U përurua libri publicistik: “Qëndrime në kohë IV”, i dr. prof. Shefqet Krasniqit

Në sallën e Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, më 7 maj 2014 janë përuruar vëllimi i tretë dhe i katërt i librit publicistik, “Qëndrime në kohë” i autorit dr. Shefqet Krasniqi. I pranishëm në përurim ishte kryemyftiu i Kosovës, Naim Tërnava, dekani i Fakultetit të Studimeve Islame, Qazim Qazimi, profesorë e studentë të shumtë. Për dy librat e dr. Shefqet Krasnqit folën, dr. Qazim Qazimi, Fadil Maloku, Ahmet Qeriqi dhe Albatros Rexhaj.  

Angazhimi dhe aktiviteti fetar e shoqëror i Mulla Shefqet Krasniqit tashmë është bërë pjesë e shoqërisë sonë, ndërsa emri i tij është bërë i njohur, në radhë të parë për qëndrimin e tij konsekuent, (mbështetur fuqishëm në islamin burimor dhe në interpretimin realist të Kur-anit e Hadithit), por edhe reagimi që ka shkaktuar dhe po shkakton një qëndrim i tillë, te një pjesë e opinionit, të disa medieve dhe shoqërisë civile. Në këtë mes mulla Shefqeti nuk është i vetmi i sulmuar por është shënjestra kryesore, ku shigjetojnë  injorantët dhe hipokritët. Në katër vëllimet e botuara deri tani të shkrimeve, analizave, komenteve e vështrimeve, me titull “Qëndrime në kohë”, doktor, profesor Shefqet Krasniqi, ka segmentuar dhe ka trajtuar problemet themelore me të cilat ballafaqohet shoqëria shqiptare sot, veçmas në Kosovë në raport me fenë, politikën, mediet dhe qytetarët…

Fushata verbale kundër islamit në Kosovë e mbështetur fuqishëm nga mediet me prejardhje titiste, komuniste, kryesisht dhe përgjithësisht është luftë e medieve, dhe aspak e qytetarëve të Kosovës, qofshin ata myslimanë, apo të krishterë. Kjo, ta quajmë luftë, është e njëjtë, ashtu sikur  ishte dhe po mbetet në shënjestër të medieve të tilla, edhe lufta sistematike kundër UÇK-së, e cila rezultoi me një Tribunal ndërkombëtar dhe lufta e pandërprerë kundër çlirimtarëve të vendit.

Që në fillim duhet të kemi parasysh se mediet e kontrolluara nga mercenarët, nga mujsharët politikë dhe nga grupet e interesit nuk e pasqyrojnë realitetin objektiv, as zhvillimet afirmative të qytetarëve të Kosovës. Ato pasqyrojnë  vetëm synimet e tyre, në përpjekje  për ta diskredituar një fenomen, apo dukuri të caktuar dhe për t’i dhënë përkrahje fenomenit apo dukurisë tjetër. Fushata, apo edhe disponimi anti islam i disa medieve të caktuara,  nuk mund të merret si parametër për të matur pulsin e shoqërisë, sepse jo vetëm njëherë deri tani është vërtetuar se ndryshe përcaktohet dhe shprehet opinioni publik, e krejt ndryshe interpretohet në medie të caktuara, sidomos në mediet e njohura për qëndrime sensacionale, përhapje të gënjeshtrave, krijim të insinuatave, deformim dhe copëtim të informatave, shkaktim të skandaleve dhe gjuhë të ndragur e fyese, madje jo rrallë  edhe mungesë elementare të moralit njerëzor, fetar e kombëtar.

Këto janë disa nga karakteristikat degjeneruese të segmenteve të medieve dhe të ashtuquajturës shoqëri civile, e cila bën kujdestarin e mbrojtjes së interesave vetjake, grupore, por në asnjë mënyrë të interesave kombëtare dhe fetare në vendin tonë.

Përpjekjet, që bëjnë disa medie për shtrembërimin e fakteve, sidomos gatishmëria e tyre për ta identifikuar dhe për ta lidhur islamin me rrjetet e ndryshme terroriste dhe thjesht për ta paraqitur islamin si fe të dhunës, bëhen me qëllim diskreditimi nga ata, që i financojnë këto medie, në kohën kur në Kosovë veprojnë  jo më pak se 30 apo 40 shërbime të huaja, por edhe shërbime shumë të sofistikuara nga Serbia, të cilat derdhin para të majme për ta deformuar realitetin dhe për ta minuar shtetin e ri të Kosovës, duke pretenduar ta paraqesin si shtet fundamentalist, madje-madje duke e lidhur edhe me Al-Qaidën.

Policia e Kosovës, jo vetëm njëherë ka kapur agjentë të huaj në vepër, duke bërë përpjekje për të vënë mina në institucionet tona, dhe i ka liruar kriminelët me urdhër nga një shtet i fuqishëm. I ka zënë trafikantët serbë duke u ofruar nga 10 mijë e më shumë euro për deklarata të instruktuara për trafikim organesh. Edhe këto raste janë heshtur, por nuk heshtën rastet kur ndonjë i ri nga Kosova shkon për të luftuar në Siri. Përkundrazi, pjesa më e madhe e medieve lajmin e plasojnë me fushatë anti-islame dhe me një histeri të sëmurë dhe krejtësisht jo njerëzore.

Këto dhe dukuri të kësaj natyre e kanë shqetësuar dhe e shqetësojnë me të drejtë doktor Shefqet Krasniqin, i cili në vëllimin e katërt  të librit të tij publicistik, “Qëndrime në kohë” ka botuar kritika, komente e vështrime lidhur me problemet e caktuara fetare, shoqërore, historike, morale e përgjithësisht ka trajtuar problemet e shumta dhe të ndryshme, me të cilat ballafaqohet shoqëria jonë, e sulmuar nga të gjitha anët. Kur thashë  se mulla Shefqeti shqetësohet me të drejtë për problemet të cilat na preokupojnë, dua që në fillim të sqaroj  se komunikimi  me disa medie të caktuara, të orientuara në mënyrën më ekstreme kundër islamit  është njësoj sikur të bësh përpjekje të fusësh në jastëk pendlat e derdhura nga pakujdesia. Si hoxhë dhe përhapës i fjalës së Kuranit e hadithit, si burrë trim dhe zemërgjerë,  mulla Shefqeti në shkrimet e tij duket se shqetësohet tejmase për gjëra, për  të cilat kemi edhe ne shqetësimet tona, por përpjekja për t’i bindur të pa diturit, hipokritët, mediokritet, sharësit, gojë-ndytët, nuk është e lehtë dhe nuk ka qenë kurrë e lehtë. Nuk ka qenë e lehtë, as për profetët, as për profetin Muhamed. Unë mendoj se nuk duhet të merremi  shumë me të tillët, sepse ata mezi presin që dikush të merret me ta, sepse ky është qëllimi i vetëm i tyre, sepse vetëm në këtë mënyrë ata e arsyetojnë punën, që bëjnë  para padronëve të së keqes.  Nuk thuhet kot se qymyri edhe kur nuk të djeg, të nxin, sepse i zi është. Është e pamundur t’i mbyllet goja çdo gojëndyri të gazetave, edhe për faktin sepse është punë e kotë dhe krejtësisht e padobishme.

Mosnjohja e fondamenteve fetare, është karakteristikë e pjesës dërrmuese të analistëve tanë, që merren me këtë segment. Kjo bën që ata të krijojnë sterotipe, qasje të gabueshme, sepse injoranca e tyre nuk i lejon të shohim më larg sesa kanë aftësitë e tyre arsimore apo mentale. Të tillët, mjerisht në mesin e tyre edhe analistë me zë, shfaqen qesharakë kur mëtojnë ta trajtojnë një problem apo një fenomen sikur është për shembull “çështja e shamisë”, e cila është bërë “mollë sherri” kryesisht nga mediet dhe nga qarqet, që nuk kanë njohuri themelore për fetë, aq më pak për islamin. Çështja e veshjes në islam nuk është çështje zakoni, dokeje apo kulture, por çështje fondamenti dhe si e tillë ajo është pjesë e pandarë e islamit, është pako që lidhet me përkatësinë fetare dhe nuk lejohet ndryshe, edhe pse realiteti paraqitet, në shumë raste edhe ndryshe. Veshja islame është tradicionale gati e njëjtë me veshjen e murgeshave. Nuk mund të pranohet në radhën e murgeshave askund në botë një femër me veshje ekstravagante, apo me kraharor të  zbuluar.

 Në këtë mes, çështja e mbartjes së shamisë për femrat nëpër shkollat tona  është kuptuar ndryshe në vendin tonë, ashtu sikur edhe në shumë vende islame. Pavarësisht nga kjo praktikë shumëshekullore, femrat islame në botë, po flasim për kohën e sotme, ka mjaft të tilla që nuk e përfillin këtë kod fetar islam, ashtu sikur ka shumë myslimanë, kudo në botë, që nuk arrijnë ta praktikojnë fenë, por nuk mund të thuash se ata nuk janë myslimanë, përderisa nuk përcaktohen ndryshe.

Nuk mund të thuhet se femrat islame, që nuk e praktikojnë mbulimin e kokës me shami, qofshin të mitura apo të rritura,  nuk janë besimtare dhe nuk janë islame, sepse çështja e një fondamenti dhe e një praktike, në të shumtën e rasteve nuk shkojnë bashkë. Pikërisht për këtë, çështja e bartjes së shamisë ndër ne, por edhe në disa shtete të botës, po interpretohet si çështje e të drejtave dhe lirive njerëzore. Përderisa një vajze, madje edhe adoleshente  i lejohet fustani i shkurtër, ekspozimi i kraharorit madje edhe i kërthizës, i lejohet veshja krejtësisht ekstravagante, përse nuk lejohet fenomeni tjetër, në këtë rast i kundër “ekstravagancës”. A ka njeri normal me arsim dhe edukatë fetare apo patriarkale, që dukurinë morale të mbulesës së kokës me shami e quan të dëmshme, ndërsa krejt normale i duket ekspozimi i trupit lakuriq apo gjysmë lakuriq i një femre? Atëherë si  ta komentojmë veshjen e murgeshave kudo në botën e krishterë, të pranueshme apo të papranueshme.

 

Problemet të cilat i ka marrë në shqyrtim Mulla Shefqeti në vëllimin e katërt të librit; “Qëndrime në kohë” janë të shumta dhe të llojllojshme por preokupimi më i shprehur ka qenë dhe mbetet çështja e shamisë dhe futja e mësim besimit në shkollat tona, nevoja imediate për më shumë xhami, mos pengimi i kryerjes së detyrimeve fetare në vendet publike etj., probleme këto për të cilat shfaqin shqetësim të gjithë myslimanët jo vetëm në Kosovë, por edhe në shumë vende të tjera. Përveç këtyre çështjeve e problemeve dr. Shefqet Krasniqi në librin e tij  ka trajtuar tema  të shumta shoqërore por edhe ndërkombëtare si qëndrimi i Vatikanit ndaj Kosovës, tradhtia e luftës së drejtë në Siri kundër  diktatorit Asad, “revolucionet” po ashtu  gati të dështuara të botës arabe, çështja e shpifur e  vehabizmit në Kosovë,  korrupsioni që ka kapluar të gjitha poret e shoqërisë,  festat pagane, roli konstant, antishqiptar i Kishës Ortodokse serbe dhe tema të tjera të aktualitetit ndër ne dhe në botë. Analizat e komentet janë të shkruara me përkushtim, me një gjuhë të pastër e të rrjedhshme që kuptohen lehtë, me porosi të qarta njerëzore e fetare, pa ngarkesa e tepri në interpretim të problemeve të caktuara.  

Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Në vazhdim të realizimit të projektit për botimin e monografisë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare …