leoni

Ushtrimi fushor “Mirusha 2017” mbahet më 11 dhe 12 korrik

Ushtrimi fushor “Mirusha 2017”,  do të mbahet më 11 dhe 12 korrik dhe për mbajtjen e këtij ushtrimi janë bërë të gjitha përgatitjet nga ana e Komunës së Malishevës dhe Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave (AME). Ushtrimi do të bëhet me qëllim të vlerësimit të kapaciteteve reaguese në rastet emergjente që mund të ndodhin. Për organizimin e këtij ushtrimi, është mbajtur takimi i fundit i ekipit punues, i cili është drejtuar nga nënkryetari i Komunës së Malishevës, Rexhep Mazreku, ku edhe është prezantuar skenari i mbajtjes së këtij ushtrimi. Qëllim i ushtrimit fushor “Mirusha 2017”, është menaxhimi i situatave emergjente, vendimmarrja në këto raste, koordinimi i aktiviteteve të qeverisë komunale, organizatave vullnetare dhe sektorit privat dhe reagimi i tyre në situata emergjente apo në incidente të mëdha. Po ashtu qëllim tjetër është edhe testimi dhe përmirësimi i operacioneve emergjente, alarmimit, reagimit, evakuimit, strehimit, kujdesit në masë dhe fuqizimi i koordinimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional. Më datë 11 korrik 2017, do të mbahet “ushtrimi në tavolinë”, ndërsa më 12 korrik do të mbahet ushtrimi fushor, ku është planifikuar të mbahet rreth liqenit në Mirushë. Në këtë ushtrim do të jenë të përfshira të gjitha ekipet e reagimit dhe të emergjencave, si njësitë e zjarrfikësve dhe shpëtimit, Policia e Kosovës, ekipet shëndetësore, organizatat vullnetare dhe sektori privat. Gjatë ushtrimit do të inskenohen tri aksidente, ku përfshihen vërshimet, aksident në komunikacion dhe aksident zjarri. I gjithë ushtrimi do të mbikëqyret dhe vlerësohet nga AME, UNDP dhe organizmat tjerë. Me këtë rast, luten qytetarët e Komunës së Malishevës, që të mos shqetësohen gjatë mbajtjes së ushtrimit dhe në rastet e caktuara, të shfrytëzojnë rrugët alternative për lëvizjen e tyre. Në fillim të javës së ardhshme, qytetarët do të njoftohen në hollësi për ushtrimin fushorë “Mirusha 2017.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …