U shënua dita e Gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë

Në vigjilje të 3 shkurtit, ditëlindjes së profesorit dhe dëshmorit të kombit Hamdi Berisha, emrin e të cilit e mbanë gjimnazi në Malishevë, është shënuar dita e këtij gjimnazi. Në këtë shënim, morën pjesë, familja e profesor Hamdi Berishës, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, zëvendësministri i MASHTK-së, Heset Sahitaj, zyrtarë dhe përfaqësues të institucioneve në Malishevë, mësimdhënësit dhe nxënësit e këtij gjimnazi. Në këtë aktivitet, një fjalë rasti mbajti edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, i cili e vlerësoi lartë punën dhe veprën e profesor Hamdi Berishës, i cili përveç mësimit, shumë gjenerata i ka ushqyer me ndjenjën e atdhedashurisë. Profesor Hamdi Berisha, ka thyer shumë mite e teori, sidomos gjatë luftës. “Shembulli më i mirë, se në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishin futur njerëz intelektual dhe të brumosur me ide atdhetare, është profesori Hamdi Berisha”, tha mes tjerash në fjalën e tij, nënkryetari Berisha. Një fjalë rasti e ka mbajtur edhe zëvendësministri i MASHTK, Heset Sahitaj, i cili pasi i uroi për ditën e gjimnazit, tha se “Ministria e Arsimit dhe ministri Bytyqi, janë të përkushtuar në rritjen e cilësisë në arsim dhe këtë janë duke e bërë përmes investimeve konkrete në fushën e arsimit, sidomos laborator dhe kushte tjera për mësimnxënie”. Për gjimnazin “Hamdi Berisha”, ka folur edhe drejtori i gjimnazit, Izet Hoti, i cili përveç që ka folur për profesorin dhe dëshmorin Hamdi Berisha, ka folur edhe për gjimnazin. Sipas tij, ky gjimnaz, tani ka rreth 50 klasë, me 1900 nxënës dhe rreth njëqind punëtor të arsimit. Në emër të familjes, të gjithë të pranishmit i ka përshëndetur djali i dëshmorit Hamdi Berisha, Kastrioti, i cili edhe i ka falënderuar për organizimin. Në këtë shënim, u shfaq edhe një dokumentar, kushtuar jetës dhe veprimtarisë së prof.Hamdi Berisha. Profesori i gjuhës dhe letërsisë shqipe, Hamdi Berisha, u lind më 3 shkurt të vitit 1958, dhe pas përfundimit të studimeve, ishte ndër profesorët e parë të gjimnazit në Malishevë. Profesor Berisha, njihet si njëri nga mësimdhënësit më të mirë të këtij gjimnazi, e po ashtu njihet edhe si një nga patriotët e shumtë të kësaj ane. Profesor Hamdi Berisha, njihet edhe si aktivist i çështjes kombëtare, ndërsa me fillimin e luftës, ishte ndër të parët që ju bashkua luftës çlirimtare. Profesor Hamdi Berisha, ra heroikisht në luftën e Rahovecit, në korrik të vitit 1998. Në këtë datë të rëndësishme për Gjimnazin “Hamdi Berisha”, u kujtua edhe profesori i ndjerë Hysen Elshani, i cili ishte mësimdhënës në këtë gjimnazi, ndërsa është vrarë gjatë luftës së fundit.

Kontrolloni gjithashtu

39 pemëtar ferizajas përfitues të spërkatsëve profesionale

Mbështetja për bujqit dhe fermerët ferizajas po vazhdon. Në kuadër të skemës mbështetëse për bujqit …