Dhe sot përkujtojmë të gjithë ata, të cilët u bënë themel i Lirisë së Kosovës.
Njëzetegjashtë vjet nga krimet serbe mbi shqiptarët! – Nga krimet e fundit sepse krime dhe gjenocid mbi shqiptarët është bërë me shekuj. Dhe shekujt flasin! – Dhe shekujt këndojnë për Lirinë, për Kosovën, për Shqipërinë!
Dhe janë me mijëra që ende nuk kanë gjetur prehje nga vrasja, varrimi dhe zhvarrimi serb.
Dhe janë me mijëra emra të shkruara me shkronja të mëdha për sakrificën e quajtur Kosovë, sepse me emrin Kosovë identifikohen të gjitha krimet serbe, të të gjitha kohërave: Nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, nga vitet 1912-1913, nga Lufta e Parë Botërore, pas saj dhe deri në Luftën e Dytë Botërore, pas LDB-së, nga dëbimet masive, vrasjet dhe terrori shtetëror serb nën emblemën e Jugosllavisë, nga projektet e spastrimit etnik të shqiptarëve nga trojet e tyre, nga dëbimi i më se 400.000 familjeve shqiptare pas LDB-së duke i dëbuar me dhunë për në Turqi, nga largimi i më se qindra mijëra shqiptareve për në shtetet e perëndimit, nga… e nga…..
Dhe sot një përkujtim, një ndezje qiriu për ata, të cilët bëjnë dritë për të gjithë ne, për ata të cilët me shpirtin e tyre ndriçojnë shpirtin e Kosovës dhe Shqiptarisë.
Dhe a mjafton e gjithë kjo. Natyrisht se jo. Dhe a kemi bërë sa është dashtë të bëjmë për ta. Natyrisht se jo. Dhe çka duhet të bëjmë, është një pyetje e thjeshtë ndoshta, por një pyetje që kërkon përgjigje të shpejtë, sa çel e mbyll sytë, për të ardhmen e Kosovës martire, për të ardhmen tonë të përbashkët, për të ardhmen e të gjithë shqiptarëve kudo ku jetojnë dhe veprojnë si shqiptarë, me qëllim që mos të na përsëritet historia.
Dhe ne një populli i përvuajtur, i djegur dhe i përvëluar në vazhdimësi nga flakët e luftës, nga forca e armës pushtuese, nuk mund të bëjmë shumë. Por një gjë mund ta bëjmë. Falë forcës së fjalës, teknologjisë çdo ditë fotografitë e këtyre martirëve t`i dërgojmë drejt institucioneve ndërkombëtare që ata, që e dinë më mirë se ne, të shohin vrasjen e shqiptarëve në bazë të projekteve serbe ndër shekuj.
Vetëm atëherë, kur këta shpirtra të pafajshëm, fëmijë, gra, pleq, të fitojnë drejtësinë mbi krimin, mbi gjenocidin serb mund të rehatohen, të pushojnë të qetë duke ia falë sytë e tyre Kosovës dhe Shqiptarisë.
Dhe sot përkujtuam, ata të cilët i dhanë më së shumti Atdheut, jetën e tyre dhe nuk morën asgjë në shenje lavdie.
Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të kombit!