Shefi i Zyrës së Kosovës në Beograd, Valdet Sadiku ka alarmuar lidhur me kontaktet e pandërprera të përfaqësuesve të Gjykatës Speciale kundër UÇK-së me autoritetet më të larta në Serbi. Ai i ka adresuar zyrtarëve të MPJ-së informacione mbështetur në një burim të tij, ku bëhet e ditur se përfaqësues të Gjykatës Speciale ditëve të fundit kanë pasur takime me autoritetet në Beograd, madje edhe me vetë kryetarin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili ka premtuar se do t’i ofrojë mbështetje maksimale Gjykatës, si në aspektin logjistik, ashtu edhe sa i përket bashkëpunimit me institucionet serbe. Të gjitha akuzat e pas luftës kundër qindra ushtarëve dhe eprorëve të UÇK-së qofshin në gjykatat ndërkombëtare apo vendore janë bazuar në dosjet e Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë të vitit 1999-200o të kohës së regjimit të Milosheviqit. Ato dosje do të jenë bazë e të gjitha akuzave të Gjykatës Speciale kundër UÇK-së, të cilën e kanë pranuar krerët më të lartë të luftës dhe shumica dërrmuese e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të koalicionit PDK-LDK.
