Lajmi tashmë ka marrë dhenë: Françeska Jaçe do të hedhë kandidaturën për deputete në zgjedhjet e 25 prillit. Enigmë ka ngelur vetëm se kë subjekt politik do të përfaqësojë ajo. Vetë ka deklaruar se nuk do të tregojë emrin e këtij subjekti deri kur të shpallet lista publikisht. Po ç’na duhet ne se kë do përfaqësojë Françeska, për ne ka rëndësi që një prej femrave më të bukura dhe të hapura (gjuha shqipe shpesh herë është dykuptimëshe dhe kështu ju mund të kuptoni me këtë fjalë hapjen e gojës, hapjen e krahëve, hapjen e mendjes, hapjen e ….) në shoqërinë tonë do të na përfaqësojë në sallën e Parlamentit dhe do të bëjë edhe ligje edhe do mbrojë të drejtat tona.
Unë personalisht nuk do të ndjehesha i përfaqësuar nëse ajo do të jetë nesër deputete. Për shumë arsye dhe më kryesorja se ajo nuk është një shembull frymëzues për të rinjtë normalë shqiptarë që duan ta meritojnë atë pozicion që do kenë në jetë. Çdo prind e edukon fëmijën e tij që për të çarë rrugët e vështira të jetës do të duhet të djersijë jo vetëm fizikisht, por edhe mendërisht. Kjo nuk është një praktikë shqiptare, por mbarëbotërore. Njihemi përmes filmave e romaneve për këtë mënyrë jetese por edhe përmes njohjeve direkte në mundësitë e emigracionit që edhe milionerë të ndryshëm nuk dëshirojnë tua lënë pasuritë fëmijëve badihava. Shumë prej tyre bëjnë bamirësi dhe ua falin këtë pasuri shoqatave të ndryshme që mbështesin programe humanitare. Françeska jonë është njëra nga etalonët më të spikatur të rinisë shqiptare që rrugët e jetës i ka gjetur të shtruara me lule dhe nuk i ka çarë ato me djersën e ballit.
Po sa vajza shqiptare kanë mundësitë e saj për të arritur atë që ëndërron vetëm duke bërë hajgare? A mund t’i thotë një prind i sotëm shqiptar normal vajzës së vet që në jetë t’i ngjajë Françeskës? Mendoj se jo. Unë nuk jam aspak xheloz se si ajo ka arritur deri këtu, por kurrsesi nuk do të ndjehesha i qetë nëse ajo nesër do të jetë në sallën e Parlamentit. Megjithëse …nuk e besoj se do të realizohet një gjë e tillë. Së pari, kudo që ta hedhë ajo kandidaturën dhe këdo forcë politike të përfaqësojë ka për të marrë aq pak vota sa nuk do ta bëjë të mundur shkuarjen e saj në Parlament. Më së shumti votuesit shqiptarë janë të moshës së mesme e më lart, që nuk ia përkrahin sjelljet kësaj vajze kështu që edhe nuk do t’ia japin kaq lehtë votën.
Të ishte se votimet parlamentare do të bëheshin nëpër sallat e kabareve apo diskotekave edhe mbase do të merrte ca vota, por në votimet popullore e garantoj që jo. Ka edhe një arsye të fortë apo kusht që ajo nuk e plotëson që kjo ëndërr e saj nuk bëhet realitet. Siç e ka deklaruar ajo vetë disa herë në emisionet ku e ftojnë simotrat e saj, Françeska nuk mban brekë (nuk është etike në kulturën time ta them troç por përderisa ajo e deklaron vetë përse të kem turp unë ta përsëris?). Në interesimin tim ka një rregullore të pashkruar, por të zbatueshme që në Parlamentin tonë ka ca rregulla etike dhe veshjeje që janë të detyrueshme të zbatohen. Kjo nuk do të thotë se rojet e Gardës i kontrollojnë deputetët apo deputetet që kanë apo s’kanë brekë veshur, por ka ca mënyra të tjera që bëjnë zbulimin nëse i ke apo jo ato. Dhe në këtë dilemë, ose Françeska do të ndryshojë mënyrën e të veshurit (pra do të detyrohet të veshë përditë brekë) ose nuk do të lejohet të futet në sallë. Kam frikë që do të tolerohet dhe kjo do të jetë lemeri më vete. Se ne shqiptarët nga vetë natyra jemi zbatues të pamëshirshëm të shprehjeve negative në jetë dhe kështu “sheh rrushi, rrushin e prishet”, do të na mësohen edhe deputetet e tjera të mos i veshin ato e më keq akoma, do të nisin edhe deputetët ta bëjnë të njëjtën gjë.
Hajde estradë pa lekë hajde. (Parlamenti ynë edhe pa këtë element është estradë kalibri, mendo pastaj çdo të bëhet kur të venë edhe gjithë deputetët pa brekë). Do të kthehet kështu salla e Parlamentit në sallë striptizmi. Mendo pastaj ndonjë sjellje harbuti nga ndonjë deputet i veçantë: do të kalojë përpara tavolinës së Françeskës, do bëjë sikur i ra lapsi dhe teksa ulet ta marrë, do zgjasë kokën si lejlek për të parë nëse ka midis kofshëve brekë Françeska apo jo. Në të vërtetë ka historia politike ngjarje me brekë e pa brekë, por jo kaq hapur sa Françeska jonë.
Ka Parlamenti kosovar një deputete super seksi madje nënë me fëmijë dhe ajo e demonstron këtë bukuri fare hapur, por ajo edhe kur vesh rroba të tejdukshme dallohet që i ka të brendshmet. Ka ngelur në historinë italiane fotografia e një ministreje (e pse duhet me patjetër emri i saj) që teksa firmoste dekretimin e saj tek Presidenti i Republikës i kishte dalë jashtë gjysma e b..ës, por dukej ashiqare që kishte veshur tanga, madje të kuqe. Po jo pa gjë fare. Pastaj mos harrojmë që Italia ka nivel tjetër kulture seksiste dhe më kryesorja të mos harrojmë që ende gratë shqiptare, jo në shumicë, veshin çitjane. Po ta ketë seriozisht Françeska që të hedhë kandidaturën për deputete le ta bëjë pikërisht në atë zonë ku zonjat shqiptare mbajnë ende çitjane dhe ta shikojë sa vota do marrë. Trimëri nga ekrani i televizionit mund të bëjë gjithkush, por fitoret arrihen në terren dhe këtu Françeska se ka provuar asnjëherë veten. Në mitingje do të ketë pjesëmarrje të shumtë se gjithkush do të shkojë të shikojë ka apo jo brekë Françeska po në kutinë e votimit nuk ka për të marrë vota. Megjithatë ajo i ka bërë vetë llogaritë dhe i daltë për mbarë.
PS: Larg qoftë nëse Rama apo Basha e vënë atë në listë tek emrat fitues. (Gazeta Sot)