U shënua 35-vjetori i rënies së dëshmorëve, Hisni Mazreku dhe Ali Kryeziu

Sot, nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, në kuadër të shënimit të aktiviteteve të “Flaka e Janarit”,  me një akademi përkujtimore, homazhe dhe nderime, është përkujtuar “Masakra e Malishevës”, e ndodhur më 30 janar 1990, ku ranë dëshmorë Ali Kryeziu dhe Hisni Mazreku, ndërsa u plagosën dhjetëra të tjerë.

Në këtë akademi përkujtimore morën pjesë kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, nënkryetari Vesel Krasniqi, ish-kryetari i Komunës në vitin 1990, Daut Krasniqi, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, klerikë fetarë dhe shumë qytetarë. Pas akademisë, u bënë homazhe dhe nderime në varrezat e dëshmorëve Ali Kryeziu dhe Hisni Mazreku, në Bubavec dhe Malishevë.

“Ai popull që nderon dhe respekton dëshmorët e rënë për liri dhe vlerat e luftës e ka rrugën e trasuar për të ecur përpara. Prandaj, ne gjithmonë do t’i nderojmë dhe respektojmë dëshmorët dhe vlerat e luftës për liri. Kjo ngjarje, ndonëse e dhimbshme për ne si popull, shënon edhe reagimin e parë institucional apo kthesën e madhe historike. Për herë të parë, udhëheqësit e komunës dhe përfaqësuesit e saj në Kuvendin e Kosovës e cilësuan këtë ngjarje si gjenocid dhe terror mbi popullatën shqiptare, duke kundërshtuar sistemin dhe regjimin e asaj kohe. Kjo i hapi rrugë përpjekjeve tona për liri dhe pavarësi, të cilat kulmuan me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – liri që sot e gëzojmë”, tha kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, në fjalën e tij. 

 

Kontrolloni gjithashtu

Koncert homazh me rastin e 35 vjetorit të Flakës së Janarit

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, sot shënoi një ngjarje të shënuar dhe të …