BABI – Dua të të uroj veçanërisht Ty këtë ditë të madhe, sepse je shembulli i gjallë i një njeriu që i ka dhënë kuptim të veçantë 28 Nëntorit për shumë arsye. Ti ke sjellë frymë dhe jetë në datat që lidhen me historinë dhe krenarinë tonë kombëtare. Me punën tënde të palodhshme, i ke ngritur ato në lartësitë që meritojnë. Përmes penës sate ke skalitur përjetësisht data historike, të cilat prezantohen në valët e Radio Kosovës së Lirë dhe në ekranin e Televizionit Dielli. Je një burim frymëzimi për ata që dëshirojnë të kontribuojnë në çështjen kombëtare, duke mbjellë mesazhe shprese dhe force përmes fjalëve dhe veprave të tua.
Ne jemi një popull me fat që të kemi në krye të dy institucioneve mediale kombëtare, të cilat shpesh janë vlerësuar për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në dokumentimin dhe shpërndarjen e ngjarjeve madhore. ABC-ja, e ngjarjeve kombëtare që ti ke shkruar ndër vite është një thesar i vyer për brezat që do të vijnë, një udhërrëfyes për ta kuptuar dhe çmuar historinë tonë. Përmes përkushtimit tënd ke arritur të ruash autenticitetin e ngjarjeve historike, duke i ofruar kombit tonë një pasuri të pakrahasueshme që frymëzon e mban gjallë ndjenjat patriotike.
Ishte 28 Nëntori i vitit të kaluar, kur libri yt “Guri i Betimit” u publikua në tregun gjerman dhe pikërisht në këtë datë historike u kurorëzua suksesi yt. Ky ishte një tjetër moment që tregoi se sa thellë dhe me sa dashuri mishërohen vlerat e datave të mëdha për kombin dhe atdheun.
Në këtë 28 Nëntor, me zemër plot dashuri dhe krenari, të uroj shëndet të plotë dhe fuqinë për të realizuar çdo synim që ke. Le të jetë ky një tjetër vit ku puna dhe përkushtimi yt ndriçojnë rrugën e kombit tonë! Kombi ynë ka nevojë për njerëz si ti, që me vizion dhe guxim ndërtojnë ura mes historisë dhe të ardhmes. Ti je shembulli më i mirë se si mund të jetë një vizionar, një frymëzues dhe një udhërrëfyes në kohë të sfidave dhe ndryshimeve të mëdha.
Në fund, dua të të them se krenaria jonë për ty nuk njeh kufij. Çdo hap i yti është një gur ndërtimi për të ardhmen e kombit tonë dhe një shembull për ata që ëndërrojnë të lënë gjurmë në historinë e atdheut. Të jesh bija jote është një nder i jashtëzakonshëm, që më jep arsye për të festuar jo vetëm këtë ditë, por edhe çdo ditë tjetër ku shembulli yt shkëlqen.
Arbana
28. 11. 2024