Shumë shtete në mbarë botën, përfshirë edhe Kosovën, po raportojnë për raste të infektimeve me koronavirus te personat që janë vaksinuar kundër tij. Infektimet e të vaksinuarve, kryesisht po i atribuohen variantit Delta të koronavirusit, që po përhapet me shpejtësi. Në Kosovë, deri më tani, autoritetet shëndetësore kanë konfirmuar se dhjetë persona të vaksinuar plotësisht janë infektuar me koronavirus, por kanë shtuar se gjendja shëndetësore e tyre është stabile.
The New England Journal of Medicine më 28 korrik ka publikuar një studim, ku janë analizuar të dhënat e pothuajse 11.500 punonjësve shëndetësorë, të vaksinuar plotësisht me vaksinën Pfizer, të cilët punojnë në Qendrën Mjekësore Sheba, në afërsi të Tel Avivit në Izrael. Studimi ka gjetur se personat e vaksinuar, që kanë nivele më të larta të antitrupave, kanë më pak gjasa që të infektohen me koronavirus. Pas testimeve të vazhdueshme prej fundit të janarit deri në fund të prillit, janë identifikuar 39 punonjës të infektuar, pavarësisht se ishin plotësisht të vaksinuar. Studimi gjeti se të gjithë kanë pasur simptoma të buta ose nuk kanë pasur fare simptoma, por 19 për qind e tyre kishin përjetuar simptoma edhe gjashtë javë pas diagonistikimit.
Nga 39 punëtorët e infektuar, në 22 prej tyre, autorët e studimit kanë gjetur se kanë pasur antitrupa në ditën e infektimit ose një javë më pas. Më pas studiuesit kanë analizuar nivelin e antitrupave të personave të infektuar, ku është parë se niveli i antitrupave ka qenë më i ulët.
Ndërkaq, sipas një studimi të kryer nga Qendrat e Kontrollit për Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA (CDC) të publikuar në fund të korrikut, janë analizuar infektimet që kanë ndodhur në Barnstable. Rreth 74 për qind – apo 346 raste – e të infektuarve kanë qenë të vaksinuar plotësisht. Nga këto raste, 79 për qind kanë e pacientëve kanë pasur simptoma. Sipas analizave të kryera, varianti Delta ka qenë përgjegjësi kryesor i këtyre infektimeve.
Përhapja e variantit Delta, që është variant më ngjitës se varianti origjinal i koronavirusit, ka bërë që shumë shtete të përballen me rritjen e rasteve dhe disa prej tyre kanë rikthyer edhe mbajtjen e maskave, siç është edhe rasti i SHBA-së. (ReL)