Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka bërë sot përurimin e Stadiumit në komunën e Hanit të Elezit. Me këtë rast ministri bëri të ditur se vlera e tërërsishme e stadiumit është rreth 220 mijë euro. Ky investim është bërë në bashkëpunim mes MKRS, Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Komunës.
“Është kënaqësi e veçantë që të jem në përurimin e një prej investimeve më të rëndësishme në këtë komunë. Jam shumë i lumtur që bashkë me Komunën dhe Federatën e përfunduam në një afat rekord këtë projekt kapital duke pasur parasysh që ndërtimi i këtij stadiumi ka qenë kërkesë për vite tëra por ne pas marrëveshjes me kryetarin e përfunduam për disa muaj”, tha ministri Gashi.
Ministri po ashtu tha se ky investim është në kuadër të investimeve për avancimin dhe fuqizimin e infrastrukturës sportive dhe është interesim i yni që ta masivizojmë sportin në të gjithë Republikën e Kosovës. Ndër të tjera, ministri Gashi falënderoi kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademi dhe atë të Komunës Rufki Suma për bashkëpunim në finalizim të këtij projekti dhe theksoi se projekti i nisur për ndërtimin e 12 fushave është shumëfishuar.
Nga ana tjetër kryetari i FFK-së, Agim Ademi, dhe ai i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, falënderuan ministrin për kontributin e jashtëzakonshëm në futboll dhe thanë se besojnë që nga ky teren me kushte kaq të mira do të dalin futbollistë shumë të mirë.