Familja Sopi e Llapushnikut, për afër një shekull, në periudhat më të rëndësishme për fatin e kombit tonë, ka dhënë prova se ruajtja e substancës kombëtare në këto troje dhe lufta për liri e bashkim është mbi të gjitha.
Që nga ripushtimi i Kosovës nga Serbia më 1912-1913 e deri në luftën e fundit të UÇK-së, burrat e kësaj familjeje kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme me ata atdhetarë, të cilët çështjen kombëtare e kanë pasur prioritet mbi të gjitha prioritetet. Qazimi, gjyshi i dëshmorit të lirisë Valdet Sopi, ka mbajtur kontakte me familjen e njohur Berisha, me burrat e së cilës, jo rrallë herë janë takuar në odën e tij në Llapushnik për të shkëmbyer mendime dhe koordinuar veprimet në drejtim të organizimit të një kryengritjeje për të kundërshtuar aneksimin e Kosovës nga Serbia. Për këtë qëllim, një kohë të gjatë burrat e familjes kanë qenë të maltretuar, të persekutuar dhe të ndjekur nga organet e pushtetit serb. Babai i Valdetit, Qerkini në vitin 1953 ishte arrestuar dhe me vendim të gjykatës ushtarake të Nishit në Serbi ishte denuar me 7 muaj burg, të cilin edhe e kishte vuajtur.
Valdet Sopi u lind më 26.5.1965 në Llapushnik. Prindërit Qerkin e Kadë Sopi lindën gjashtë djem: Elmiun, Hamdiun, Haradinin, Hajrullahun, Valdetin dhe Safetin. Katër vjet të shkollimit fillor Valdeti i kreu në Llapushnik, kurse katër të tjerat në shkollën fillore ”Jeta e re” në Komoran. Shkollën e mesme e kryen në Drenas, drejtimi ekonomik.
Në prill të vitit 1981 shpërthyen demonstratat me kërkesën për Republikë, e cila gjeti përkrahje të fuqishme edhe në Drenas dhe në fshatrat e tij. Mbështetje e demonstratave u bë edhe Llapushniku e posaçërisht familja Sopi. Tre muaj pas këtyre demonstratave, babai i Valdetit, Qerkini dhe axhai Nuhiu arrestohen si pjesëtarë të grupit që vepronte në kuadër të Lëvizjes për Bashkimin e Trojeve të okupuara nën ishJugosllavi, me Shqipërinë. Kështu, Qerkinin më 17.8.1981, Gjykata e Qarkut në Prishtinë e dënoi me 8 vjet burg, Nuhiun me 7 vjet, kushëririn e tyre, Ismetin me 14 vjet, ndërsa bashkëfshatarët dhe veprimtarët, Bajram Gashin me 15, kurse Alush Thaçin me 13 vjet burg.
Duke qenë pjesëtar i kësaj familjeje, nuk kishte si të ndodhte ndryshe, prandaj në zhvillimet e mëvonshme të viteve ’90 të shekullit 20, gjithë familja do të vihet në shërbim të kauzës kombëtare. Valdeti ishte pjesëmarrës i demonstratave të viteve 89/90, e deri te lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku tërë potencialin e tij fizik, ushtarak e material, individual e familjar, e vuri në shërbim të luftës për liri.
Më 8 e 9 maj 1998 u zhvillua beteja e parë në Grykë të Llapushnikut, ku pas një rezistence titanike të luftëtarëve të UÇK-së, forcat serbe i tërhoqën zvarrë të vrarët dhe të plagosurit e tyre, kurse në fushën e betejës mbetën pjesë të skeletit të makinës luftarake e hedhur në ajër nga UÇK-ja. Që nga kjo datë e deri më ofensivën e njohur të 25 e 26 korrikut të vitit 1998, njësiti “Çeliku” vendos pikën kryesore, e cila do ta ketë për obligim që me trupat e tyre të mbrojnë një territor të gjërë dhe një sërë detyrash të natyrës ushtarake.
Valdeti, së bashku me të rinjtë e tjerë të lagjes Sopi dhe Gashi u angazhua për hapjen e istikameve, në roje dhe vëzhgim të terrenit, si dhe për sigurimin e bukës për luftëtarë dhe civilë.
Të gjitha shtëpitë dhe objektet tjera kaluan në shërbim të luftëtarëve dhe për nevojat e luftës. Detyrën e ushtarit të logjistikës do ta kryejë me nder e me sukses të plotë deri më ofensivën e 25 e 26 korrikut 1998, atëherë kur forcat e armikut arrijnë ta fitojnë një betejë, por jo edhe luftën.
Më 17.9.1998, në fshatin Shtrubullovë, ku ishin strehuar mijëra të zhvendosur, Valdeti u zu nga forcat serbe dhe fillimishtu dërgua në burgun e Prishtinës e më pas në atë të Lypianit.
Burg pas burgu, Valdetin me shumë robër të tjerë lufte e transferojnë në burgun e Dubravës.
Më 23 maj 1999, Valdeti, nxirret nga qelia e burgut të Dubravës me pretekstin e transferimit në një burg tjetër për çështje sigurie. Mirëpo, në oborrin e burgut e presin eskadronet e vdekjes të armatosura me armë llojesh të ndryshme të gatshme për të vrarë të burgosurit duarlidhur shqiptarë.
Breshëri plumbash nga të të gjitha anët u zbraz mbi trupat e robërve shqiptarë. Plumbat godasin edhe Valdetin, trupi i të cilit ishte zhytur në pellgun e gjakut djemve shqiptarë të zënë robër, të cilët ranë për të ngelur përherë në kujtesën e popullit.
Me përfundimin e luftës çlirimtare, trupi i Valdetit është identifikuar në varrezat e Rakoshit të komunës së Burimit.
Ceremonia e rivarrimit të Valdetit është organizuar më 14.4.2000 në Varrezat e Dëshmorëve në Negroc.
Përveç dëshmorit të kombit Valdet Sopi, pjesëmarrës i luftës ka qenë i vëllai Elmiu, në cilësinë e komandantit të kompanisë në kuadër të Brigadës 121, djali i vëllait, Bekimi, pjesëtar i policisë ushtarake dhe tërë familja e tij e ka ndihmuar në forma të ndryshme luftën çlirimtare.
Disa muaj pas ekzekutimit të Valdetit, Gjykata e Nishit ka mbajtur seancën gjyqësore ku është “shqyrtuar” lënda për veprën e tij “penale” dhe është shpallur verdikti!
Valdeti ka qenë i martuar, por nuk ka lën trashëgimtar.
Emri i tij gjendet i gdhendur në Pllakën e ngritur në Grykë të Llapushnikut në shenjë kujtimi dhe respekti për 32 dëshmorët dhe martirët e këtij fshati. (I. S.)