do të shihet më vonë, tërë jetën e tyre do të jenë vasalë të Titos, Rankoviqit dhe padronëve të tjerë të Beogradit, duke i shtypur shqiptarët me masa represive deri në shfarosje.

      Pranimi i ideologjisë komuniste dhe gjetja e argatëve shqiptarë, që do ta përulnin deri në varr idenë e bashkimit kombëtar dhe çlirimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare nga okupimi serb, janë fazat përgatitore për shumë tragjedi, që do të ndodhin në Kosovë gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, ndër të cilat më e përgjakshmja dhe më mizorja ishte edhe Tragjedia e Tivarit.

    Shkaku i dytë që iu mundësoi kriminelëve serbë t`i realizojnë planet e tyre të shfarosjes së shqiptarëve ishte bashkëpunimi i disa shqiptarëve me serbo- jugosllavët, kinse për një barazi internacionale. Sado që të këtillët ishin pak, ata iu shkaktuan dëme të mëdha shqiptarëve. Ky faktor shqiptar u bë vegla kryesore në duart e çetnikëve serbë me ngjyrim komunist, të cilët e bindnin popullin ose i detyronin të rinjtë shqiptarë të “mobilizohen në luftë kundër fashizmit” në mënyrë që t`i largonin nga Kosova e pastaj t`i likuidonin.

      Për t`i detyruar shqiptarët për mobilizim dhe për ta siguruar ripushtimin e Kosovës, Serbia kishte sjellë në Kosovë rreth 50.000 mijë ushtarë , si ushtri jugosllave, që nuk ishin gjë tjetër vetëm çetnikë të konvertuar në partizanë , sa për sy e faqe.

   Pas tërheqjes së forcave gjermane nga Kosova, nga 23 nëntori i vitit 1944 kishte filluar gjuetia mbi shqiptarët, duke i akuzuar ata si bashkëpunëtorë të fashizmit. Edhe kur shqiptarët në një mënyrë a tjetër mobilizoheshin në brigadat partizane , nga qarqet zyrtare serbe , pra edhe zyrtarisht vlerësoheshin si “kriminel” ndaj të cilëve nuk duhet pasur kurrfarë besimi , por as mëshirë ndaj tyre.

     Të mobilizuarit e parë shqiptarë janë nisur për në Frontin e Sremit më 12 janar 1945, në tre eshalonë me nga 2500 veta. Ishte planifikuar që deri në fund të janarit të atij viti të mobilizohen 11 mijë veta. Në krye të këtyre eshalonëve ishte ndonjë shqiptar, ose serb, të cilët e flisnin shqipen, sa për t`i mashtruar të mobilizuarit shqiptarë. Të mobilizuarit ishin të veshur dobët e dimri ishte shumë i ashpër, ishin të uritur dhe të paarmatosur, edhe pse ishin nisur të shkojnë në luftë.

      Intelektuali e patrioti i madh profesor Ymer Berisha njoftonte ambasadorin anglez në Tiranë se vetëm deri më 11 shkurt 1945 në Kosovë ishin vrarë në mënyrën më mizore 15. 000 shqiptarë, të gjithë masakruar në shtëpitë e tyre nga forcat serbo-jugosllave.

      Për të qenë likuidimi i shqiptarëve i “legalizuar”, më 8 shkurt 1945 në Kosovë u shpall shtetrrethimi ose, siç thuhej,  Kosova u fut nën administrimin ushtarak, sipas të cilit për t`i luftuar shqiptarët lejoheshin të gjitha mjetet dhe mënyrat, pa dhënë përgjegjësi askush. Pra, ishte përsëritur gjendja e jashtëzakonshme e vitit 1913, kur Serbia e kishte aprovuar Ligjin mbi shfarosjen e shqiptarëve.

      Vrasja e pafajshme e popullsisë civile, masakrimet e grave e të fëmijëve, likuidimi publik  para familjarëve të njerëzve me autoritet , i kishin detyruar shqiptarët të ngriheshin në kryengritje të armatosur, si ajo në Ferizaj, Gjilan dhe Kryengritja historike e Drenicës nën udhëheqjen e Shaban Palluzhës. Në realitet, Kryengritja e Drenicës kishte bashkuar Kosovë e Dukagjin dhe gjithë shqiptarët e trojeve etnike, që kishin mbetur  nën Jugosllavinë, për të kundërshtuar me forcë se nuk pajtoheshin me okupimin serb. Mirëpo, në rrethanat e atëhershme ndërkombëtare, kur Jugosllavia e Titos kishte një përkrahje të madhe,  shqiptarët e Kosovës dhe të viseve  të tjera etnike  ishin të pafuqishëm për ta ndërruar gjendjen e krijuar. Kështu Jugosllavia , e cila nuk ishte gjë tjetër vetëm një sinonim i Serbisë së Madhe , i kishte duart e lira për krime si ato në Tivar, Trogir, Srem etj.

      Por ja, e vërteta nuk mund të zhduket kurrë. Faktet historike, sado që fshihen, ato janë kryeneçe dhe një ditë dalin në dritë, me  gjithë forcën e argumenteve, siç është edhe libri që po e përurojmë sot i autorit Haxhi Birinxhiku. Janë këto rrëfime dokumentare të 21 të mbijetuarve, që flasin për aktet gjenocidale të ushtruara nga regjimi serbo-jugosllav mbi popullin e lashtë të Kosovës e të viseve të tjera të banuara me shqiptarë, me të vetmin qëllim shfarosjen e këtij populli dhe popullimin e këtyre viseve me elementin sllav. Rrëfimet e këtyre të mbijetuarve  janë rrëfime rrëqethëse, që të ngrijnë mishtë kur ata flasin, secili nga këndi i vet, për tmerrin që kishin përjetuar gjatë rrugës, për mbytjen e shokëve të tyre vetëm pse ndaheshin nga rreshti për të shuar etjen  ose kur rrëzoheshin për tokë të lodhur e të molisur nga rruga e gjatë pa ngrënë dhe pa pirë asgjë. Kulmi i kësaj tragjedie ndodh  te Monopoli i Duhanit, në Tivar,  kur nën pretekstin se një i ri, Syla nga Gllobari i Drenicës, e  kishte vrarë një roje serbe kur ai i kishte rënë me kondak pushke derisa po pinte ujë dhe kishte dashur ta vriste, por Syla ia nxjerr pushkën dhe e vret rojtarin. Në atë moment, shqiptarët duarthatë kositen me breshëri të shtënash nga të gjitha llojet e armëve të asaj kohe dhe nga të gjitha anët. Dëgjohen vetëm vringëllima armësh , britma e gjëmë të të plagosurve. “Oh çfarë kiameti, rrëfen Istref Shaban Çitaku i Çubrelit të Drenicës. A thua do të dalë në dritë kjo kasaphanë ndonjëherë, o zot i madh ?”

  Një meritë të veçantë, ndoshta edhe më të madhe se të autorit, që sot ne e kemi në duar këtë libër,  ka vëllai i tij Rexhep Birinxhiku bashkë me disa luftëtarë të UÇK-së, të cilët arritën t’i nxirrnin materialet e Masakrës së Tivarit nga shtëpia e tij në Çubrel kur edhe ky fshat, sikur krejt Drenica, ndodhej i rrethuar nga një unazë e hekurt nga forcat ushtarake e policore serbe. Po të mos ishin këta, ne sot nuk do ta kishim në duar këtë libër. Ushtria jugosllave dhe OZN-a i shndërruan trevat shqiptare në një kasaphanë të vërtetë. Shumë të rinj shqiptarë të mobilizuar në brigadat kosovare ose në radhët e njësive të tjera u likuiduan prapa shpine.

Për të zbatuar terror e gjenocid mbi popullin shqiptar, udhëheqja jugosllave , të ndihmuar edhe nga kuislingët shqiptarë, mobilizoi me dhunë lulen e rinisë të shqiptarëve , duke i dërguar ata jashtë Kosovës kinse “ në luftë kundër trupave gjermane”.

E gjithë kjo lemeri ndaj këtyre eshalonëve të vdekjes

bëhej me qëllim për të zhdukur autoktoninë mijëravjeçare të shqiptarëve  në trojet e tyre etnike. Në Kosovë u bënë krimet nga më të përgjakshmet që i njeh historia e njerëzimit. U tentua shfarosja me paramendim e një populli të tërë. Masakrën e Tivarit populli e quajti “varri më i madh i shqiptarëve”, ndërsa poetët e shkrimtarët thurën vargje:

                     Heu sa gjaku po derdhet

                  Po derdhet këtë natë

                  Nga gjakpirësit e vjetër

                  Mbi popullin duarthatë… 

                            ( Mustafë Shyti) 

Këtë masakër do ta mbulonte pluhuri i harresës historike po të mos ishin këto rrëfime rrëqethëse të të mbijetuarve, që na i ka sjellë sot këtu në këtë libër Haxhi Birinxhiku. Eh, po të vepronin kështu edhe të tjerë si Haxhiu, nga vise të tjera, të shënonin në shirit magnetofoni rrëfimet e të mbijetuarve, do të kishim një pasqyrë më të plotë për këtë masakër.

Unë sot po ju rrëfej një rast, që lidhet me këtë tragjedi:

Në fshatin Karvanseri të komunës së Malishevës ka jetuar deri vonë nënëlokja Begishe, djali i vetëm i së cilës, Avdyl Bytyçi, kishte mbetur në Masakrën e Tivarit. Ajo ia kishte kushtuar një këngë djalit të vet   dhe atë këngë e këndonte  për  çdo mëngjes me zë të ulët duke i kryer punët e shtëpisë dhe duke u sjellë rreth oborrit. Vargjet e kësaj kënge fillonin që nga momenti kur e kishte nisur për në “ushtri” në një mëngjes të ftohtë e deri në ditën kur do ta priste krahëhapur të gjallë në shtëpi. Ajo e mori me vete në varr këtë këngë. Askush  s’e shënoi !  Edhe sot e ndiej veten fajtor që s’arrita ta shënoj këtë këngë, duke e pasur këtë nënëloke mikeshë shtëpie !?

Do t’i them edhe këto radhë:

Plagët e rënda në shpirtin shqiptar ende kullojnë gjak, ato ende janë të thella e të freskëta. Si të priten serbët krahëhapur derisa nënat shqiptare presin me lot e pikëllim eshtrat e bijve të tyre, viktima të gjenocidit serb, që na i sjellin nga varret masive në Serbi. “Popujt falin, por nuk harrojnë”, dhe as shqiptarët nuk kanë për ta harruar kurrë Masakrën e Tivarit dhe terrorin që u ushtrua mbi këta të rinj, që, siç thuhet, ende s’i kishin rënë brisk fytyrës.

Të gjithë këta që mbijetuan këtë tragjedi e që janë paraqitur në këtë libër vdiqën, siç thuhet, pa e parë Kosovën të lirë, të çliruar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Krejt në fund, autorit i uroj shëndet dhe përgëzime për këtë libër, po presim që edhe në të ardhmen të na befasojë me ndonjë  libër  të tjetër.

Fjala e profesor, Bedri Shytit me rastin e përurimit të librit: “Dëshmi për Tivarin”

Të nderuar vëllezër dhe motra!

Të nderuar dhe të respektuar familjarë të martirëve të tragjedisë së Tivarit!

I nderuari autor i librit, “Dëshmi për Tivarin”, miku im, Haxhi Birinxhiku!

 “ Libri është i vetmi kopsht, që mbillet për të tjerët”   (Shekspiri)

                Sot, këtu  në këtë tempull të bukur të dijës dhe të kulturës sonë, na bashkoi autori i librit, ”Dëshmi për Tivarin”me 21 dëshmitarët e mbijetuar, vëllezër dhe baballarë, gjyshër dhe stërgjyshër tanë nga Çubreli, Turiqevci, Hogoshi, Krusheci, Kastrioti, Cërnusha, Kotorri, Baksi, Novolani, Klina dhe Druari që përjetuan ferrin serbo-malazez në Tivarin e kobshëm.

                 Në vitin 1994 m’u dha rasti të shoqëroj autorin e librit, H. Birinxhiku kur intervistoi dhe incizoi me orë e ditë të tëra me krye-personazhin e librit, Çerkin Muharrem Salihu-Çallaku nga Druari i Vushtrrisë. Kisha kënaqësi të veçantë kur dëgjoja bisedën e autorit me rrëfimtarin, me mënyrën e qasjes në dialog dhe me krijimin e raporteve shumë të mira autor –tregimtar .Ky ishte edhe një hap i sigurt drejt suksesit të veprës.

                Autori, Birinxhiku ishte shumë i kujdesshëm në stilin e bisedimit, i qartë dhe domethënës në pyetjet e tij si dhe shumë  i matur në ndërhyrjet e tij përball tregimtarit.

                Rrëfimtari, Çerkin Muharrem Salihu kishte një sens të rrallë oratori i cili me rrëfimet e tij, gjithnjë, sillte befasi të reja dhe interesante për dëgjuesin.

                Prandaj, autori H. Birinxhiku  me veprën e tij u bëri një nder të veçantë familjeve të të masakruarve të Tragjedisë së Tivarit,lau një borxh ndaj martirëve të kësaj tragjedie dhe   vuri një gur në kështjellën e madhe të qëndresës dhe sakrificës së popullit tonë nëpër shekuj.

                Me këtë rast Autorit i dëshiroj shëndet të mirë dhe suksese në krijimtarinë tij letrare e publicistike,nga pena e të cilit presim edhe vepra të tjera.

                Në këtë mes një meritë dhe falënderim i veçantë i takon familjes së autorit,qoftë për ndihmesën që dha gjatë përpunimit të librit qoftë në organizimin e kësaj ngjarjeje kulturore.

   Fjalën time përshëndetëse po e përmbylli me vargjet e poezisë”Viktimave të Tivarit” të poetit Mustafë Shyti nga Ashlani-dëshmor i kombit,i frymëzuar nga vepra e parë e shkruar për tragjedinë e Tivarit nga autori, Azem Hajdini – Xani më 1990:

Andej shkëmbinjve t’thepisur,

Andej një rrugë e rëndë e jetës,

Karavani i njerëzve t’molisur,

Ecnin drejt vdekjes.

Pyes: a ka Zot ?

Ku është drejtësia

A mbet kush gjallë?

A ka fund tradhtia ?!

Nënë,Ti qaj,

Nënë, Unë vuaj,

Toka ime e lashtë.

Toka ime e huaj.

Para se të largohem nga foltorja dua ta theksoj një borxh të madh kombëtar ndaj Tragjedisë së Tivarit,për të cilën ende nuk ekziston asnjë lapidarë apo monument meritor.Kjo duhet të trokas në ndërgjegjen e secilit në veçanti të institucioneve  tona shtetërore.

Ju falënderoj për vëmendje

Fjala e Haxhi Birinxhikut, autori i librit, “Rrëfime për Tivarin”,  me rastin e përurimit, më 16 nëntor 2013

Të nderuar motra dhe vëllezër,

Të nderuar familjarë të të mbijetuarve të Masakrës së Tivarit të përmendur në librin Dëshmi për Tivarin,

Të nderuar të pranishëm

Këto rrëfime dhe kujtime të të mbijetuarve të Golgotës shqiptare të quajtur Masakra e Tivarit I  kam regjistruar  në magnetofon gjatë viteve 1991 – 1994. Nuk kam bërë ndonjë përzgjedhje te posaçme në mesin e atyre që i kam intervistuar dhe me secilin prej tyre kam biseduar veç e veç.

Rrëfimet e këtyre njerëzve të vuajtur janë hedhur në letër ashtu siç janë treguar. Nuk kam  ndërhyrë në asnjë segment dhe rrëfimet kanë rrjedhur lirshëm ashtu siç i kanë treguar vetë ata. Pra ato nuk janë  ndryshuar,  nuk janë zmadhuar, shtrembëruar apo komentuar nga ana ime. Janë  krejtësisht autentike. Për këtë kam dëshmi regjistrimet zanore. Dhe si  të tilla këto rrëfime  kanë vlera dokumentare

Janë ngjarje të përjetuara, por  të rrëfyera pas 50 vjetësh.

Këto kujtime në dukje të pare i përngjasin njëri tjetrit, por kur lexohen me vëmendje  vërehen dallime dhe veçanti që plotësojnë mozaikun e vrazhdë të kësaj Masakre makabre.

Gjatë bisedave me të mbijetuarit e intervistuar të Masakrës së Tivarit,  që ka lënë gjurmë të thella në kujtesën tonë historike, ata iu riktheheshin me vështirësi ngjarjeve të përjetuara, për të mos thënë i shmangeshin përshkrimit të tyre. Kur ngulmoja që ata të ndaleshim pak më shumë në përshkrimin e çasteve të tyre më të vështira, më dukej sikur i mundoja, e në raste të veçanta – sikur i torturoja, dhe s ‘ka sit ë mos jetë kjo një torture për ta, kur atyre u kërkohej të rihapnin dyert e ferrit nëpër të cilin kishin kaluar.

Të gjithë këta të intervistuar, të mbijetuar të Masakrës së Tivarit ,

të paraqitur në librin Dëshmi për Tivarin, nuk jetojnë më.

Edhe sot kur po i shkruaj këta rreshta më dalin parasysh fytyrat e vuajtura këtyre të mbijetuarve të Masakrës së Tivarit. Tek  bisedoja me ta për këtë ngjarje  makabre në   shikimet e tyre vërehej ankthi, trishtimi,  tmerri. Flisnin  ngadalë, pa dëshirë ,me një zë që u dilte nga thellësia e shpirtit, e një shpirti të trazuar, të shqetësuar dhe të zhgënjyer.  Këta kishin mbijetuar Masakrën, por jo edhe Kalvarin e vuajtjeve që i kishte përcjellë deri në vdekje.

Disa prej këtyre rrëfyesve kishin përjetuar edhe Golgotën e fundit të pushtuesve serbë të viteve 1998 – 1999 por kësaj radhe nuk do ta mbijetojnë atë, siç janë për shembull,  Islam Selmani nga Mitrovica, që vritet dhe masakrohet bashkë me shumë shqiptarë të tjerë nga forcat ushtarake të pushtuesit serb gjatë pranverës së vitit 1999 në Mitrovicë.  Barbarët sllave ua kishin zhdukur kufomat. Mbetjet mortore të Islam Selmanit janë gjetur sivjet në një varrezë të përbashkët në Mitrovicë dhe janë rivarrosur në Varrezat e Dëshmorëve në Mitrovicë.

Ose  siç është rasti i Çerkin Muharrem Salihu nga Dërvari i Vushtrrisë. Çerkini kishte mbijetuar Tivarin, arratisjet e shumta, 8 vjet burg nëpër burgjet famkeqe të Jugosllavisë dhe përndjekjet e vazhdueshme të pushtetit të vëllazërim – bashkimit. Xha Çerkni kishte përjetuar terrorin e grahmave të fundit të mbretërisë së ferrit –pushtuesit serb, por nuk kishte arritur t’i mbijetojë kësaj barbarie të fundshekullit të kaluar në mjedis të Evropës. Ai mbyll sytë më 13 prill të vitit 1999 duke qenë në  zhvendosje të vazhdueshme nga ndjekjet dhe bombardimet e pandërprera  të pushtuesit. Bacë Çerkini kishte lënë këtë botë  me sy çelë të drejtuar kah  Bjeshkët e  Shalës së Bajgorës prej nga vinte oshtima e pushkëve çlirimtare të UÇK-së  ku luftonte  edhe djali i tij i vetëm Haliti.

Zonja dhe zotërinj

Më lejoni ta mbyll këtë fjalë rasti me thënien dhe profecinë e njërit prej të mbijetuarve të Tivarit  – të SYLË REXHEP VATOVCIT, që kishte vdekur më 1996. Tri ditë para vdekjes  Syla kishte deklaruar:

         ”U Linda në robëri,

         U martova dhe krijova familje në robëri,

         Po shkoj nga kjo botë  dhe po e lë Atdheun në robëri.

         Po shkoj me sy çelë për dritën e  lirisë, por besoj se nuk do të 

         vonojë shumë dhe liria do të vijë.”

Në fund iu jam mirënjohës përjetësisht bashkëbiseduesve të mi, të mbijetuarve të Tivari, që më dhanë mundësinë t’i marr kujtimet e tyre për këtë ngjarje makabre edhe atëherë kur ata ishin në gjendje të rëndë shëndetësore.

 Falenderoj redaktorin e librit profesor Ahmet Qeriqin për sugjerimet, ndihmën dhe vlerësimin që i ka bërë librit.

Falënderoj mr. Sheremet Krasniqin për vështrimin shterues dhe interesant të librit.

Falënderoj profesor Bedri Sytin për vlerësimin e punës sime si dhe për ndihmën  e tij të çmuar duke me shoqëruar në disa prej këtyre intervistave si dhe për mbështetjen e tij morale  gjatë gjithë punës sime lidhur me këtë libër.

Qofshi të falënderuar të gjithë ju të pranishëm që keni gjetur kohë të merrni pjesë në këtë përurim.

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Në vazhdim të realizimit të projektit për botimin e monografisë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare …