Më datën 27 të muajit të “qershisë” përkujtohet dita e gjenocidit të barbarëve grekë ndaj çamëve. Shteti grek dhe personalitet publike greke, pa fije turpi dhe civilizimi njerëzor, përpiqen ta fshehin dhe ta mohojnë këtë barbarizëm me të gjitha mënyrat.
Ky gjenocid u ushtrua ndaj çamëve të pafajshëm, vetëm sepse ishin shqiptarë. Mu për këtë arsye, të gjithë ne duhet ta përkujtojmë dhe ta bëjmë të njohur botërisht këtë fakt me manifestime, dosje presion, nëpërmjet kanaleve zyrtare shtetërore dhe diplomatike…
Pra, kërkohet nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, dhe homologu i tij në Kosovë, Albin Kurti t’i sigurojnë të gjithë shqiptarët se nuk do të pranojnë të manipulohen nga shefi aktual i Internacional Socialiste, ish-kryeministri grek Jorgos (Giorgos) Papandreu, në lidhje me përkujtimin publik shtetëror të kësaj date.
Shqiptarët e dinë se Partia Socialiste e Shqipërisë dhe Lëvizja Vetëvendosje janë anëtare të Internacionalistes. Papandreu edhe pse shtihet (“shtihohet” thuhet në Kosovë) si internacionalist dhe paqësor në rolin e tanishëm, ky njeri është në fakt një shovinist dinak grek. Gjithmonë ua ka mbajtur anën barbarëve që e kanë kryer gjenocidin në Çamëri e kurrë viktimave.
Nuk pritet nga Rama dhe Kurti të jenë dinakë ndaj shefi të tyre apo babai të tyre shpirtëror (siç ishte Stalini për Enverin) por vetëm të kenë një logjikë të pastërt njerëzore dhe qytetare. Përkundrazi, të dy kryeministrat shqiptarë të jenë të saktë ndaj popullit të tyre. Papandreu do ta bënte të njëjtën gjë po të ishte në vendin e tyre! (Le t’ia japin këtë argument shefit po i qortoi dhe i kërkcënoi me tërheqje veshi apo shpullë!)
Ja pse kërkesa e formuluar këtu nuk është e tepruar: Po t’i kishte thënë Stalini Enverit ta mbyllte gojën, në nivel ndërkombëtar) në lidhje me gjenocidin e grekëve ndaj çamëve, shoku Enver do ta dëgjonte. Mbase edhe i ka thënë! Apo jo?
Rama dhe Kurti duhet ta evitojnë një të ardhme të afërt ku në Historinë shqiptare të Çamërisë do të shkruhet: “Në vitet 20 të shekullit 21 kishte manifestime dhe aktivitete më të rëndësishme për njohjen e gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë në Gjermani, Holandë e Turqi sesa në trojet shqiptare. Në atë kohë, një grek i cili SHTIHOHEJ si internacionalist ishte babai shpirtëror i kryeministrit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës”…