Urimet për Vitin e Ri nga Reshat Arbana, Margarita Xhepa, Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Jorgo Papingji, Alida Hisku, Kastriot Tusha, Ylli Baka

Urimet për Vitin e Ri nga Reshat Arbana, Margarita Xhepa, Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Jorgo Papingji, Alida Hisku, Kastriot Tusha, Ylli Baka

Albert Z. ZHOLI:  Ja urimet e artistëve të mëdhenj për vitin e ri 2021

Tashmë janë orët e fundit të vitit 2020. Ky vit që po lemë pas pati një problem mbarëbotëror -Covid-19. Një virus që solli një pështjellim në shëndetin e njerëzve dhe frenoi ekonominë botërore. Ky virus e rriti më shumë papunësinë, varfërinë, gëzimin e njerëzve. Bota u mbyll më shumë dhe u thelluan më shumë hendeqet mes të pasurve dhe të varfërve. Tashmë diskutohet se vaksina është gati. Njerëzimi me sytë tek vaksina. Mbetet i vetmi shpëtim. Ndoshta 2021 do të jetë më i bukur, më i gëzueshëm, më i paqtë dhe më i begatë. Ja si shprehen artistët për vitin që po lemë pas dhe urimet për vitin e ri 2021.

Viti i Ri është koha në të cilën një vit i ri kalendarik fillon numërimin. Në shumë kultura, kjo festë festohet në të njëjtën mënyrë. Viti i Ri i kalendarit gregorian, sot në përdorim në mbarë botën, bie në 1 janar, ashtu siç ndodhte edhe me kalendarin romak. Ka kalendarë të shumtë që mbeten në përdorim rajonal që e llogarisin Vitin e Ri ndryshe. Sipas traditës katolike, 1 janar është dita e rrethprerjes së Jezusit (në ditën e tetë nga lindja e tij), atëherë kur iu vu edhe emri (Lluka 2:21). Për babilonasit, viti i ri fillonte me rilindjen e Tokës, domethënë me pranverën. Por, përse viti i ri festohet në dimër, në datën 1 janar? Sepse romakët antikë, vazhdonin të festonin vitin e ri në marsin e vonuar, por kalendari i tyre ishte i ‘sinkronizuar’ me diellin. Kështu Jul Cezari, në vitin 46 para Krishtit, krijoi atë që ende edhe në ditët e sotme është i njohur si kalendari Julian, që stabilizonte fillimin e vitit të ri ditën e parë të vitit, pra në një janar. Këtë ditë romakët ftonin miqtë e tyre dhe shkëmbenin dhuratë një vazo të bardhë me mjaltë dhe gjëra të tjera që ishin urim për fat dhe lumturi. Këtu ekzistonte dhe imazhi i Dea-s, e cila kishte domethënien e fatit dhe të lumturisë. Në shumë vende europiane, përdornin kalendarin Julian. Ndërsa të tjerët e festonin vitin e ri sipas kalendarit të tyre për shembull në 1 mars (Viti i Ri në Romën Republikane) 25 dhjetor (Krishtlindjet). Vetëm me përdorimin universal të kalendarit Gregorian (nga emri i papës Gregorio XIII, i cili e ideoi në vitin 1582), data e 1 janarit shënon fillimin e vitit të ri duke u bërë një gjë e përbashkët për të tërë. Data 1 janar është pranuar relativisht vonë në kulturën perëndimore si dita e parë e vitit. Deri në vitin 1751 në Angli dhe Uells (dhe të gjitha zotërimet britanike) viti i ri fillonte më 25 mars. Ndryshimi u bë në vitin 1600 në Skoci. Gjatë mesjetës disa ditë të tjera janë marrë si ditë të fillimit të vitit kalendarik (për shembull 1 marsi, 25 marsi, Pashkët, 1 shtatori, 25 dhjetori). Në shumë vende, të tilla si Republika Çeke, Italia dhe Britania e Madhe, 1 janari është festë kombëtare. Me përhapjen e kulturës perëndimore në shumë vende të tjera në botë gjatë shekujve të fundit, kalendari Gregorian është miratuar nga shumë vende të tjera si kalendar zyrtar, si dhe data 1 janar e Vitit të Ri është bërë globale, madje edhe në vende që kanë datën e tyre të fillimit të Vitit të Ri si Kina dhe India. U desh shumë kodë derisa data 1 janar të pranohej botërisht si standard i fillimi të Vitit të Ri.

Margarita Xhepa

Eh, ky vit! Vit që na ndau nga njerëzit, nga aktivitetet. Jetojmë në ankth dhe shpresë me besimin tek e ardhmja. Askush nuk e mendonte një murtajë të tillë. Dukemi si të izoluar në vitet e lirisë. Por kemi besim se do e kalojmë. Jeta do marrë ngjyrat e saj. Aktivitetet sërish do zbukurojnë Shqipërinë. Në 2021 besoj se do jetë dhe viti i hapjes së negociatave për në BE. Në horizont duken agime të reja, të ndezura dhe plot shpresë. Ne jemi një popull i vuajtur që kemi kaluar shumë vështirësi dhe e besoj se dhe tani do ta kalojmë. Jemi kalitur me vuajtjet. Shqiptarëve u takon një fat i bukur. Ju uroj të gjithëve gëzuar vitin e ri 2021. Suksese, begati, lumturi në familje. Ne meritojmë shumë si komb.

 Alida Hisku

Përshëndetje nga Gjermania e ftohtë. Dhe pse larg, me mendje dhe me zemër jam tek ty Atdheu im, tek ty Shqipëria ime. Kjo flamë na ndau nga takimet e drejtpërdrejta, por ne jemi me zemër të bashkuar. Kjo situatë duhet të na japë më shumë forcë, më shumë dashuri, më shumë besim tek e ardhmja. Ky vit që po lemë pas ishte për mua këtu në Gjermaninë e largët, viti që atdheu më mungoi shumë. Shijuam këto dy vite suksese, por dhe dy dhimbje siç ishte tërmeti i 26 nëntorit dhe Covid-19. Por largësia nuk na ndau, por na bashkoi më shumë. Të gjithë kishim nga një flamur të vogël në zemër. Të gjithë kishim fjalën Shqipëri në gojë. Të gjithë ne kudo në botë ju falëm zotit për njerëzit tanë, bashkëkombësit tanë. Në këto situatë bota na ndihmoi por edhe u habit nga solidariteti ynë, nga bashkimi ynë. Ne treguam se dimë të festojmë, se dimë të gëzojmë, se dimë të respektojmë dhe të ndajmë dhimbjen dhe të forcohemi. Gëzuar vitin e ri 2021 bashkëkombësit e mi kudo në botë! Gëzuar në mënyrë të veçantë, ju emigrantë, pasi Ju aty ku punoni dhe jetoni jeni një Shqipëri e vogël! Gëzuar!

Bashkim Alibali

Ky vit që po lëmë pas, ishte një vit i mbushur me probleme botërore. Ne meritojmë shumë, pasi jemi një popull punëtor, liridashës dhe me shumë kërkesa në jetë. U desh tërmeti i 26 nëntorit dhe ky virus që ne të zbulonim shumë cilësi të reja si bashkimi, vëllazërimi, solidariteti. Viti që vjen besoj se do ketë shumë të reja në jetën e popullit tonë. Besoj se ne do futemi shumë shpejt në Europë. Ne na takon shumë dhe Europa duhet të na marrë në gjirin e saj. Gëzuar vitin e ri 2021. Gëzuar të gjithë së bashku dhe ta ngremë një dolli për unitetin, për bashkimin. Vitit 2021 qoftë viti i shqiptarëve, viti i realizimit të ëndrrave shekullore! Gëzuar!

Luftar Paja

Në këto ditë të vështira dua që populli im në ditët e Vitit të Ri ti lëjë pas hallet, shqetësimet, problemet dhe të mblidhet në sofrën e Vitit të Ri plot shpresë dhe besim. Kami kaluar dy ngjarje të vështira këto dy vjet. Dy ngarje që na kanë lënë gjurmë të thella. Tërmetin e vitit 2019 dhe Covid-19 në vitin 2020. Por jeta kjo është. Ka të mira dhe të këqija. Ne tashmë jemi mësuar me situata të tilla. Me durim dhe këmbëngulje besoj se do t’i kalojmë këto situata. Presim nga 2021 hapjen e negociatave dhe zhdukjen e virusit. Besojmë dhe shpresojmë se zoti do e mbështesë Shqipërinë. Me besim tek vetja dhe tek e ardhmja le të themi mes nesh, Gëzuar Vitin e Ri 20121! Mbarësi në të gjitha aspektet e jetës!

Luan Zhegu

Jemi në pragndarjen e viteve. Dhe në këtë pragndarje bëhen shumë bilance. Po ti shohësh me syrin e një artisti shikojmë se kemi kaluar situata shumë të vështira. Janë dy vite që kanë lënë gjurmë tek vendi ynë. Tërmeti i nëntorit 2019 dhe Pandemia 2020. Situata që frenuan botën që frenuan zhvillimin dhe sollën depresion. Kjo situatë na bëri më të ndjeshëm dhe më të heshtur. Por shqiptari gjithmonë beson tek puna dhe te e ardhmja. Do e kalojmë këtë situatë. 2021 do jetë vit më i bukur, me plot aktivitete dhe mirëqenie. Viti që po ikën na la një plagë, por na bëri dhe më të fortë. Na bashkoi më shumë pas tërmetit dhe pandemisë. Gëzuar Vitin e Ri 2021! Gëzuar shqiptarë kudo që jeni dhe ky vit të rrisë begatinë në vatrat tuaja familjare!

 Reshat Arbana

Viti 2020! Vit mbushur me dhimbje pasi u larguan nga kjo jetë parakohe shumë nga miqtë tanë. Ishte vit i vështirë. Ishte vit me shumë situata. Ishte vit me suksese por edhe staniacione. Sa kaluam tërmetin, ja behu Pandemia. Ishin vitet e tërmetit të madh dhe të pandemisë së madhe. Por pamë se më i madh ishte bashkimi i shqiptarëve, ku ne si komb treguam unitetin aq më tepër shqiptarët kudo në botë. Viti i ri 2021 vjen ende mes entuziazmit të këtij uniteti. Ky vit besoj do jetë viti i shumë gëzimeve, i shumë sukseseve. Gëzuar vëllezërit e mi kudo në botë Vitin e Ri 2021! Lumturi paçi në familjet tuaja!

Kastriot Tusha

Po ikën viti 2020! Një vit që u duk sa një shekull. Një vit izolimi dhe brengosjeje. Fatkeqësia e 26 nëntorit na hapi një plagë, Pandemia e shtoi atë, por dhe tregoi solidaritetin tonë, forcën tonë të bashkim –vëllazërimit. Viti që vjen mendoj dhe besoj se do të ketë më shumë ngjarje të tjera siç është marrja e statusit të vendit kandidat për në BE. Pandemia do të zhduket. Shqipëria do buzëqeshë. Jeta do lulëzojë. Gëzuar Vitin e Ri 2021, gëzime paçi kurdoherë!

Jorgo Papingji

Po ikën, po ikën 2020. Po ikën duke na lënë disa plagë. Ikën në përjetësi disa shokë që ishin pjesë e jetës sonë. Kur mendonim se sukseset do vazhdonin pas tërmetit të 26 nëntorit bota përjetoi një ngjarje tjetër të rëndë, Covid-19. Ky virus hapi një plagë të madhe, një plagë që na rëndoi psikologjikisht Ishte në një moment delikat për shqiptarët. Dëshiroj që gjithë shqiptarët të mos kenë dhimbje të tilla, fatkeqësi të tilla. Gëzuar Vitin e Ri 2021! Kam besim se këto vite të vështira do harrohen shpejt nga kujtesa e shqiptarëve. Duam ta gëzojmë jetën, kryesisht të rinjtë. Ata nuk e pranojnë izolimin. Le të jetë ky vit i mbarësisë për shqiptarët kudo në botë.

Ylli Baka

Viti që po lemë pas na solli shumë shqetësime. Pandemia na izoloi. Kënga u largua nga sofrat shqiptare. Aktivitetet u venitën. Arti kaloi një situatë të vështirë. Por përsëri nuk ramë në pesimizëm. Besoj se më e keqja kaloi. Ne kërkojmë dhe punojmë për një të ardhme më të mirë, më të bukur. Viti i ri do na gjej me këngë, aktivitete, spektakle, me gëzim dhe hare. Boll më me shtrëngesa. Në horizont duket një qiell i kaltër. Buzëqeshja do u kthehet shqiptarëve. Ne meritojmë shumë. Na mungojnë dasmat, këngët, takimet me miqtë dhe shokët. Jeta jonë duhet të jetë këngë. E tillë do të jetë. Fati do jetë me shqiptarët. Viti i ri do ketë surpriza. Gëzuar dhe mirësi ne çdo familje shqiptare.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …