Mbrëmë rreth orës 22.00, derisa po shkonte në Xhami, te Çerdhja e Fëmijëve prapa konvikteve, në Lagjen Bregu i Diellit, në Prishtinë, nga tre persona të rritur është sulmuar fizikisht, gazetari i Radios-Kosova e Lirë, Durim Krasniqi, i cili ka marrë lëndime të rënda trupore në fytyrë dhe në disa pjesë të trupit. Ai është dërguar në ambulancë dhe pasi i është dhënë ndihma e parë është liruar për t’u shëruar në shtëpi. Gazetari, Durim Krasniqi e ka paraqitur rastin në polici ku edhe ka dhënë deklaratën e tij lidhur me sulmin e tre personave, dy nga ata të panjohur.
Policia ende nuk ka lëshuar deklaratë lidhur me këtë sulm, i cili në radhë të parë ka shkas intolerancën fetare, dukuri kjo që po merr përmasa, në fushatën kundër islamit që po manifestohet herë pas herë në Kosovë.
Sulmin kundër gazetarit të vet, Durim Krasniqi Radio-Kosova e lirë e dënon ashpër si përpjekje të vazhdueshme të qarqeve të caktuara, kundër kësaj Radioje.
Drejtoria e Radios pret nga policia dhe organet e drejtësisë që ta trajtojë me përgjegjësi këtë rast, përderisa ajo u jep hapësirë rasteve të kërcënimeve verbale kundër disa gazetarëve, dhe nuk merr masa për raste të sulmeve me pasoja të rënda fizike ndaj disa të tjerëve.