Krismat e Komandantit legjendar Adem Jashari në Prekazin e Ahmet Delisë e të Tahir Mehës, rezistenca e 24 marsit në Gllogjanin e Haradinajve, beteja te “Diga e Radoniqit” e në Sukë të Cermjanit më 20 prill 1998, ngritja e flamurit kombëtar të Akademisë Ushtarake “Hamëz Jashari” në Açarevë, themelimi i Qendrës Stërvitore në Shqiponjë dhe numri i madh i aksioneve guerile në Drenicë, Dukagjin, Pashtrik, Nerodime, Karadak, Llap e Shalë, shënojnë vargun e ngjarjeve të rëndësisë primare për dëshmitë e prezencës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për simpatinë që shfaqej nga rinia e të gjitha trojeve etnike e diaspora, për popullaritetin dhe përkrahjen e madhe, për mbështetjen e pakursyer logjistike dhe për përqafimin e idealit të lartë e të vlerave sublime që sendërtonte ushtria që mbiu nga ilegalja e doli pa perde e pa u penduar për barrën historike që mori mbi supe. Një ideal i këtillë e i shenjtë lidhi pjesëtarët e shtresave, profesioneve, thirrjeve, ideologjive dhe grupmoshave të ndryshme të cilët i bashkonte qëllimi i lartë dhe flamuri rreth të cilit ishin dhe mbetën të përbashkuar.
Në plejada të këtilla, në strukturat e “Djemve të Dukagjinit”, pa hezitim dhe me kohë u radhitën edhe djelmoshat si Albesian Salih Mataj, Adonis Haxhi Beci, Armend Sefedin Qymyri, Bashkim Mustafë Idrizi, Besim Masar Bistrazhini, Bujar Esat Syla, Bujar Haki Roka, Dashmir Asllan Krasniqi, Dritan Mujë Zeneli, Dukagjin Ruzhdi Vula, Elton Gëzim Zherka, Genc Mustafë Bytyçi, Ilir Mazllom Soba, Korab Masar Binxhia, Kushtrim Nexhmedin Hoxha, Përmet Ilir Vula, Sadri Shaban Lokaj, Sadedin Hysen Shehu, Yll Avdullah Morina, Visar Idriz Miftari, Visar Besim Juniku, Xhafer Haxhi Lipoveci, Xhafer Rexhë Thaçi, Xhemajl Idriz Avdullahu, Dominik Tush Përgegaj e Valon Hamdi Mala, që shkëlqyen si meteorë, u sistemuan nëpër brigadat “Jusuf Gërvalla”, “Myrtë Zeneli”, “Adrian Krasniqi”, “Bedri Shala”, “Agim Zeneli”, “Rugova”, “Agim Ramadani” e “Gjakova”, për t’u bërë “Yjet e Gjakovës”, yll si Yll Morina, djemtë e “Nënçabratit” që braktisën qytetin rrëzë Çabratit dhe morën përjetësinë në Koshare e në Gllogjan, në Shqiponjë e në Shishman, në Lipovec e në Milishec. Në këtë plejadë shquhej atëherë, por edhe sot, dëshmori, ndër më të rinjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zona Operative e Rrafshit të Dukagjinit, Brigada 131 “Jusuf Gërvalla”, djaloshi, yll i Gjakovës, Valon Hamdi Mala, atëherë i pababë e sot edhe i panënë, bash si djelmoshat e Oso Kukës.
Valon Hamdi Mala, dëshmor i kombit, është i lindur në Gjakovë, në një lagje pranë shtëpive të amshueshme të bijëve më të mirë të kombit, më 27 tetor të vitit 1981, doli në dritë në ditët më të stuhishme kur filloi “Vallja e Haresë së Madhe” dhe u rrit nën ritmin e kërkesave për liri e pavarësi, nën trokun e skamjes dhe të varfërisë, të cilat e shoqëronin babën Hamdi dhe nënën Sabrie Mala. Me skamje e varfëri, Malajt rritën Shpresën, plot shpresa për ditët më të mira, Shyq;riun, Laurën dhe Valonin i cili tërë fëmijërinë e kaloi me Dominik Tush Përgegajn, prej të cilit nuk e ndanë as stuhitë e viteve ’80 – ta e as betejat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës deri më 17 dhjetor të vitit 1998 kur u përjetësuan së bashku, në kohën kur ende kishin nevojë për lodra e ëndrra rinore. Shkollën fillore e mbaroi në Gjakovë me dëshirë që të regjistrohet në Shkollën e Mesme Ekonomike, pasiqë familja Mala tradicionalisht kishte burra të pushkës e të penës, por edhe të ndjekur, të burgosur dhe të vrarë. I ungji i Valonit, profesor Demlush Mala, qe vrarë nga forcat udbashe serbe, por pa ideal të thyer. Si nxënës i shkollës së mesme, arrestohet disa herë, maltretohet si fëmijë nëpër bisedat informative, por për shkak të moshës së mitur nuk burgoset, mirëpo detyrohet për ta braktisur shkollën e mesme dhe së bashku me shokun e idealit, Dominikun e Tush Përgegës, kap Gllogjanin më 6 dhjetor të vitit 1998. Kështu “Picimuli” i Gjakovës dhe “Loni”, siç njiheshin në Gllogjan, për pak ditë u bënë tandemi më i pathyeshëm, u vëllazëruan në fushëbeteja dhe mbetën shembull i luftës së përbashkët. Të dytë ëndërronin që të rriten në “Lajthishtet” e Gllogjanit, buzë Lumëbardhit e në Sukë të Cermjanit dhe të bëhen si Adem Jashari e Luan Haradinaj, kurse me luftë ta çojnë në vend amanetin e Himës, Gazmendit, Arbenit dhe Agronit. Por edhe veprimtaria luftarake e Valon Malës nuk ishte më e gjatë se ajo e Dominikut, sepse jeta i ka disa ligje të veta që nuk u premtonin më shumë. Valoni bëri përpjekje mbinjerëzore për moshën që e kishte, që ta shfrytëzojë çdo çast në mënyrë që të ushtrojë dhe të përgatitet sa më mirë për njohjen e lugjeve dhe të kodrave të Gllogjanit, kah Irzniqi, kah Ratisha, kah Rakoci, kah Shapteji, kah Shqiponja, kah Baballoqi, kah Gramaçeli e kah Hereqi, ta njihte “Sukën e Madhe” e “Sukën e Vogël”, terrenet e zonës së përgjegjësisë të cilën e kontrollonte Brigada 131 “Jusuf Gërvalla”, që drejtohej nga Shkëlzen Hilmi Haradinaj, dëshmor i kombit, sot në përjetësi pranë vëllezërve, Luanit e Enverit, pranë njëzetë e tre dëshmorëve të Gllogjanit e pranë mbi gjashtëqindë dëshmorëve të Rrafshit të Dukagjinit, së bashku me Valon Malën e Dominik Përgegën.
Në këtë çerdhe të rezistencës kombëtare, Loni i kaloi ditët më të tmerrshme, por edhe më të guximshme e më të lavdishme. U rrit këtu dhe u bë i madhërishëm, iu realizua ëndrra rinore që të jetë në mesin e luftëtarëve të lirisë, që ta ketë pushkën në shënjestrën e të cilës shihte fatin e kombit dhe rrugën e shpëtimit kombëtar e së andejmi edhe të bashkimit të trojeve etnike, ëndërr që edhe vetë të bëhet luftëtar dhe u bë, madje shembullor dhe i gatshëm për të zbatuar çdo urdhër. Sapo i kishte mbaruar stërvitjet e para me instruktorët e Zonës Operative të Rrafshit të Dukagjinit e të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, asnjë hap nuk e bënte pa çapkënin tjetër nga Gjakova me të cilin ishte rritur rrëzë “Çabratit Krenar”, matanë e këtej Krene, duke dëgjuar rrëfime për Sulejman Vokshin dhe për betejat heroike të krerëve të Malësisë, nuk e bënte pa Dominikun e teta Verës.
Në Gjakovë, nënë Sabria mendonte se Loni është diku nëpër farefis, nëpër lagje të Gjakovës apo te Përgegajt, sepse nga mosha që kishte Loni, nuk ia merrte mendja se Ai gjendet nëpër istikamet e Gllogjanit, “Shavaret” e Baballoqit e të Gramaçelit, apo rrëzë “Sukës së Biteshit”. Por, si duket ëndrrat ia patën diftuar se në ato ditë të dhjetorit edhe Loni ishte betuar se do të qëndrojë si burrat deri në çlirimin e Kosovës, se do të luftojë dhe se do t’i shijojë frytet e luftës së vet. Dhe u bind kjo nënë malësore, se i biri, që në atë moshë, e kishte kuptuar se çlrimi nga dhuna serbo – çetnike është detyrë kryesore e çdo shqiptari, “Prej luftës veç ai largohet, që është i lindur tradhëtor” e Lonit nuk ia donte as të largohej e as të priste, sepse madhështia ia donte luftën. Kështu mendonin atyre viteve nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, studentët dhe profesorët të cilët braktisën proceset mësimore dhe shtegtuan për t’u armatosur. Edhe Valoni kështu e kuptoi altruizmin e bashkëluftëtarëve më të devotshëm, sot dëshmorë të kombit, të cilët me kohë iu bashkuan Jasharajve dhe Haradinajve. Dëshmori i ri i Gjakovës, Valon Mala me vetëm gjashtëmbëdhjetë pranvera, më 6 dhjetor të vitit 1998, del në pozicionet e para, i sistemuar në Brigadën 131 “Jusuf Gërvalla” me të cilën komandonte legjenda e luftës guerile dhe frontale, komandant Shkëlzeni, sot dëshmor i kombit që prehet në oborrin e “Kullës së Qëndresës” dhe shkëlqen në bronz me rreze lirie në Pejën e Haxhi Zekës e të Skënder Çekut.
Në betejën e 17 dhjetorit komandanti ushqehej me krenari nga madhështia e djelmoshave dhe shikonte vrapin e rrufeshëm e buzëqeshjen e djelmoshave nga Gjakova, Valon Hamdi Malës e Dominik Tush Përgegës, ndërsa edhe djelmoshave u shtohej krenaria se ishin në vijën e parë të frontit së bashku me “Djemtë e Dukagjinit”. Por, pikërisht në këtë ditë gjatë operacioneve për shpërthimin e rrethimit të hekurt të Gllogjanit, zhvillohen luftimet më të vrazhda të atij pragdimri. Në saje të aftësive të jashtëzakonshme të komandant Shkëlzenit, luftëtarët e Brigadës 131 me luftë të vendosur shpërthejnë, depërtojnë e ripozicionohen në fshatin Ratish dhe përforcojnë vijën frontale: Ratishi i Epërm, Llukë e Poshtme, Pazhar, Dashinoc e Lumëbardh dhe së bashku me Birgadën 134 i thyejnë forcat serbe, por Valon Mala dhe Dominik Përgega mbetën në Gllogjan të murosur në themelet e lirisë së Kosovës. “Djemtë e Dukagjinit” bënë përpjekje maksimale dhe sakrificë mbinjerëzore për t’i tërhequr djelmoshat e “Nënçabratit”.
Policia serbe, djelmoshat e përjetësuar; Valonin dhe Dominikun i varrosi në varrezat e Gjakovës ndërsa më 22 korrik të vitit 1999 të dytë rivarrosen me nderime të larta ushtarake dhe sot pushojnë në “Kopshtin e Dëshmorëve” të Gjakovës, pranë “Yjeve të Gjakovës”. Atë ditë e tetë vjet rresht, shtëpinë e amshueshme të Lonit me shokë e vizitoi nëna Sabri, por e lodhur dhe e dërmuar, edhe ajo u plandos pranë kësaj lagje të përjetësisë në mënyrë që t’i bashkohet Lonit, të cilin e rriti me aq krenari për t’ia dhënë Kosovës. Në kulmin e molisjes, i lë amanet zonjës Verë Përgegaj që së bashku me Dominikun e Vogël ta vizitojë “Kopshtin e Dëshmorëve” e të mburret edhe me Lonin si me Domonikun. (S. C.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …