Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë publikoi sot Raportin e Pulsit Publik mbi “Hartimi i Mbledhjes së të Dhënave për Zhvillim”. Ngjarja mblodhi së bashku ekspertë të të dhënave dhe përfaqësues të UNDP-së dhe institucioneve të Kosovës, duke ofruar një mundësi për të diskutuar të dhënat dhe agjendën digjitale në Kosovë.
Gjatë 20 viteve të fundit, UNDP në Kosovë në partneritet me USAID/Kosovë përmes Pulsit Publik ka prodhuar të dhëna të besueshme dhe të paanshme për t’u përdorur nga institucionet e Kosovës dhe palët e tjera të interesit si një mjet thelbësor për politikat me njeriun në qendër dhe qeverisjen e mirë. Në vitin 2022, UNDP-ja mori përsipër të analizojë shkaqet e përdorimit të kufizuar të të dhënave dhe sistemeve të ndarjes së të dhënave, dhe të ofrojë rekomandime për metodat për të përmirësuar mbledhjen dhe përdorimin e të dhënave.
Maria Suokko, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP theksoi në fjalën e saj hyrëse: “Të dhënat e besueshme dhe të përditësuara janë planifikimi, politikat dhe vendimmarrja themelore me njeriun në qendër. Digjitalizimi u ofron shoqërive mundësi të rëndësishme për të përmirësuar efikasitetin e ofrimit të shërbimeve publike duke rritur gjithashtu transparencën dhe forcuar besimin. Vendimmarrja e bazuar në prova është çelësi për të siguruar që zhvillimi u përgjigjet nevojave të të gjitha grupeve të shoqërisë. UNDP-ja ndërmori këtë analizë për të kuptuar shkaqet e përdorimit të kufizuar të të dhënave dhe sistemeve të ndarjes së të dhënave. Rekomandimet ofrojnë një mundësi për të përmirësuar përdorimin e të dhënave dhe avancimin e agjendës digjitale të Kosovës”.
“Open Data duhet të vijë si dizajn, e jo si një mendim i mëvonshëm. Institucionet Qendrore të Kosovës janë duke punuar në krijimin e një Organi Drejtues të të Dhënave i cili do të punojë në politikat e të dhënave dhe standardet e të dhënave, dhe do të ulet me AIS” tha Lulezon Jagxhiu, këshilltar i kryeministrit mbi TIK.
Raporti vë në dukje sfidat dhe ofron rekomandime të cilat do të lehtësojnë ndarjen e të dhënave ndërmjet institucioneve dhe për qasjet për përmirësim në mbledhjen e të dhënave, digjitalizimin dhe përdorimin e tyre për politikëbërjen e bazuar në dëshmi. Gjetjet sygjerojnë përmirësim në katër shtylla: kuadri ligjor, sistemet e monitorimit, infrastruktura dhe njerëzit.
Platforma Public Pulse Visualizer, e cila ofron një paraqitje gjithëpërfshirëse të të dhënave të mbledhura që nga viti 2010, u lansua gjithashtu në këtë ngjarje. Visualizer është i çasshëm këtu: https://www.undp.org/kosovo/projects/public-pulse.
Projekti Pulsi Publik i cili filloi në vitin 2002 është financuar dhe mbështetur bujarisht nga populli amerikan përmes USAID/Kosovë.