UNDP publikon raportin mbi sfidat dhe mundësitë në kalimin në një ekonomi neutrale ndaj karbonit
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë ka lansuar Analizën e Pulsit Publik të titulluar “Eksplorimi i Sfidave të Ndryshimeve Klimatike dhe Mundësive për Kalimin në Ekonomi Neutrale të Karbonit në Kosovë”.
Ky publikim ofron njohuri dhe kontribute në diskutimin se si mund të ndikojë tranzicioni i gjelbër në ekonominë e Kosovës, cilët sektorë pritet të ndikohen dhe si do të ndikohet kërkesa për fuqi punëtore.
Ngjarja mblodhi në një vend përfaqësues nga institucionet e Kosovës, ekspertë dhe aktivistë të mjedisit, përfaqësues të shoqërisë civile, sektorit privat, rrethit akademik dhe partnerë zhvillimorë. Me këtë rast u ofrua një mundësi për të prezantuar gjetjet dhe për të diskutuar çështjet që kanë të bëjnë me ekonominë qarkore dhe tranzicionin drejt një ekonomie neutrale ndaj karbonit në Kosovë.
Analiza Eksplorimi i Sfidave të Ndryshimeve Klimatike dhe Mundësive për Kalimin në Ekonomi Neutrale të Karbonit në Kosovë” shqyrton perspektivat e institucioneve qendrore të Kosovës, bizneseve, organizatave të shoqërisë civile dhe publikut të gjerë. Raporti gjithashtu ofron detaje mbi njohuritë dhe qëndrimet e njerëzve ndaj ndryshimeve klimatike dhe dekarbonizimit.
Raporti vë në pah se 63% e të anketuarve kishin dëgjuar për ndryshimet klimatike, ku të rinjtë (18-24) ishin më të vetëdijshëm me 70%. Në përgjithësi, televizioni ishte burimi kryesor i informacionit për të gjithë të anketuarit (65%), i ndjekur nga mediat sociale (27%). Përdorimi i energjisë së rinovueshme u rendit si zgjidhja e dytë më e mirë për të zbutur ndryshimet klimatike, duke sugjeruar se publiku është i vetëdijshëm për kontributin e lëndëve djegëse fosile në ndryshimet klimatike. Megjithatë, vetëm një pakicë (31%) e të gjithë të anketuarve janë të gatshëm të paguajnë tarifa më të larta të energjisë elektrike për të minimizuar ndikimet e ndryshimeve klimatike për gjeneratat e ardhshme, ndërsa 65% e të anketuarve thanë se nuk do të paguanin tarifa më të larta të energjisë elektrike.
Përmbledhja e politikave “Ekonomia qarkore dhe tregu i punës” e prezantuar në të njëjtën ngjarje thekson urgjencën e kalimit në një ekonomi të gjelbër dhe rëndësinë për ta bërë këtë me zgjuarsi. Aty identifikohen sektorët me potencialin më të madh për tranzicion ndërmjet ekonomive tradicionale dhe atyre qarkore në Kosovë, duke hedhur dritë mbi potencialin për ndryshim në numrin e punësimeve, aftësimin dhe përbërjen e vendeve të punës në pesë sektorë kyç vijues: menaxhimi i mbeturinave, bujqësia, prodhimi i ushqimit, pylltaria, ndërtimi dhe energjia. Për më tepër, përmbledhja thekson implikimet për tregun e punës si në nivel të Kosovës ashtu edhe në sektorë të veçantë.
Projekti Pulsi Publik financohet bujarisht nga populli amerikan përmes USAID.
Projekti Rritja Përmes Rimëkëmbjes së Gjelbër dhe të Drejtë nga COVID-19 mbështetet nga Qeveria e Japonisë.