Në Klinë, nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, u shënua 4 Prilli i vitit 1999, Dita e të Zhdukurve në këtë Komunë. Fillimisht homazhe dhe vendosje të luleve në vendet ku kanë ndodhur vrasjet dhe zhdukjet e shumë personave, si në Kralan, Izbicë dhe Pastasel, po ashtu edhe tek Pllaka përkujtimore e të zhdukurve në Klinë, janë bërë nga kreu i Ekzekutivit dhe të Kuvendit të Komunës së Klinës, të cilët kanë përkujtuar këtë ditë të 4 Prillit të vitit 1999, ku forcat serbe kanë rrëmbyer dhe në mënyrë misterioze kanë zhdukur qindra qytetarë të Komunës së Klinës. Po ashtu, në Pallatin e Kulturës “Jehona e Dukagjinit” në Klinë, u mbajt Akademi përkujtimore në kujtim të 4 Prillit – Ditës së të Zhdukurve të Komunës së Klinës. Përpos familjarëve të personave të pagjetur të Komunës së Klinës, të shoqatës së dëshmorëve të kombit, OVL-ve, morën pjesë edhe udhëheqja komunale si, Besim Hoti, nënkryetar i Komunës së Klinës, Fadil Gashi, kryesues , Prenkë Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, Ramë Manaj, ish- kryetar i Komunës së Klinës, Ahmet Greiçevci, koordinator i Këshillit Koordinues për Persona të Pagjetur etj. Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Klinës, Fadil Gashi, në fjalën e tij theksoi se jemi tubuar këtu për ta përkujtuar këtë datë zezonë; për ta përkujtuar atë llahtari që forcat serbe në Kralanin famëkeq i shkaktuan një popullate të pambrojtur civile. “Sot gjendemi këtu edhe për ta ngushëlluar njëri-tjetrin për etërit tanë, fëmijët tanë, nënat tona, vëllezërit dhe motrat tona, për nipërit dhe mbesat që s’i kemi pranë, fati i të cilëve na ka munduar të gjithëve së bashku tash e afro dy dekada. Si çdo 4 Prill, edhe sot Klina është në zi dhe dhimbje të madhe. Me pietetin më të lartë po i rikujtojmë emrat e të gjithë atyre të cilët në emër të paqes u rrëmbyen dhe fati i tyre mbeti enigmë, mirëpo ka edhe të atillë që dora gjakatare ua kishte shuar jetën dhe ne i kemi rivarrosur në tokën e atdheut të tyre”, u shpreh kryesuesi Gashi. Ndërkaq, kryetari i Komisionit Qeveritar për të pagjeturit, Prenkë Gjetaj, me këtë rast u shpreh, se jemi tubuar sot në këtë ditë përkujtimore për t’i përkujtuar, njëherësh edhe për të ngrehur zërin për ata që sot nuk janë në mesin tonë. “Kjo datë, kjo ditë nuk janë të vetmen në tragjeditë që këtij populli i ka shkaktuar regjimi serb. Detyrat si kemi kryer ende ndaj kësaj kategorie më të goditur të shoqërisë sonë. Obligimet i kemi permanente, doemos duhet t’i kryejmë detyrat tona, obligimet tona. Ne këtë ditë të sotme na ka kapërthyer dhimbja për ata që na mungojnë, kemi shpresën pa mbarim. Jemi para një sfide të madhe dhe amaneti të atyre që na mungojnë sot. Të jemi si komb më unik për të realizuar gjakimin e këtyre martirëve dhe gjithë të rënëve për lirinë e Republikës së Kosovës”, Në emër të familjarëve të të pagjeturve foli Sevdije Ismaili, e cila theksoi Përveç familjarëve që çdo ditë angazhohen për të mësuar për fatin e të afërmve të zhdukur, një gjë të tillë e bën edhe Prenk Gjetaj, kryetari i Komisionit qeveritar për të pagjeturit. “Ne familjarët e të të zhdukurve të komunës sonë, por edhe të gjithë Kosovës, jemi të zhgënjyer për faktin se institucionet tona vendëse, por edhe ato ndërkombëtare nuk kanë punuar sa duhet për të mësuar më shumë rreth ndriçimit të fatit të këtyre personave, që sot e kësaj dite nuk dimë asgjë për ta. Një pjesë prej tyre janë identifikuar dhe i kemi varrosur si martir të kombit në varrezat e dëshmorëve dhe të martirëve të kombit në Kodrën e Kuqe”, mirëpo edhe për dhjetëra të tjerë nuk dimë se ku gjenden”, ka pohuar znj. Ismajli.