leoni

Vangjel Sako

Vangjel Sako: Enver Hoxha dhe Lulzim Basha, ngjashmëritë dhe kundërshtitë

Në këtë botë 7-8 miliardëshe është e vështirë të gjesh dy të ngjashëm plotësisht.

Edhe dy binjakë që kanë jetuar të përqafuar për nëntë muaj në të njëjtën “shtëpi” e kanë nga një të veçantë që i dallon nga njëri-tjetri. Të përafërt pastaj gjen plot, pambarim.

Në përshkrim fizik, në mentalitet politik dhe në veprime praktike edhe Enver Hoxha edhe Lul Basha kanë shumë të përafërta siç kanë edhe shumë kundërshti me njëri-tjetrin.

Veçanërisht pas këtij kongresi të fundit të Partisë Demokratike ngjashmëritë dhe kundërshtitë bëhen më evidente.

Përngjasimet fizike janë vënë në dukje vite më parë sa edhe vetë Luli ka deklaruar se “kanë dashur të më bëjnë me zor edhe djalin natyral të Enver Hoxhës”.

Përngjasimi i dytë është “trashëgimia” që Enver Hoxha i ka lënë Lul Bashës për të qenë lojtar aktiv në politikën shqiptare apo vetëm rastësia i bëri ata me emër në këtë fushë. Në këtë drejtim lind edhe kundërshtia e parë:

Enver Hoxha vërtet luftoi 4-5 vjet në ilegalitet dhe maleve, por sapo e mori pushtetin, përballoi çdo furtunë, të brendshme dhe të jashtme dhe e mbajti atë për gati 50 vjet. Lul Basha ka nja dymbëdhjetë vjet që lufton me thonj e me dhëmbë për ta marrë këtë pushtet dhe nuk po ia del dot.

Duket se demokracia me rregullat e saj moderne e ka zbutur nervin e smirës së marrjes së pushtetit dhe e bën Lulin të presë ende sa të piqen kushtet për t’u ngritur në majë të shtetit, ashtu si Maliqi i famshëm tek Marigoja që priste të rriteshin fiqtë.

Përngjasimi i radhës ka të bëjë me mënyrën e perceptimit të fushatës elektorale nga dy të lartpërmendurit.

Ju kujtohet Hoxha kur merrte rrugët edhe deri në Tropojën e largët dhe ulej gju më gju me popullin e thjeshtë dhe ndizte nga një cingare?

I njëjtë edhe Luli, shkon dyqan më dyqan e takohet e qan hallet me pronarët dhe u premton se sa të vijë ai në pushtet, ata “do të hanë me lugë floriri”. Lëre pastaj ngjashmëritë në kongrese.

Ashtu siç bënte Enveri që pa u ulur në vend takonte ata që ishin me afër kalimit dhe kishin ardhur nga fabrikat, uzinat apo fushat e grurit edhe Luli shqeu krahët duke takuar delegatët që më së shumti qëlluan të njohur kombëtarë si Mark Marku apo Xhelal Mziu.

Lëre pastaj presidiumi.

Ashtu siç respektonte Enveri xha Pilon, Manush Myftiun apo Spiro Kolekën edhe Luli kishte zgjedhur xha Jeminin, Palokën që ende i thotë spiunit – “thpiun” dhe Vokshin e plakur a thua se midis 7000 delegatëve nuk mund të gjente një vajzë më të freskët, më të bukur, por edhe më të zgjuar se ajo.

Po “ujku” i politikës dinte dhe ca hilera që i kishte mësuar në Francë ndoshta: në çdo kongres promovonte ose një të ri dhe të re ose një prurje nga klasa punëtore apo fshatarësia kooperativiste.

Luli nuk arriti ta bënte këtë dhe mbeti përsëri tek Gaz Bardhi, ndonëse ai mori kritika pa fund. Dhe thelbi, raporti. Ashtu siç Enveri i mbante të mbërthyer sy e veshë të gjithë nga raporti i tij edhe Luli u përpoq të bënte të njëjtën gjë. Ata që janë pak më të mëdhenj se mua në moshë më konfirmuan se edhe gjestikulacionet e Lulit gjatë fjalimit ishin si dy pika ujë me ato të Enverit kur kishte moshën e tij. Vetëm përmbajtja e raporteve ishin të ndryshme, por kishin edhe pika takimi.

Të dy vdesin për Shqipërinë, të dy duan forcimin e partisë. Të dy gjeneratorin e fitores e gjejnë tek forcimi i unitetit, madje Luli është aq zemërgjerë sa “u shtrin edhe dorën e pajtimit atyre që duan të kontribuojnë në forcimin e Partisë Demokratike”.

Tek vlerësimi i armikut kishte ndryshim të madh. Enver Hoxha jepte mesazhe për të qenë “vigjilentë ndaj armikut të klasës”, por luftën e vërtetë e kishte me imperializëm-revizionizmin, të cilëve nuk mbante sekret tu tregonte edhe “dy rrugë keni për të arritur në kufijtë shqiptarë: alpet dhe Kanalin e Otrantos”. Por edhe për këto ndihej i sigurt: “nga Alpet do të bëhen bashkë 6 milionë shqiptarë,  ndërsa Sazani e Karaburuni është kthyer në beton e hekur”.

Kurse Luli inatin e kishte më shumë me armikun e brendshëm, Partinë Socialiste, konkretisht me “komandant” Edi Ramën. Nuk la akuzë pa bërë për këtë masakër zgjedhore dhe premtoj se lufta kundër saj sapo ka filluar. Aq shumë dhe me aq patos foli për hajdutin sa të gjithëve na solli ndërmend skeçin e të madhit Luftar Paja dhe shokëve të tij të estradës së Fierit kur i vodhën lopën dhe të gjithë bënin fajtor vetë të zotin e shtëpisë, sa e detyruan të shkretin Luftar të bënte pyetjen që mbeti legjendë: Po mirë ore, hajduti nuk pati asnjë faj? Por Luli bëri antipodin. Ia la të gjitha fajet hajdutit sa na detyron ne t’i bëjmë pyetjen retorike: Po ti o Lul nuk pate asnjë faj në këtë megavjedhje?  Sepse ishte një vjedhje e paralajmëruar: edhe gjatë fushatës vetë ti dhe aleatët e t’u deklaronit se duhet bërë kujdes se do ketë vjedhje. Por ndryshe nga rasti i vjedhjes së lopës së Luftarit ku hajduti mund të vepronte edhe i vetëm, në rastin e votimeve, vjedhja nuk mund të bëhej pa marrëveshje midis hajdutit dhe të zotit të shtëpisë.

Kështu që përpara se të akuzosh hajdutin, thirri Lul ushtarët e tu dhe bëhu instruktazh që në zgjedhjet që do vijnë të shtojnë vigjilencën dhe të lënë mënjanë kompromiset e hajdutllëkut.

Edhe një kundërshti tjetër midis të dyve është edhe qëndrimi për paraardhësit. Enveri ishte i pamëshirshëm ndaj tyre dhe ndonëse thonë se ka fakte se dashurohej me motrën e Mbretit Zog dhe se e shoqëroi karvanin e arratisjes nga Shqipëria deri në kufirin grek, atë nuk e la t’i afrohej as në ëndërr,  Shqipërisë.

Luli nuk mund të rrojë dot pa marrë frymë afër “babait të tij politik” Sali Berishës dhe jo më ta vrasë atë. Duket avantazh i madh me atë që u pa në kongres kur Sala u prit me ovacione të mëdha, por është një bumerang për Lulin dhe PD-në. Por Luli është djalë i ri dhe ka kohë për të marrë të gjitha huqet e Enver Hoxhës dhe mbase bëhet si ai, udhëheqës shekullor. Sepse është vështirë të gjesh dy të ngjashëm, por jo e pamundur. Kam unë një shembull vetjak për këtë. Dy vëllezërit Cerra në Qytetin Stalin të dikurshëm ishte vështirë t’i dallonin edhe familjarët.

Kur shkuan ushtarë njëri u rreshtua në brigadën e tankeve në Sauk dhe tjetri në Zall Herr. Sauksi ishte njeri me norma, shumë korrekt me shërbimin ushtarak dhe herë pas here shpërblehej edhe me leje për disa ditë pranë familjes. Zallherristi ishte këmbëza e urës dhe as në Tiranë nuk e linin të dilte.

Biseduan të dy vëllezërit dhe e gjetën zgjidhjen: sauksi do të vinte herë pas here tek zallherristi për t’u njohur me shokët, krevatin ku flinte, vendin ku hante bukë dhe një ditë të bukur ai mori leje për në shtëpi dhe erdhi menjëherë tek i vëllai. Rrobat nuk kishin nevojë t’i ndërronin se ishin të njëjta në gjithë ushtrinë dhe zallherristi nuk humbi kohë dhe i hipi trenit dhe direkt në shtëpi. U kthye pas dy ditësh dhe çdo gjë ishte në normalitet. E bënë disa herë këtë marifet.

Ndaj Lul, studioje me imtësi “merhumin”, si fliste e çfarë thoshte, si e bënte për vete popullin dhe mbase të sjell mbarësi në zgjedhjet pas 4 vjetësh. Se po vazhdove ti biesh dajres në avazin e vjedhjes, aty ke për të ngelur se “hajduti” jo vetëm nuk do të harrojë zanatin, por ka për t’u perfeksionuar më shumë. Gërmo dhe gjeje të metën tek vetja dhe shokët e pastaj akuzo hajdutin që mesa duket ka bërë për vete edhe “hajdutët” europianë dhe përtej Atlantikut. ( Gazeta Sot)

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …