Sot, në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare, “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë, u përuruan veprat: “Universi i jetës” dhe “Lulet e jetës”, të autorit, Martin Çuni.
Ishte paraparë të hapej edhe ekspozita me fotografi të kohës së luftës së UÇK-së si dhe krijime artistike, materiale e dokumente të tjera të këtij autori, por Drejtoria e Bibliotekës ndërkohë kishte hapur një ekspozitë tjetër, edhe pse organizatori kishte kryer detyrimet, për përurimin e librave dhe ekspozitën për 5 orë.
Në fjalën e tij në këtë përurim redaktori, Ahmet Qeriqi, ka thënë para të pranishmëve se ashtu sikur në jetë edhe në krijimtari, Martin Çuni ka ecur dhe ecën jo vetëm lirshëm por kurdoherë vertikalisht, me besim të fortë te njerëzorja, te idealja, aq shpesh e munguar ndër ne, por kurrë e vdjerrë, aq shpesh e goditur nga padituria e ligësia, por kurrë e dhënë, aq shpesh e luhatur, por kurrë e thyer…
Poeti i takon “botës idealiste”, asaj shtrese njerëzish e krijuesish të lindur për mirësi, sakrificë, njerëzi, gjithnjë të shërbim të së mirës, me qëllim për të hapur shtigje nëpër rrëmujë, duke ndërtuar ura besimi e mirëkuptimi, por edhe duke u ndeshur ashpër me të ligën, përgojimin, ndeshtrashën tonë jetike. Gjatë jetës së tij ka qëndruar prore i pathyeshëm, gjithnjë i vetëdijshëm se bota nuk mund të ndreqet tërësisht, qoftë me një apo me disa shembuj të mirë, ashtu sikur nuk mbushet hambari me një kokërr gruri, por po ashtu tejet i vetëdijshëm se kokrra sado vetme i ndihmon të tjerat, për ta mbushur hambarin e mirësisë e të begatisë.
I tillë është Martin Çuni në jetë dhe në krijimtari. Të tillë e njohim të gjithë, sepse ai është tejet i çiltër, i pa komplekse, pa paragjykime për njerëzit në pikëpamje race feje apo kombi, por prore gjurmues i së mirës, e së njerëzishmes i ndershmërisë, besës e tolerancës, ka thënë mes tjerash, Ahmet Qeriqi.
Në fjalën e tij, gazetari, poeti e krijuesi, Pren Buzhala, ka segmentuar disa veçori autentike, krijuese të Martin Çunit, duke i bërë një analizë të thellë disa prej poezive të përmbledhjes poetike, “Universi i jetës”. Ai ka analizuar fragmente të poezive të Martin Çunit, në të cilat poeti ka shfaqur botën e tij të preokupimeve, idealizmin jetik, një jetë të tërë në shërbim të kombit e atdheut, punën në gazetari, dënimin me 9 vjet burg për shkak të veprimtarisë së tij atdhetare në kërkesë për krijimin e Republikës së Kosovës, pastaj mërgimin, kthimin në Kosovë në vitin 1998, inkuadrimin në radhët e luftës së UÇK-së, punën e jashtëzakonshme në Radion-Kosova e Lirë dhe krijimtarinë dokumentare, letrare e artistike. Prend Buzhala, theksoi se secila vepër letrare, qoftë sajo diskurseve apo imagjinatave, është një dialog, një komunikim me të tjerët. Komunikimi i drejtohet tjetrit, lexuesit, publikut. Kësisoj, në këtë komunikim të ndërsjellë poetik, Martin Çuni, në radhë të parë, i drejtohet shqiptarit, te i cili dëshiron të përveçojë shqiptarësinë, me shtyllat e tij kulturore, historike apo gjeostrategjike. Ai shtoi më tutje se ashtu si te çdo komb, edhe tek shqiptarët ka ekzistuar ndërgjegjja etnike e përbashkët e që është vatra e kombit shqiptar. Po e theksojmë, në fund, se me këtë vëllim, poeti, Martin Çuni nuk mund të vinte ndryshe, përpos me frymën e qëndresës e të rezistencës, me hijen e golgotave e të kryqëzimeve tona dje; dhe me Frymën e gjithmonshme të shqiptarësisë liridashëse që bredh nëpër shekuj, ka thënë mes tjerash, Pren Buzhala.
Poeti e shkrimtari, Sadik Përvetica duke folur për librin “Lulet e jetës” ka thënë se autori në këtë vepër ka radhitur “Letrat nga burgu” që ua kishte dërguar, Agronit e Teutës, birit e bijës së tij, duke filluar nga vitit 1983, kur ata ishin fëmijë e deri në vitin 1990, kur ishin rritur dhe po i vazhdonin mësimet e fillores. Po kështu, ky libër është pasuruar edhe me vizatime e skica origjinale, të sajuara nga vetë autori nëpër qelitë e burgjeve, si dhe faksimile, dëshmi autentike, të cilat na kthejnë në kohë, në vitet ’80-të të shekullit XX, kur Martin Çuni me mijëra të burgosur shqiptarë ishte degdisur nëpër burgjet e Serbisë e të Jugosllavisë, për shkak të kërkesave të tyre për liri, barazi, drejtësi e vetëvendosje.
Në fund të përurimit, autori i dy librave: “Universi i jetës” dhe “Lulet e jetës”, Martin Çuni, në fjalën e tij ka përshëndetur të gjithë të pranishmit, bashkëvuajtësit nëpër burgjet e ish RSFJ-së, bashkëluftëtarët e UÇK-së dhe miq e dashamirë të pranishëm në përurim. Ai ka folur shkurtimisht për disa nga veprat e tij, duke veçuar edhe faktin se shumë prej shkrimeve, sidomos ato të kohës së luftës dhe vepra me tema të tjera nuk ka arritur t’i nxjerrë në dritë në mungesë të mbështetjes financiare nga institucionet e vendit.
Gjatë përurimit të dy librave, moderatorja e programit të përurimit, Arbanë Q. Gashi ka lexuar disa poezi nga përmbledhja poetike “Universi i jetës”, e autorit Martin Çuni.
Martin Çuni deri tani ka nxjerrë në dritë veprat:
Jetë e furtunë,
Reportazhe lufte,
Jetë për jetën,
Themele jete,
Ëndrra shëtit pa mua
Feniks në kalvar (dorëshkrim)
Universi i jetës dhe
Lulet e jetës.
Autori ka edhe disa vepra në dorëshkrim.