Valdet Salih Xhemajlaj (19.10.1976 – 26.9.1998)

Valdet Salih Xhemajlaj (19.10.1976 – 26.9.1998)

Valdet Xhemajlaj u lind më 19 tetor të vitit 1976 në Prishtinë. Shkollën fillore e ka kryer në Abri të komunës së Drenasit, ndërsa shkollën e mesme teknike në Drenas, drejtimi teknik i makinerisë.
Kontaktet e para me Lëvizjen Popullore të Kosovës i kishte vënë në vitin 1996. Valdeti ishte njëri prej nxënësve që kishte përjetuar shumë maltretime nga policia serbe, gjatë kohës sa ishte nxënës i shkollës së mesme, sidomos gjatë udhëtimit me tren në relacionin Fushë Kosovë-Pejë.
Kontaktet e para me UÇK-në i kishte në fillim të vitit 1997, ndërsa pjesëtar i saj u bë në mars të po këtij viti, duke u inkuadruar në grupin ilegal të Abrisë. Më pas nga ky grup u formua pika ushtarake “Guri 1,2,3”. Fillimisht Grupin e Abrisë e përbënin Jahir Demaku, Rasim Kiqina, Muharrem Xhemajli, Imer Xhemajli, Jahir Hajdari, Fadil Demaku, Isa Xhemajli, Daut Xhemajli, Sabit Lladrovci, Sokol Ramaj, Zenë Demaku etj.
Dëshmori Valdet Xhemajli ka qenë njëri prej themeluesve të pikës GURI, ndërkaq me strukturimin e formacioneve të para të UÇK-së u emërua epror në Batalionin e Dytë të Brigadës 113 të Zonës Operative të Drenicës.
Gjatë kohës së veprimit ilegal ishte marrë edhe me furnizimin me armatim të grupeve të luftëtarëve. Kishte bërë transportin e një kontingjenti të armatimit dhe pajisjesh të tjera për njësinë speciale nga Drenoci i Malishevës deri në Abri.
Ushtrimet e para ushtarake i mori në kushte ilegaliteti nga grupi në të cilin ishte inkuadruar. Ai kishte njohuri të mëhershme për armët pasi armën e kishte pasion.
Valdeti ka marrë pjesë në beteja të shumta në Drenicë dhe në zona të tjera operative, duke filluar nga Prekazi, me rastin e sulmit mbi Jasharajt në janar të vitit 1998. Ishte pjesëmarrës në luftimet e zhvilluara në Grykën e Llapushnikut, më 9 maj 1998, ku edhe ishte plagosur. Pastaj merr pjesë në luftimet e zhvilluara në Rezallë e Morinë në verën e vitit 1998, me ç’rast plagoset përsëri. Gjithashtu ka marrë pjesë në luftimet në Dollc, Aqarevë, Likoc etj.
Shokët më të ngushtë me të cilët ka vepruar dëshmori Valdet Xhemaili kanë qenë Jahir Demaku, Rasim Kiqina, Muharrem Xhemajli, Musa Jashari, Imer Xhemajli, Jahir Hajdari, Fadil Demaku, Isa Xhemajli, Daut Xhemajli, Sabit Lladrofci, Sokol Ramaj, Zenel Demaku, Nexhat Demaku, Bedri Demaku, Afrim Hajdaraj, Arben Xhemajli, Isuf Xhemajli, Xheladin Xhemajli etj .
Valdet Xhemajli ka rënë në altarin e lirisë më 26 shtator të vitit 1998 në fshatin e tij të lindjes, në Abri. Valdeti së bashku me Afrim Hajdarajn, Vesel Demakun, tani të dy dëshmorë dhe Arben Xhemajlin, i plagosur rëndë në këtë betejë, kishte organizuar një pritë te vendi i quajtur Lugu i Gojfileve, kundër forcave serbe që donin të depërtonin te popullata civile në malet ndërmjet Abrisë, Tërdecit dhe Murgës, te Kroi i Vaut. Në këto luftime, forcat serbe të këmbësorisë kishin pësuar humbje të konsiderueshme. P as dy orë luftimesh, në altarin e lirisë bien Valdet Xhemajli, Afrim Hajdaraj dhe Vesel Demaku, kurse ishte plagosur rëndë Arben Xhemajli.
Varrimi i Valdetit dhe Afrimit u organizua në kushte lufte, në afërsi të vendit ku kishin rënë, në malet e Abrisë, kurse dhjetë ditë më vonë u bë rivarrimi i tyre në Abri, më 6 tetor 1998.
Për Valdetin janë botuar shkrime gazetash kurse heroizmi i tij është fiksuar edhe në libra të ndryshme kushtuar luftës çlirimtare të UÇK-së. Familja e dëshmorit Valdet Xhemajli ka marrë mirënjohje nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme. (I. S.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …