Urgjentisht të zgjidhet problemi i kontratave kolektive, komunave u janë marrë 115 milionë euro

Kryetarët e komunave të Kosovës i kanë kërkuar kryeministrit Albin Kurti që urgjentisht të zgjidhet problemi i kontratave kolektive. Në takimin e sotëm me shefin e ekzekutivit, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu, ka thënë se për shkak të kësaj çështje komunat e Kosovës prej vitesh po sfidohen keq.

“Komunat e Kosovës, tash e sa vite, po sfidohen në çdo ditë të punës së tyre, me jostabilitet financiar, pamjaftueshmëri buxhetore, pengesa e bllokada sistematike, që kanë një burim, kanë një adresë, ka një emërues të përbashkët – obligimet financiare që rrjedhin nga Kontrata Kolektive. Siç dihet mirëfilli, Kontrata Kolektive është një akt ligjor i ndërmarr nga Qeveria Qendrore, gjersa burimin e financimit e mbështet padrejtësisht në financat e pushtetit lokal. Pikërisht, në këtë mes, qëndron sfida e pakapërcyeshme financiare e Komunave të Kosovës. Janë dhjetëra shkresa, takime zyrtare, konferenca ndërinstitucionale e kumtime tona publike, ku e kemi adresuar edhe pranë nivelit qeveritar, edhe pranë organeve të drejtësisë, këtë shqetësim tonë, që ka mbërthyer financën e pushtetit lokal në çdo komunë të Kosovës”, ka thënë Aliu.

Ai ka treguar për dëmet që po ua shkakton komunave kjo çështje.

“Të cenohet buxheti edhe ashtu i pamjaftueshëm i Komunave, është një barrë e papërballueshme, me komplikime të shumëanshme e dëme të pariparueshme për Komunat e Kosovës, andaj sot e deri në zgjidhjen e kësaj çështje problemore, që shkon përtej përkatësisë partiake, etnike, Komunat njëzëri kërkojnë nga ju z. Kryeministër, nga Qeveria e Republikës së Kosovës – zgjidhjen e drejtë, meritore për obligimet financiare të Kontratave Kolektive. I nderuar Kryeministër e Ministra! Të nderuar Kryetarë e përfaqësues të Komunave! Qeveria e Republikës së Kosovës – duhet në mënyrë të menjehershme të ndaj buxhet shtesë për komunat, në proporcion me shpenzimet e kontratave kolektive si dhe të nisin procedurat ligjore e buxhetore, për rimbursimin e obligimeve të paguara deri më tani nga komunat, që për buxhetet komunale paraqesin shifra shumë milionëshe. Komunat ndër vite, kanë miliona euro më pak, për t’i investuar në projekte e nisma me dobi për qytetarët. Komunat ndër vite, kanë shtrëngesa financiare, pasiguri për të nisur e zhvilluar projekte nga bllokada e pakapërcyeshme e obligimeve të Kontratës Kolektive. Kjo gjë, duhet të marr fund z. Kryeministër! Qytetarët, presin që kontributi i tyre, të kthehet në investim me dobi publike e jo në pasiguri të qeverisjes”, është shprehur ai.

I pari i Komunës së Ferizajit ka treguar se nga arka e buxheteve komunale iu janë marrë afro 115 milionë euro si pasojë e obligimeve financiare ndër vite për kontratën kolektive.

“Për t’i shërbyer qëllimit për informimin tuaj të drejtë, më lejoni të ndaj para jush njoftimin se deri më tani, Komunave të Kosovës, nga arka e buxhetit komunal iu janë marrë afro 115 milionë euro si pasojë e obligimeve financiare ndër vite për kontratën kolektive, gjersa vetëm në dy vitet e fundit, mbi 80 milionë euro është shuma financiare e paguar nga komunat për obligimet e kontratave kolektive. Miliona euro mungesë në arkat e komunave. Qindra projekte të parealizuara anembanë Kosovës ndër vite. Qindra projekte të rrezikuara cilësisht si pasojë e tkurrjes së detyrueshme financiare e pasigurisë buxhetore nga procedurat përmbarimore. Është kjo pasqyra financiare sot e Komunave të Kosovës. Është ky jostabiliteti buxhetor, që zvetënon autorizimet e autoritetin e institucioneve lokale”, është shprehur kryetari I Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe i komunës së Ferizajt, z. Agim Aliu.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …