Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami dhe ministri i Financave, Avdullah Hoti, kanë takuar sot kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliun dhe përfaqësuesit e bizneseve, për t’i njoftuar për lansimin e projektit të unifikimit të numrit të biznesit.
Kjo mundëson që nga katër numra biznesi të ketë një numër unik të biznesit, që do të ndikojë në uljen e burokracisë dhe do të lehtësoj punën e bizneseve. “Ky unifikim i numrit të biznesit do të ndikoj në uljen e burokracisë, në zbritjen e shumë kërkesave që kanë të bëjnë me marrjen e të gjithë këtyre numrave që ekzistojnë sot, dhe gjithashtu do t’i mundësoj Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë edhe fillimin e regjistrimit të bizneseve online në vitin 2017”, tha ministrja Bajrami.
Gjatë takimit me përfaqësues të bizneseve është biseduar edhe për projektet tjera, si dhe për obligimet që vijnë nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit. “Siç e dini, shumë shpejt fillon implementimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Me këtë rast Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka filluar kampanjën e informimit të bizneseve për kërkesat dhe për benefitet që dalin nga zbatimi i kësaj marrëveshje. Më 7 mars kemi mbajt një konferencë sektoriale me biznese në Prishtinë, dhe shumë shpejt do të fillojmë raundin e konferencave tjera sektoriale ku do t’i informojmë të gjitha bizneset për të dalurat dhe gjithashtu për obligimet që vijnë nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit”, tha ajo. Në këtë kuadër, ministrja Bajrami tha se MTI-ja ka dy projekte tepër të rëndësishme që po i diskuton me donatorë, e të cilët besohet se do të implementohen brenda këtij viti. “Është fjala për projektin e certifikimit të produkteve për standarde të cilësisë me një platformë vaucher ku mendohet t’iu ndihmohet të gjitha ndërmarrjeve që tani më janë në prodhim për të certifikuar produktet e tyre sipas standardeve të cilësisë, do të thotë për rritjen e cilësisë së këtyre produkteve. Dhe gjithashtu për fazën e dytë të projektit të granteve të cilën po e diskutojmë me disa donatorë”, theksoi ministrja Bajrami.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë i ka njoftuar përfaqësuesit e bizneseve edhe për Themelimin e Fondit për Garanci Kreditore i cili do të ndodh shumë shpejt. “Është çështje javësh kur ne do ta kemi funksionalizimin e këtij Fondi”, tha ministrja Bajrami, duke folur edhe për projektet tjera, siç është funksionalizimi i zonave ekonomike në mbarë territorin e vendit. Ministrja Bajrami bëri të ditur se po diskutohet me dy institucione financiare ndërkombëtare, me Bankën Evropiane për Investime dhe BERZh-in, për ndërtimin e këtyre zonave. “Ne kemi një buxhet simbolik edhe brenda Ministrisë. Konsiderojmë që ofrimi i infrastrukturës për të gjitha ndërmarrjet që dëshirojnë të zgjerojnë kapacitetet e tyre, ose për ndërmarrësit e ri, është një ndihmesë e madhe për të gjitha bizneset. Gjithashtu përmendëm edhe një sërë ligjesh që ne i kemi në plan t’i plotësojmë dhe t’i ndryshojmë me qëllim të përmirësimit të ambientit të biznesit.
Pati edhe çështje të cilat u ngritën nga përfaqësuesit e biznesit sot, për të cilat ne i njoftuam se jemi në adresim e sipër të këtyre çështjeve”, tha ministrja Hykmete Bajrami.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka vlerësuar lartë bashkëpunimin e Odës Ekonomike të Kosovës me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dhe ka theksuar se të tri këto institucione kanë kundërshtar të përbashkët papunësinë dhe nivelin jo të volitshëm ekonomik. Kreu i OEK-ut tha se veçanërisht është biseduar për zonat e lira ekonomike duke shtuar se ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë dhe MTI-së për hapjen e zonave ekonomike. Gërxhaliu i ka informuar ministrat edhe për të arriturat e OEK-ut, për anëtarësimin ne EUROCHAMBERS dhe Konfederatën e Odave Ekonomike Evropiane dhe Botërore.
Ministri i Financave Avdullah Hoti tha se takimi i sotëm është vazhdimësi e takimeve dhe bashkëpunimit të mirë dhe të gjithanshëm në mes të ministrive dhe OEK-ut. “Kam thënë disa herë dhe po e përsërisë se suksesi i Odës Ekonomike, anëtarëve të saj është sukses i Qeverisë së Kosovës, është sukses i ynë i përbashkët”, tha ministri Hoti. Duke vlerësuar se pakoja fiskale ka dhënë kontribut të rëndësishëm në krijimin e lehtësirave për të bërit biznes, ministri Hoti tha po ashtu se para institucioneve dhe komunitetit të biznesit mbetet edhe një punë e gjatë. Ai i ka informuar të pranishmit edhe për disa nga çështjet në të cilat Ministria e Financave do të punojë gjatë këtij viti. “Përmes platformës së investimeve planifikojmë të investojmë rreth 520 milionë euro, në projektet e ndryshme të cilat janë aprovuar në Qeveri dhe të cilat shpejtë do t’i mundësojmë përmes kredive ndërkombëtare për biznese vendore dhe ndërkombëtare”, tha ministri Hoti.