Në Shkollën e Mesme të Lartë “Xhelal Hajda – Toni” në Rahovec ka filluar të zbatohet faza e parë e Programit për përkrahjen e adoleshentëve pas mësimit të rregullt (ASSET) i financuar nga USAID-i në bashkëpunim me DKA-në. ASSET-i është iniciativë e dizajnuar të zhvillojë shkathtësi për punësim dhe ndërmarrësi tek të rinjtë, duke krijuar botëkuptim pozitiv për të ardhmen e tyre. Motoja e ASSET-it është “Përgatitja e të rinjve të Kosovës për jetë dhe punë në shekullin 21”. Aktivitetet kryesore të ASSET-it janë:
– Themelimi i qendrave për karrierë dhe ndërmarrësi në shkolla;
– Përkrahja e edukimit për karrierë dhe ndërmarrësi;
– Lidhja e nxënësve me punëdhënës dhe komunitet.
Në fazën e parë të realizimit të këtij programi në SHML “Xhelal Hajda-Toni”, përkatësisht në 2 klasë të kësaj shkolle, po bëhet pajisja me inventar, e pastaj do të sillen edhe pajisje të sofistikuara, të cilat do të jenë në shërbim të nxënësve për zhvillimin e aftësive të tyre krijuese. Ky projekt realizohet pas marrëveshjes që është bërë me Qendrën për Arsim të Kosovës (KEC), më 23 Maj të këtij viti.