Thaçi: Dita e Pavarësisë na bënë krenarë për të kaluarën tonë
Kryetari, Hashim Thaçi ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës për ditën e shpalljes së Pavarësisë. Dita e Pavarësisë, është ditë që na bënë krenarë për të kaluarën tonë, të sotmen dhe për të ardhmen e sigurt evropiane. Urime të gjithëve Dita e Pavarësisë. Kosova është vend i paqes dhe dashurisë, ka shkruar në mes tjerash kryetari i vendit.
Nishani: Shqipëria do të jetë gjithmonë në krah të Kosovës
Kryetari i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani ka uruar kryetarin, Hashim Thaçi dhe të gjithë shtetasit e Kosovës me rastin e nëntë vjetorit të pavarësisë. Shqipëria, bazuar në frymën dhe vizionin evropian e euroatlantik, do të jetë gjithnjë në krah të Kosovës në rrugën e saj të zhvillimit dhe do ta mbështesë pa asnjë rezervë në ruajtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit shtetëror, thuhet në mes tjerash në urimin e kryetarit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.
Krerët e FSK-së bënë homazhe në Prekaz dhe në lagjenVelania të Prithinës
Ministri i FSK-së, Haki Demolli, zëvendës-ministri Muhamet Latifi dhe komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, me stafet përkatëse në 9 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në nderim të Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit, vizituan sot Prekazin, ku bënë homazhe dhe vendosën lule të freskëta. Krerët e FSK-së në 9 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, bënë homazhe dhe vendosen lule në nderim të ish Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova.
Kryetari i Partisë FJALA, Gëzim Kelmendi u prit nga Murat Jashari në Prekaz
Kryetari i Partisë FJALA Dr.Gëzim Kelmendi sëbashku me bashkëpunëtorë, vizituan sot Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz me rastin e 9 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Ata u mirëpritën nga Prof.dr.Murat Jashari, përfaqësues i familjes Jashari.
Kryetari Kelmendi, uroi familjen Jashari me rastin e 9 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe deklaroi se kjo familja në krye me Komandantin Legjendar Adem Jasharin, kanë meritat kryesore për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
RDK, dega në Prizren, bëri homazhe në varrezat e Dëshmorëve në Landovicë
Rinia Demokratike e Kosovës, dega në Prizren, në shënim të 9-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, bëri homazhe në varrezat e Dëshmorëve në Landovicë. Me këtë rast u tha se duhet të përulemi përherë para të gjithë të rënëve për Lirinë dhe Pavarësinë e vendit tonë, sepse gjaku i tyre u bë gurthemel për Pavarësinë e Kovovës. Ky vend i shenjtë duhet të shërbejë për inspirimin e gjeneratave të reja, sesi u fitua me gjak Liria e Kosovës, fal luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Lëvizja për Bashkim shpreh urime në 9-vjetorin e pavarësisë së Kosovës
Në emër të të gjithë anëtarëve e përkrahësve Lëvizja për Bashkim, uron 9 vjetorin e pavarësisë së Kosovës! Për të ardhur deri këtu ku jemi u deshtë mund, djersë e gjak! Breza të tërë sakrifikuan shumë, për të ardhur deri te kjo që akoma është pak! Prandaj ne do të vazhdojmë tutje drejt integrimeve kombëtare e atyre ndërkombëtare, thuhet mes tjerash në urimin e kësaj partie.