Laver Bariu lindi në Përmet më 2 maj 1929, vdiq me 26 janar 2014. Është personalitet i shquar i muzikës popullore shqiptare si muziktar popullor me gërnetë dhe si këngëtar. Themelues dhe drejtues i Sazeve të Përmetit të njohura në gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj. Përpos asaj qe ishte një mjeshtër i pakontestuar i klarinetës, Lavër Bariu kishte edhe hobi astronominë dhe parapsikologjinë. Ai gjithashtu ka kontribuar në krijimin e disa këngëve të reja të estradës shqiptare, përfshi edhe këngët më të fundit të këngëtares shkupjane Tuna.
Ai tregoi që i vogël një dhunti natyrale për t’u marrë me veglat muzikore të thjeshta të cilat i sajonte vetë nga degët e pemëve apo edhe nga kallami i grurit etj. Pas largimit të familjes së tij në qytetin e Korçës në vitin 1935, Laverit iu krijua mundësia të dëgjonte shumë muziktarë të shquar popullorë për kohën, si Islami në gajde, e veçanërisht Feim Gajdexhiu, babai i shokut të tij të fëmijërisë, Skënderit. Rreth moshës 10 vjeçare ushtrohej në shtëpinë e tij me llautën e të atit, Bariut, dhe luante edhe në shumë vegla popullore, ndër to edhe në fyejt metalike që prodhoheshin dhe shiteshin në dyqanet e Korçës. Për herë të parë luan në gërnetë së bashku me të atin, i cili e shoqëronte me llautë vallen e “Dados”. Kthehet familjarisht në Përmet në fund të vitit 1944. Aty takohet me Usta Vangjel Leskovikun, pranë të cilit punoi me llautë për rreth 1 vit, ndërkohë që ushtrohej në gërnetë në mënyrë autodidakte. Pas largimit të Usta Vangjelit për në Vlorë, Usta Laveri organizon grupin e tij, me të cilin mori pjesë edhe në Festivalin e parë Folklorik Kombëtar, Tiranë 1952, në të cilin ai vlerësohet me çmimin e parë si instrumentist popullor. Më 1954 bën regjistrimin e këngës së parë me saze, më 1957 regjistrohet si saze nga ekspedita shqiptaro-gjermane e paskëtaj më 1966 regjistron në Radio-Tirana veç të tjerash edhe tri kaba përmetare me klarinetë, për ta vazhduar punën cilësore me sazet e tij për të gjithë kohën. Ka marrë pjesë në të gjitha festivalet folklorike lokale dhe ato kombëtare.
Gjatë kësaj periudhe kohore, sazet kanë pësuar disa riorganizime strukturore të cilat kanë reflektuar para së gjithash orientimin artistik të krijuesit të tyre, Usta Laverit. Në vitin 1951 ato përbëheshin nga një gërnetë, dy lahuta, dy fizarmonika, për të ardhur në formacionin e tij të qëndrueshëm të vitit 1976 (e deri më sot), të përbërë nga gërneta, një lahutë, një fizarmonikë, def dhe violinë. Ato janë konceptuar edhe si saze klasike, pra që vetë interpretojnë në vegla dhe vetë këndojnë, por dhe si formacion shoqërues i këngëtarëve të tjerë popullorë. Nga kjo pikëpamje është shumë e vështirë që të dallosh personalitetin e Usta Laverit si interpret (gërnetë e këngëtar) dhe krijues i shumë stileve aq të njohura sot nga muzika popullore përmetare. Këtu përfshihen me dhjetëra hyrje këngësh, kaba, valle dhe mjaft riinterpretime të pjesëve të repertorit të vjetër të Sazeve të Përmetit. Këto saze kanë një veprimtari të dendur kombëtare e ndërkombëtare, duke u njohur kudo ku kanë shkuar si “Bilbilat e Përmetit”. Meritë kryesore e këtyre sazeve është se formuan edhe një tjetër identitet të këngës popullore të Toskërisë: këngën popullore përmetare. Usta Laveri ka qenë për gjithë këtë periudhë mësuesi më i mirë i shumë gërnetaxhinjve të tjerë popullorë të qytetit të Përmetit, por dhe të fshatrave, të cilët kanë mësuar prej tij abc-në e gërnetës popullore përmetare.
Ai mund të cilësohet si i fundit prej Ustallarëve të traditës së madhe të sazeve të Shqipërisë së Jugut. Sazet e Usta Laverit janë formacioni më i kompletuar i Sazeve të Jugut për periudhën ndërmjet viteve 1950-1990. Ndër këngëtarët më të spikatur që kanë kënduar së bashku me sazet e Usta Laverit përmendim: në vitet ’50 Behije Roçin, Qemal Ponoçin, Aliun (i thirrur Babaçja) etj.; në vitet ’60 Jorgo Çulli dhe Ilia Nasi, vëllezërit Sulejman Lame-“Artist i Merituar” dhe Xhelal Zeqiri, Viron Tanellari; në vitet ’70 “Artisti i Popullit” Mentor Xhemali, Ylli Zeqiri; në vitet ’80 Ardiana Daci, Robert Tralo, Drini Kanani etj; në vitet ’90 Vaskë e Dhimitër Curri, Donika Pecollari, Anastas Naqe, Luljeta Ilia, Evgjeni Çulli etj. Në vitin 1977, së bashku me Çobanin dhe Mentor Xhemalin, interpretojnë dhe regjistrojnë të gjitha materialet muzikore të filmit “Gjeneral gramafoni”, me regji të Viktor Gjikës. Në vitin 1989, Usta Laveri bëhet protagonist i filmit dokumentar muzikor të kinostudios “Shqipëria e Re”, “Këngët e zemrës”, me regji të Todi Bozos. Në Prill të vitit 1994 realizojnë CD. me muzikë popullore, në bashkëpunim me një shoqëri angleze dhe CD-në tjetër e realizojnë në Greqi. Një tjetër CD me mbishkrimin “Laver Bariu dhe valle dasmash” është realizuar në Australi në vitin 1995 nga “Fezollari Productions AUSTRALIA”. Aktiviteti muzikor i këtyre sazeve vazhdon ende. Debutimi më i fundit i tyre ishte pjesëmarrja në F.F.K Gjirokastër 2000. Presidenti i Republikës I KA AKORDUAR urdhrin “Mjeshtër i madh i punës”.