Në këtë ditë të shënuar të 8-Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, rikujtojmë rolin e pazëvendësueshëm të femrës sonë në rrugën historike të kombit tone; në ndërtimin dhe zhvillimin e shoqërisë, në kohërat më të stuhishme nëpër të cilat kaloi vendi ynë. Gruaja kosovare ishte pjesë e rëndësishme e të gjitha proceseve të ndërtimit të vendit, e barabartë në përgjegjësitë dhe kontributin e saj në të gjitha kohët. Ajo sot është bartëse e funksioneve shumë të rëndësishme dhe pjesë e të gjitha institucioneve në nivele lokale dhe atyre të vendit, duke dhënë kontribut të pamohueshëm për krijimin e hapësirave të reja për gratë, por edhe duke i dhënë kontribut të konsiderueshëm zhvillimit të gjithmbarshëm të shoqërisë sonë. Institucionet e Republikës së Kosovës, por edhe ne si Qeverisja komunale, do të bëjmë edhe më shumë për krijimin e hapësirave të reja për kontributin e gruas në të mirë të familjes, shoqërisë dhe vendit. Gëzuar 8 Marsin të gjitha grave, vajzave, nënave dhe motrave shqiptare.