Urimi i kryetarit Bahtiri për festën e Kurban Bajramit

Kryetari i komunës së Mitrovicës z.Agim Bahtiri, me rastin e festës së kurban bajramit ju ka drejtuar qytetarëve me një urim ku ndër të tjera thotë:

Të nderuar drejtues të Bashkësisë Islame në Mitrovicë, të nderuar qytetarë të besimit islam, në emër të bashkëpunëtorëve të mi dhe në emrin tim personal, me kënaqësinë më të madhe, ju uroj Festën e Kurban Bajramit, një nga festat më të rëndësishme dhe më të bekuara për myslimanët.

Uroj që Festa e Kurban Bajramit të ju gjej të gëzuar dhe të lumtur, edhe më shumë të përkushtuar për të treguar devotshmërinë dhe dashurinë tuaj  ndaj Zotit të plotfuqishëm.

Jam i bindur se edhe kësaj radhe do të vije në shprehje të plotë bamirësia, solidariteti, uniteti dhe mirësia, me  shpresë se për këto vepra të mira  dhe besim të shprehur, Zoti i Madhërishëm do të na shpërblej, duke na udhëzuar që të jemi edhe më të devotshëm në të ardhmen.

Të nderuar besimtarë, ne në Mitrovicë, si askush më shumë në Republikën e Kosovës, duhet të respektojmë rrugën e drejtë dhe parimet e fesë islame, për të respektuar njëri-tjetrin dhe për të krijuar klimë mirëbesimi për të ndërtuar një ardhmëri më të mirë për fëmijët tanë se deri tash.

Besoj se me ndihmën e Zotit, ecuritë pozitive të muajve të fundit në drejtim të shtensionimit të situatës së përgjithshme dhe krijimin e kushteve për lëvizje të lirë dhe siguri të plotë, do të vazhdojnë me sukses deri në arritjen e synimeve tona të përbashkëta.

E pra qytetarë të nderuar të besimit myslimanë dhe ju drejtues të Bashkësisë Islame, duke shprehur keqardhje që nuk gjendem në Mitrovicë për të festuar së bashku, për shkak të obligimeve zyrtare, edhe njëherë ju uroj Festën e bekuar të Kurban Bajramit dhe ju dëshiroj gjithë të mirat.

Ndërkaq atyre qytetarëve që gjenden në Meke dhe Medine, ju uroj kryerjen e obligimit të  haxhit, me shpresë se Zoti i Madhërishëm do të ua pranoj.

Zoti e bekoftë Mitrovicën dhe qytetarët e saj, thuhet në urimin e kryetarit të komunës së Mitrovicës z.Agim Bahtiri, drejtuar qytetarëve me rastin e festës së kurban bajramit.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …