U përurua objekti i ri i shkollës në Lladrovc

Sot, në prag të shënimit të 16 Qershor-Ditës së Dëshmorëve dhe Ditës së Çlirimit të Malishevës dhe një ditë para fillimit të procesit mësimor për klasat e nënta, është hapur edhe një objekt i ri shkollor në Komunën e Malishevës. Nga sot, nxënësit e shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Afrim Buçaj” në Lladrovc, do të mësojnë në objekt të ri shkollor dhe në kushte moderne të mësimit. Ndonëse për shkak të situatës me pandemi, u organizua një ceremoni e thjeshtë e përurimit, në këtë ceremoni morën pjesë, familje të dëshmorëve nga fshati Lladrovc, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, nënkryetari Hajdin Berisha, drejtori i DAE, Blerim Thaçi, qytetarë të Lladrovcit, mësues dhe nxënës të kësaj shkolle. “Ne sot po përurojmë edhe një objekt të ri shkollor, në një fshat me traditë të hershme në arsimin shqip. Ju keni dhënë shumë kuadro nga kjo shkollë dhe jam shumë i kënaqur që sot po bëjmë përurimin e kësaj shkolle, duke kërkuar në të njëjtën kohë nga ju mësimdhënës që të punoni shumë, në rritjen e cilësisë në arsim, pasi me cilësi të arsimit rritet zhvillimi dhe kështu zhvillohet edhe vendi, prandaj punoni për zhvillim, ndërsa ne do të vazhdojmë me investime në arsimin e komunës sonë. Kontributi më i madh, për të gjitha këto që ne sot po bëjmë, është i dëshmorëve të kombit, prandaj jepni maksimumin tuaj në rritjen e cilësisë në arsim”, tha mes tjerash kryetari Begaj, në fjalën e rastit, përderisa foli edhe për dëshmorët, emrin e njërit prej të cilit e mbanë edhe shkolla, të ish mësuesit Afrim Buçaj. Ndërsa drejtori i shkollës, Mursel Zogaj, fillimisht foli për historikun e kësaj shkolle, e cila daton nga viti 1947, e që nga atëherë janë ndërtuar disa objekte shkollore në këtë fshat, por asnjëherë një e tillë, moderne dhe me kushte standarde për mësim. Ai më pas foli në mënyrë kronologjike për të gjitha të arriturat e shkollës, por edhe për kontributin e dhënë, si në luftën e fundit, por edhe në jetën kulturore, e në mesin e këtyre kontribut dhënësve ishte edhe dëshmori i kombit Afrim Buçaj, emrin e të cilit me krenari e mbanë kjo shkollë. Drejtori Zogaj, falënderoi Komunën e Malishevës, për ndërtimin e kësaj shkolle, e cila ishte tepër e nevojshme, pasi deri më tani kanë mësuar në kushte jo të mira dhe jashtë çdo standardi. Shiritin e përurimit e prenë, nëna e dëshmorët të kombit Avni Buçaj, zonja Mendehie Buçaj, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, drejtori komunal i arsimit, Blerim Thaçi, drejtori i shkollës, Mursel Zogaj dhe një nxënës i kësaj shkolle. Ndërtimi i objektit të Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët, “Afrim Buçaj” në Lladrovc, u mundua nga buxheti komunal i Malishevës. Shkolla ka 13 dhoma mësimi, bibliotekën, sallën, dhe ka 249 nxënës.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …