Në një moment histerie politike, që presidentin tonë të nderuar këto kohë po e kapin shpesh e më shpesh, Ilir Meta deklaroi se nëse në 25 prill do të ketë shkelje në zgjedhjet politike (një miku im e përktheu: nëse nuk fiton Iliri me Monën) atëherë ai dhe 3 milionë shqiptarë do të bëjnë revolucion. Po ia deklaroj publikisht që herë tjetër të mos llogarisë 3 milionë shqiptarë, por vetëm 2.999.999 sepse unë nuk do të jem pjesë e atij revolucioni. Dhe jo se jam me Ramën, siç mund të aludohet, por sepse kam arsye të besueshme, edhe vetjake për të mos marrë pjesë. Po e them që në fillim arsyen vetjake për të shuar kuriozitetin që ne shqiptarët e kemi të zhvilluar më shumë se të tjerët. Kur Ilir Meta bëri fushatë elektorale me Edi Ramën dhe pas zgjedhjeve bëri qeveri me Sali Berishën e kam pyetur personalisht: Çdo të bëhet me ne ish-ushtarakët? Më shikoi me aq dashamirësi sa mua ishte gati të më binte të fikët dhe mu përgjigj: Do bëj për ju ushtarakët më të mirën e mundshme sepse së pari këtë e bëj për Rexhepin tim. (Rexhepi është babai i tij dhe njëherazi edhe edukatori ynë në shkollën e mesme ushtarake Skënderbej, për të cilin unë dhe shokët e mi ruajmë respekt si njeri korrekt). Euforikë siç bëhemi ne shqiptarët pas këtij premtimi ua dhashë miqve e shokëve lajmin që në përgjithësi u bashkuan me euforinë time po pati edhe skeptikë që u shprehën se është premtim elektoral. Sot pas gati 8 vjetësh doli fjala e tyre: Ilir Meta më gënjeu mua ballazi siç ka gënjyer këtë popull për gati 30 vjet. Por po të ishte vetëm kjo arsyeja për të mos u bashkuar me të për të plotësuar numrin rrumbullak të 3 milionëshit, unë do ta haja me bukë gënjeshtrën dhe do të isha me të. Ka arsye të tjera parimore që nuk jam me të.
Së pari është hipokrizia e tij me Kushtetutën. E përdredh dhe e jargavit me të puthura librin më të shtrenjtë të shqiptarëve sa thua ti se ai e ka lexuar atë që në bark të nënës dhe se ka qenë libri më i dashur përkrah Abetares, kur e vërteta është krejt ndryshe. Me atë që po bën me Kushtetutën këto kohë ai më kujton një sekuencë televizive të homologut dhe dashamirësit të tij Sali Berishës, që nuk e kam parë vetëm unë, por gjithë Shqipëria që teksa merrte pjesë në një përurim të një fabrike birre deklaroi përpara kamerave se ajo ishte pija më e dashur e tij dhe se ai e kishte në shtëpi përditë. Por sapo i ktheu krahët kamerës, harroi se kamera të tjera e filmonin, i deklaroi mikut që kishte në krah: Ia futa kot, unë në shtëpi me Lirinë pi vetëm verë. Kështu edhe Ilir mavria, teksa del çdo ditë në ekran dhe na stërbetohet për mbrojtjen e Kushtetutës, sapo largohet nga ai mendjen e ka se si ta shkeli më shumë atë. Ai ose nuk e ka lexuar kurrë Kushtetutën dhe u beson verbërisht këshilltarëve të vet ose më keq akoma, me vetëdije e shkel atë me të dyja këmbët. Se nuk ka si shpjegohet ndryshe që ka dhënë rreth 400 pasaporta për nënshtetësi shqiptare jashtë kritereve të asaj Kushtetute dhe kur pyetet për këtë bën humor me pasaportën e bashkëshortes së Ylli Pangos.
Vërtet Kushtetuta nuk e ka të sanksionuar se si duhet të jetë figura morale e presidentit, por janë ca ligje të pashkruara që nuk të lejojnë të jesh president kur je edhe hajdut edhe gënjeshtar. Aq më tepër kur i shpall luftë të hapur qeverisë dhe Parlamentit, siç po ndodh me këtë presidentin tonë. Teksa nuk lë fjalor rrugaçi pa përdorur kundër tyre ai nuk bën asnjë hap konkret për ta shpërndarë atë, por përdridhet e spërdridhet si bishti i dhelprës për të gjetur pazarin e radhës. Nuk do ekuacione matematike, por me një aritmetikë të thjeshtë: nëse ai vërtet është i bindur se me 122 deputetë që janë aktualisht në Parlament nuk gjen zbatim Kushtetuta e vendit, përse e lejon veprimtarinë e tij?! Jo vetëm kaq, por edhe ua miraton ato ligje që nuk prekin interesat e tij.
Nëse ai është i bindur se kryeministri aktual (nuk kam ndonjë preferencë vetjake për të) është kriminel siç e deklaron vetë presidenti përse e lë në detyrë dhe nuk merr hapat e nevojshme për shkarkimin e tij, që të mos vuajmë edhe ne shqiptarët e thjeshtë prej kriminalitetit të tij?! Nuk bashkohem me presidentin në revolucionin që mendon që do të nisë edhe sepse si 3 milionë shqiptarë të tjerë jam i bindur se ai atë do ta bëjë për të shpëtuar Monën dhe partinë e saj që në të vërtetë është edhe e tij. Nuk e mbështes një president që nuk ka ku del më hapur ndaj një krahu politik ndërkohë që me Kushtetutë duhet të jetë simbol i bashkimit kombëtar. Ka edhe të tjera që do t’ia themi presidentit në kohën e duhur, duke u bërë edhe ne pak konspirativë siç ai na mëson. Unë hoqa veten nga 3 milionëshi, por edhe dhjetëra shokë e miq më kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në revolucion. Jam i sigurt që edhe vetë Edi Rama nuk do të marrë pjesë në të sepse nuk ka kuptim të protestosh ndaj vetvetes. Por unë duke i besuar në këto kohë të vështira vetëm vetvetes po deklaroj vetëm një numër më pak në këtë revolucion. Ilir Meta me sa po shikojmë ka hyrë në një qorrsokak dashurie me pushtetin dhe do të na kthejë në vitet ‘97. Ta harrojë atë ëndërr. Jemi 25 vjet më pas ku kanë ndryshuar shumë gjëra dhe situata. Ka dy faktorë thelbësorë që historia nuk mund të përsëritet me dhembje. Së pari është populli që nuk mund të shkojë qorrazi ndaj udhëheqësve që luftojnë për karrige, siç ndodhi në atë vit të largët dhe ku nuk pësoi asgjë asnjë pushtetar dhe u vranë rreth 3000 bijë nënash nga populli i thjeshtë. Pastaj janë edhe miqtë ndërkombëtarë të Shqipërisë që janë më afër popullit shqiptar që në asnjë mënyrë nuk do ta lënë të ndodhë përsëri një katastrofë e tillë, në një vend anëtar të NATO-s. Do ketë pastaj edhe shumë “dezertorë” si unë që do ia rrallojnë radhët presidentit që bën mirë të heqë dorë nga aventurat e dhunës dhe prerjes së duarve dhe t’u rikthehet rregullave demokratike të lojës politike, sa nuk është vonë. (Gazeta Sot)