Vaso Pashë Shkodrani (1825 - 1892)

Vaso Pashë Shkodrani (1825 – 1892)

Vaso Pasha ishte njëri ndër rilindësit më të spikatur të Shqipërisë dhe njëri ndër iluministët e ndritur të kombit. Ai, tërë jetën dhe veprën ia kushtoi çështjes së çlirimi të Shqipërisë, arsimimit, kulturës, diturisë.

Pashko Vasa, lindi në Shkodër më 17 shtator të vitit 1825. I ati quhej Hilë Gjokë Vasa, kurse e ëma Drande Gjegja. Të parët e fisit të tij, nga i ati, ishin shpërngulur prej Mirdite dhe ishin shvendosur në qytet, n’atë shtëpi ku sot është shtëpia-muze e Pashko Vasës. Pasi kreu mësimet e para në vendlindje, shërbeu si sekretar i konsullatës britanike nga 1842 gjer më 1847, ku pati mundësinë me përmirsuar dijet e tij në gjuhët e huaja: italisht, frëngjisht, turqisht dhe greqisht.

Më 1847 vajti në Itali, ku ziente lufta kryengritëse për liri Ai mori pjesë gjallerisht në radhët e forcave kryengritëse italiane. Në Bolonjë u caktua si oficer i Kalorësisë  Qytetare. Asokohe ishtë  frymëzuar nga atdhetarët e shquar italian, si  Aleksando Mazzini, Gjuzepe  Garibaldi, Gioberti. Idetë që e ushqyen për këtë qëllim solidar ai i shpreh në dy letra, që i dërgon në qershor dhe korrik 1848, nga Bolonja, Nikolo Tomazeut, poet dhe enciklopedist, mik i Jeronim De Radës dhe i Dora d’Istrias.

Në shpalljen e Republikës Venedikase jetëshkurtë, nga Daniele Manin, mori pjesë përkrah popullsisë kryengritëse të atij qyteti që u rrethua nga austriakët. Ndërkohë që austriakët hynë me 28 gusht 1849 dhe Pashko Vasa u largua me disa shokë tjerë për në Ankona. Aty austriakët e kapën dhe e detyruan, si shqiptar me nenshtetësi turke, të ikte në Stamboll. Mbas disa peripecish ze vend në shoqënin e tramvajeve të qytetit, duke u ngjitur ma vonë në shkallët e administratës së saj. Që këtej u vendos me punë në aparatin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Perandorisë Osmane.

Perandoria merrte nepër poste njerëz të kombësive e feve të ndryshme për të lënë përshtypjen se shteti i përkiste gjithëve. Disa nga atdhetarët, e në mesin e tyre edhe Vaso Pasha këtë veprim të Preandorisë e shfrytëzoi për të ngritur për zgjidhje  çështjen kombëtare shqiptare.

Nga disa të dhëna që nxirren prej përmbledhjeve me vjersha italisht “Rose e spine”-“Trëndafila e gjemba”, botua në Stamboll më 1873, mësojmë se Pashko Vasa ka qenë i martuar me nje shqiptare (rreth 1855), që vdiq më 1872. Nga po kjo vepër mësohet se Pashko Vasa së paku që nga viti 1861, ishte me punë në Halep të Sirisë. Gjitashtu thuhet se Pashko Vasa kishte shërbyer disa vjet pranë ambasadës turke në Londër, ku dhe botoi më 1887 veprën frëngjisht “Gramatikë e shqipes”. Më 1862 e gjejmë në Shkoder. Vit në të cilin nji grup intelektualësh, përfshire Zef Jubanin e tjerë, u përpoqën për nje kryengritje antiosmane në Shqiperine të Veriut, në Mirditë.

Më 1864, në Stamboll, bashkohet me Kostandin Kristoforidhin, Hasan Tahsinin dhe Ismail Qemalin, për sigurimin e fondeve financiare, lidhur me formimin e shkollave shqipe, si dhe me caktimin e nje alfabeti të vetëm. Më 1867 ai qëndron në krye të përpjekjeve për themelimin e një shoqërie kulturore dhe të një alfabeti të përbashkët mbi bazën e alfabetit latin. Më 1869 merr pjesë në grupin nismëtar për krijimin e një shoqate shqiptare me karakter kulturor, arsimor e gjuhësor. Më 1871, në Stamboll, bashkë me Jani Vreton dhe Sami Frashërin, nis orvatjen për krijimin e një organizate atdhetare shqiptare.

Pashko Vasa hyri që herët në lëvizjen patriotike, por veprimtari të dendur për çështjen kombëtare zhvilloi në vitet 70, kur bashkë me Kostandin Kristoforidhin, u përpoq për krijimin e një shoqërie për përhapjen e shkrimit shqip dhe ngjalljen e ndërgjegjies kombëtare. Në vitet 1878-1882 krahas Abdyl Frashërit u shqua si një nga figurat kryesore të Komitetit të Stambollit për mbrojtjen e Shqipërisë. Më 1879 ishte ndër veprimtarët më aktivë të «Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip». Pashko Vasa ishte autor i një vargu veprash me karakter politik e historik, në të cilat mbrojti çështjen e popullit shqiptar, të drejtën e tij për të jetuar i lirë dhe i pavarur. Botoi «Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave të Shqipërisë («Esquisse historique sur le Monténégro d’après les traditions de l’Albanie», Constantinopole, 1872), ku përshkroi pashallëkun e Shkodrës nën Bushatasit, «E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët» («La vérité sur l’Albanie et les Albanais», Paris 1879), në të cilën, krahas të dhënave historike mbi popullin shqiptar dhe qëllimet e luftës së tij, kritikoi administratën burokratike osmane dhe paraqiti kërkesat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Penës së Pashko Vasa i përket edhe vepra «Bosnja dhe Hercegovina gjatë misionit të Xhevdet Efendiut» («Bosnie et Hercegovine pendant la mission de Djevdet Effendi», Constantinopole 1865).

Pashko Vasa shkroi një varg veprash të cilat i shërbenin zgjidhjes së çështjes së shkrimit dhe mësimit të shqipes; «Alfabeti latin i zbatuar në gjuhën shqipe» («L’alphabet latin appliqué à la langue albanaise», Constantinopole 1878, «Gramatika shqipe për të u përdorur nga ata që dëshirojnë ta nxënë këtë gjuhë pa ndihmën e një mësuesi» («Grammaire albanaise à l’usage de ceux qui désirent apprendre cette langue sans l’aide d’un maître», London 1887).

Ai zuri një vend edhe në historinë e letërsisë shqiptare që po krijohej; ai është autor i vjershës së njohur «Moj Shqypni, e mjera Shqypni!» (1880), e cila u botua si fletë fluturuese. Me dashurinë e flaktë për atdheun që dergjej nën thundrën e të huajit, me notën e dhimbjes për të, me grishjen drejtuar bashkatdhetarëve për të kapërcyer dasitë fetare dhe për t’u bashkuar në emër të çlirimit të vendit, vjersha luajti rol për zgjimin kombëtar të shqiptarëve. E vënë në muzikë, ajo u këndua si himn patriotik. Vepër tjetër e Pashko Vasës në lëmin e letërsisë është «Bardha e Temalit» («Barda de Témal», Paris 1890), një nga romanet e para në letërsinë shqiptare. Aty përshkruhet mjedisi shqiptar në Shkodër në vitet 40 të shek.XIX me doket dhe zakonet karakteristike. Botoi edhe një përmbledhje me vjersha italisht «Rose e spine» (1873).

Që nga viti 1883 e derisa vdiq, në qershor të vitit 1892,  Pashko Vasa shërbeu si Guvernator i përgjithshëm i Libanit, ku edhe vdiq.  Eshtrat tij u sollën në Atdhe në kohën e regjimit komunist të Shqipërisë. (Vik.)

Ahmet Qeriqi: Poezia e fenomenologjisë shqiptare

Vaso Pashë Shkodrani (1825-1892).  “O moj Shqypni, e mjera shqypni”,  vargje të përjetësisë plagprishëse,  apo të rezignatës tragjike

  Me të drejtë është konstatuar se vjersha: “ O moj Shqypni e mjera Shqypni” e Vaso Pashë Shkodranit, ka qenë manifest i Rilindjes sonë Kombëtare. Për më tepër, prej kohës kur është shkruar dhe është publikuar, kjo poezi është i vetmi krijim letrar, historik, influencues dhe rregullator i vetëdijes kombëtare, që ka përcjellë mesazhe në çdo kohë, në çdo vit, prej kur është shkruar  e deri në vitin 2010. Është i vetmi ornament shkrimor kombëtar, i cili nuk është vjetruar në asnjë varg, është i vetmi “shkrim i shenjt shqiptar” që bën thirrje për një shqiptari unike, për një shtet dhe një komb të vetëm shqiptar, që mund të mbijetojë vetëm duke anashkaluar, jo fetë, por  dallimet fetare, krahinore, bajraktare e ideologjike.

Shqipëria e vitit 2010 është e katandisur si mos më keq.  Shqiptarët sot janë po ashtu të katandisur, të përçarë, të ndarë, të varfër dhe të mbetur nën robërinë e të huajve.>>>

 Po sot Shqypni më thuej si je

Po sikur lisi i rrxuem përdhe,

Shkon bota sipri, me kambë, të shklet

E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet.

 Dhe ndaluni e mendoni esëll si është Shqipëria sot! E përmbytur në veri e dominuar nga grekët në Jug, e qeverisur fetarisht nga priftë e patriarkë të huaj, e qeverisur nga klanet mafioze,  të majta e të djathta, një vend i padëshiruar nga shumë shqiptarë, një vend nga ku ikja konsiderohet fat jetësor.

Dhe si gjallon kjo pjesa tjetër, ende e paarrirë  e Shqipërisë. Kjo është edhe më zi sesa ka qenë dikur moti,  meqë bijtë e saj “trima” kanë nënshkruar ndërrimin e identitetit, kanë ndërruar hymn e flamur, kanë pranuar një identitet të huaj dhe të panatyrshëm, duke pretenduar të ruajnë në të njëjtën kohë dy identitete, kosovar dhe shqiptar, duke shpallur një pavarësi të cunguar, një pavarësi, që nuk është as mish as peshk.

Pjesa tjetër e Shqipërisë në trojet e Iliridës së dikurshme po zihet në kazanin e madh të shlivovicës sllave, duke qenë e mohuar dhe e anashkaluar në shtetin, të cilin një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve të atjeshëm e konsiderojnë të vetin, edhe pse e dinë se ajo nuk është nëna, por njerka shtrigë dhe e ligë.

Në pjesën tjetër, në Verilindje të Kosovës, shqiptarëve  po iu rrëshqet nën këmbë toka stërgjyshore e Atdheut, ndërsa pjesa tjetër në Mal të Zi  tashmë gati është pastruar  etnikisht.

Dhe prandaj tingëllojnë fuqishëm vargjet:

O moj Shqypni, e mjera Shqypni

Kush të ka çitë me krye në hi.

Dhe, mjerisht e fatkeqësisht janë edhe shumë “bij të Shqipes” që iu kanë vërsulur mbi trup “Nënës Shqipëri” dhe po e thithin e po e vjelin, po ia ndajnë, po ia shkulin dhe po ia shesin gjymtyrët, pa asnjë mëshirë, sikur të ishte një rrobe e vjetur dhe e grisur. Tokat shqiptare po i blejnë me pak lekë, serbët, grekët, malazezët, turqit, italianët e kush jo. Po i blejnë, sepse bijtë shkapërdarë e kanë pushtuar Shqipërinë dhe po ia japin munxët nga do ku mundin, nga do iu jepet rasti.

Andaj edhe po keqinterpretohen mizorisht vargjet:

E mos shikoni Kisha Xhamija,

Feja shqiptarët është Shqiptaria.

Këto dy vargje, ku është mbrujtur tërë filozofia e çështjes së pazgjidhur shqiptare kanë një porosi të qartë, në kohë dhe në hapësirë në sinkroninë dhe në diakroninë e shqiptarisë, sepse nuk janë vargje ateiste, sikur interpretohen nga klerikët bukëshkalë të Shqipërisë, por janë vargje me porosi të thellë të unifikimit kombëtar. Vaso Pasha nuk thoshte mos shkoni në kisha e në xhamia, nuk thoshte mos i shikoni me sy ato, nuk thoshte mos ndërtoni kisha e xhamia dhe mos u falni në to, sepse ai vetë ishte fetar, ashtu sikur kanë qenë dhe janë shumica dërrmuese shqiptare, por kërkonte që kombi, gjuha, atdheu të mos mbeteshin peng nga përçarjet fetare. Ndryshe i interpretojnë  këto vargje letërnxirësit e historisë so sotme shqiptare, edhe pse Vaso Pasha në mënyrë të qartë e të drejtpërdrejtë bënte thirrje të mos lejohej përçarja kombëtare mbi baza fetare, mbi baza krahinore e gjuhësore, sepse ideali për ta bërë Shqipërinë, një e të pandarë nënkuptonte, që shqiptarët të mos rrahin gjoks se janë turq, latinë, shkije, grekë e dreq me brirë, por mbi të gjitha të identifikoheshin si shqiptarë, si vëllezër nga gjuha, gjaku, traditat, doket, historia, vendi, Atdheu.

  Manifesti i Shqiptarisë i menduar dhe i shkruar nga Vaso Pasha është një manifest që i ka qëndruar të gjitha viteve deri në vitin 2010. Është një manifest, nga i  cili nuk mund të thuhet se është vjetruar, qoftë edhe vetëm një fjali, apo një fjalë e vetme. Sepse, po të shprehemi realisht, ashtu sikur realisht ka gjykuar Vaso Pasha, Shqipëria ende është me krye në hi, edhe pse ka një Qeveri e një shtet gjysmak  në Tiranë, ajo Qeveri dhe ai shtet i bie në gjunjë dhe  i përkulet në tokë Evropës dhe shteteve të fuqishme të botës. Shqipëria jashtë kufijve administrativë është me krye në hi, e mbetur peng nga Beogradi, Shkupi, Podgorica e Athina.

 Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je?

Po sikur lisi i rrxuem përdhe,

Shkon bota sipri, me kambë, të shklet

E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet.

Si mal me borë, si fushë me lule

Ke pas qenë veshun, sot je me crule,

E s’të ka mbetun as emen as besë;

Vet e ke prishun për faqe t’zezë.

 Dhe cilat janë ndryshimet sot.

Natyrisht se ka ndryshime. Shqiptarët janë më të arsimuar se në kohën e Vaso Pashës, por janë më pak shqiptarë në kuptimin idealist të fjalës.  Dikur ishin trima si petrita në beteja për ta luftuar pushtuesin, sot janë trima për t ia nxjerrë sytë njëri tjetrit, për ta sharë e fyer njëri tjetrin, për ta lavdëruar armikun serb, që nuk iu ka rjepur  lëkurën 2 milionë shqiptarëve, sepse fetarisht identifikohen me islamin, nga ana tjetër për t i nënçmuar katolikët e të krishterët, sepse janë minoritete fetere. Andaj Vaso Pasha edhe sot me plot gojën dhe burrërisht thotë: Mos shikoni kisha xhamia, se feja e shqiptarit është shqiptaria. Askund dhe asnjëherë nuk ka thënë mos shkoni në kisha e në xhamia. Dhe këtu është esenca e filozofisë kombëtare dhe mesazhi universal shqiptar, një mesazh idealist, që u rri te koka si shpatë e Damakleut të gjithë atyre shqiptarëve, që iu ka bërë gjaku ujë,  që për sa pare që i fitojnë shesin atdheun të të parëve, tregtojnë me gjithçka që është e shenjtë, sepse është e shenjtë dhe e veçantë përkatësia kombëtare për të gjitha kombet e qytetëruara të botës.

“O moj Shqypni…e Vaso Pashës” është historia realiste e Shqipërisë dje dhe sot, është mesazhi i qartë për Shqipëri të plotë, në kufijtë etnikë dhe shqiptari në kuptimin idealit të fjalës, sepse pa unifikimin e faktorit shqiptar, pa bashkimin e trojeve shqiptare, nuk jemi as mund të bëhemi faktor shqiptar në Ballkan, as në Evropë.

Nuk na duhet kurrfarë integrimi në Evropë, derisa kjo Evropa, njerkë nuk e pranon në asnjë mënyrë Shqipërinë e tërë, por i pranon vetëm gjymtyrët e saj, të ndara e të përçara.

Gënjejnë  dhe janë mashtrues, hileqarë e hipokritë të gjithë ata politikanë shqiptarë që mundohen të na qesin hi syve, që thonë se Parajsa e kësaj bote qenka integrimi në BE. Gënjejnë në pikë të ditës, sepse nuk ka shqiptar normal, që ka mendje në kokë dhe që nuk e di se Shqipëria është pjesë e kontinentit të Evropës, se ka kulturë evropiane. Nuk ka shqiptarë, mendërisht normal, qoftë edhe i paarsimuar që nuk e di se Konferenca e Londrës e vitit 1913 e ka ndarë përgjysmë Shqipërinë, se Evropa e asaj kohe, baballarët dhe gjyshërit e EULEX-istëve të sotëm, ia kanë bërë tapi të përjetshme tokat shqiptare: Serbisë, Greqisë, malit të Zi dhe Bullgarisë. Po ka shqiptarë syleshë dhe fantastë, ka pacifistë ende të përgjumur, që logjikojnë dhe deklarojnë se EULEX-ka ardhur për t’ ia ndreqë gabimet Evropës së dikurshme.

A thua a nuk e dinë këtë histori dhe nuk e kanë lexuar këtë vjershë të Vaso Pashës:  Bamir Topi, Sali Berisha, Edvin Rama, a thua nuk e dinë: Fatmir Sejdiu, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi e Ali Ahmeti, të cilët na porosisin që të heqim dorë nga folklorizmi dhe romantizmi kombëtar, ekstremist, i Vaso Pashës Shkodranit.

Është e natyrshme se këta emrat e kryeparëve tanë e gjejnë veten në vargjet e Vaso Pashë Shkodranit, ashtu sikur është e natyrshme se postet e tyre në kreun e shtetit dhe të pushtetit nuk i kanë marrë për ta bashkuar Shqipërinë, por për ta zhvatur dhe për ta shfrytëzuar atë deri në palcë, duke ngritur pallate për veten, fëmijët, nipat e pasardhësit, të afërmit dhe sivëllamët e tyre, duke blerë kompanitë më të kushtueshme, duke krijuar kohortat e task forcat të dreqit, duke kthyer në prokurori kriminelët dhe gjyqtarët proserbë, që kanë dënuar mijëra shqiptarë, duke bashkëpunuar me dreqin e të birin, vetëm për të mbrojtur interesat  e për të shumëzuar sa më shumë që të jetë e mundur përfitimet e tyre, dhe duke mos e lejuar Shqipërinë të ngrihet nga hiri ku e kanë katandisur dikur të huajt edhe bijtë e saj shkapërdarë.

 Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra,

Ndër nji qind ceta jeni shpërnda;

Ca thone kam fè ca thonë kam din;

Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin”

Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë,

Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë!

 Andaj Vaso Pasha, Asdreni, Migjeni e shumë shkrimtarë atdhetarë  nuk po mësohen më në shkollat tona, sepse porositë e tyre qenkan helmuese për fqinjët, qenkan porosi “nacionaliste”, në kohën kur nuk konsiderohen nacionaliste porositë e skrëbeve të Enciklopedisë sllavobullgare, kur nuk konsiderohen nacionaliste pretendimet e Serbisë për ta kthyer dominim në Kosovë, apo në kohën kur Greqia injoron çështjen çame, dhe në anën tjetër kërkon e merr me pahir edhe një pjesë të bregdetit të Shqipërisë.

O moj shqypni e mjera Shqypni

Bijtë e tu, ende  po të mbajnë me krye në hi. Vetëm këtë varg do ta shtonte Vaso Pashë Shkodrani, po të ishte gjallë.

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …