Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar qytetarët e Kosovës, anëtarët dhe simpatizantët e AAK-së për festën e ndërrimit të motmoteve, duke thënë se Kosova ka shpresë. Ai ka shkruar Viti që po e lëmë pas ishte një vit i sfidave të mëdha për secilin prej nesh. Ishte një vit sfidues për Kosovën dhe demokracinë e saj. Në planin individual e grupor, si në sport, në kulturë, në art e në sfera të tjera të ndërmarrësisë, u shënuan plot rezultate me të cilat sot mburret Kosova. Por në planin nacional, Kosova në këtë vit, ka shënuar stagnim, ose edhe më keq kthim mbrapa! Për të parën herë që nga pavarësia e vendit në vitin 2008, këtë vit është sfiduar integriteti territorial dhe rendi kushtetues i Kosovës, për fatin e keq kjo edhe me ndihmën e Qeverisë…
Mesazh urimi nga Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha
Qytetarëve të vendit tonë, ua uroj Vitin e Ri 2017, duke ju dëshiruar shëndet, mbarësi, paqe dhe suksese. Uroj që viti 2017, të jetë vit i realizimit të qëllimeve tona të përbashkëta për fuqizimin e sundimit të ligjit si kusht i zhvillimit ekonomik, mirëqenies së qytetarëve tanë dhe realizimit me sukses të procesit integrues euro-atlantik. Gëzuar për shumë mote! Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha.
NISMA për Kosovën uron të gjithë qytetarët për Vitin e Ri 2017
NISMA uron që Viti i Ri 2017 të sjell mbarësi dhe gëzime në jetën e të të gjithë shqiptarëve, më shpresën që ky vit të jetë një vit i ndryshimeve pozitive në vendin tonë.
Në urimin e Lëvizjes për Bashkim thuhet:
Gjithmonë vjen një moment kur duhet të ndalemi dhe të analizojmë e të japim përgjegjësi për ato që kemi dhe nuk kemi bërë. Fundi i vitit shënon një pikë prerje të punës sonë prandaj edhe përbën një nga momentet më të arsyeshme për këtë reflektim. Nuk mund ta mbaj për vete faktin që para këtij momenti reflektimi, edhe kësaj here e ndjej veten shumë me fat që në punën time të përditshme kam të bëjë me njerëz kaq te respektuar, që kanë bërë e bëjnë çdo ditë aq shumë për vendin tonë. Po aq sa me fat, ndjehem i pafat për mundësitë e kufizuara që i kemi për të bërë punë edhe më të mëdha e për të cilat kemi jashtëzakonisht nevojë. Viti që po lëmë pas ishte përplot sfida e vështirësi, por ne nuk u ndalëm. Ta mbajmë të palëkundur dëshirën, vullnetin dhe vendosmërinë tonë edhe në vitin që po vjen, duke ecur gjithmonë në rrugën e ndershmërisë në punë dhe respektit për njëri-tjetrin. Me besim dhe përpjekje të mëdha, ne mund të arrijmë që çdo ëndërr tonën ta përjetojmë në realitet. Uroj që viti i ri të jetë plot shëndet, suksese, dashuri e harmoni në familjet tuaja!
Urimi i kryetarit për Shqipëri të Bashkuar, Tahir Veliu për Vitin e Ri 2017
Me rastin e vitit të Ri 2017 Me kënaqësi ju njoftoj se gjatë tërë vitit 2016, anëtarësimet në Lëvizjen për Shqipëri të Bashkuar kanë vazhduar me një ritëm të pandalshëm dhe ky padyshim është një sukses i madh, në forcimin e radhëve të LSHB-së, në shërbim të aspiratës së natyrshme të kombit shqiptar për çlirim dhe bashkim kombëtar. Situata aktuale në trojet e pushtuara të Shqipërisë, ku populli shqiptar vazhdon të përballet me vështirësi të mëdha, duke filluar nga mohimi i të drejtave kombëtare, rreziku për shkombëtarizim dhe tjetërsim, tkurrja e vazhdueshme e territorit tonë etnik, diskriminimi në punësim, rreziku nga migrimi i vazhdueshëm i rinisë, mos zhvillimi i mirëfilltë ekonomik dhe shumë sfida tjera na obligojnë dhe detyrojnë, që në frymen e bashkëpunimit, të bashkohemi si kurrë më parë dhe të përballojmë së bashku sfidën madhor për jetësimin e Shqipërisë së Bashkuar, ku çdo qytetar ta ndiejë veten të lirë dhe të barabartë, në një hapësirë ku demokracia dhe ligji të kenë peshën dhe rëndësinë që kërkon koha. Në fund, më lejoni që në emrin tim personal si dhe në emër të Lëvizjës për Shqipëri të Bashkuar të ju uroj Vitin e Ri 2017!